Në YFSF, Beatrix Ramosaj ka provuar të jetë në lëkurën e shumë personazheve të famshëm, këngët e të cilëve e kanë bërë për vete dhe e kanë emocionuar jo pak herë. Pothuaj çdo të hënë, emocionet Trixa ia ka transmetuar edhe publikut, të cilin, ashtu si veten, e ka bërë të përlotet.
Kështu ndodhi edhe sonte, pasi përfundoi performancën e Celine Dion me “My heart will go on”. Kënga që, 20 vjet më parë, u bë hiti i të gjithë botës me dramën e “Titanic”, përfshiu edhe sonte këngëtaren nga Kosova.
Pasi përfundoi performancën dhe mori vlerësimet maksimale nga juria dhe publiku, Alketa e ftoi Trixën të improvizonin një pjesë nga drama e madhe e filmit, kolona zanore e të cilit është kjo këngë. Duke lexuar një pjesë nga deklarata e dashurisë së dy protagonistëve, Trixa e pati të vështirë t’i përmbajë lotët: “Jam shumë e emocionuar që mbajta mbi supe këtë këngë kaq të fuqishme, me peshë kaq të madhe, që më përfshiu emocionalisht... Dhe emocionet më mjaftojnë, nuk më mjafton asgjë gjë tjetër”, – tha Trixa si për të hequr dyshimet që mund të lindnin nga ky moment emocional.
Menjëherë “në mbrojtje” i erdhi këngëtares edhe Albëria, e cila e kishte porositur se, nëse nuk arrinte ta përjetonte dhimbjen e dy njerëzve (protagonistëve në film), atëherë nuk do t’ia arrinte. Por Trixa jo vetëm ia doli, por përjetoi gati të njëjtat emocione me ta. Lotët ishin dëshmi për këtë...