Portreti dhe zëri i saj karakteristik në ekranin e Tv Klan çdo mëngjes janë si një zile e ëmbël zgjimi për ata që i kanë ende sytë gjysmë të mbyllur. Pak muaj pasi i është rikthyer ekranit, Kostana Morava e ndien veten tërësisht të plotësuar. Jo vetëm nga ana profesionale, një punë që e bën me kënaqësi, një komunikim live me publikun që ndjek me kërshëri zhvillimet e ditës, por edhe në jetën private e familjare… Prej vitesh në një lidhje të gjatë dashurie me gazetarin e News 24, Edvin Parruca, Kostana nuk mund të ishte më e lumtur se kaq. Sot, ata janë tre: 1+1 = 3. Lumturinë ua ka shtuar Indi, djali i tyre 4-vjeçar. Por që dashuria të jetë e plotë, edhe për Kostanën, duhet të ketë disa “rregulla”, të cilat, me sa duket, ajo dhe Edvini i kanë respektuar me përpikëri.
Në pyetësorin e dashurisë, mes shumë pyetjeve pikante, Kostana është racionale dhe e prerë. Gjërat që ka dashur dhe do në dashuri i ka mjaft të qarta e lufton shumë për t’i ruajtur deri në fund. Ajo beson në dashurinë me shikim të parë, por beson edhe se për dashurinë ia vlejnë çmenduritë, megjithatë është e bindur se sakrificat për të janë ato që të shtyjnë gjithmonë para… ato që të bëjnë të mos dorëzohesh kurrë për atë që do. Sepse çelësi i dashurisë së madhe është të duash… shumë, shumë.
Dashuria e parë, të kujtohet?
Po.
Puthja e parë: zbulim apo zhgënjim?
Zbulim.
Në dashuri ia vlen të ngulësh këmbë?
Deri në fund...
Të biesh në dashuri: një marramendje e lehtë, apo tre shot-sa rresht?
Tre shot-sa rresht.
Strategjia e joshjes. Cila është jotja?
'Hidhu me kokë', duke qëndruar vetja.
Kategoritë e meshkujve që nuk të pëlqejnë?
Fodullët.
Çfarë përdor për të joshur: bukurinë, pasurinë, trurin, humorin?
Gjithçka kalon nga truri si fillim.
Shqisa më e rëndësishme në dashuri...
Të shijuarit.
Si ishe veshur në takimin e parë me partnerin tënd?
Nuk e mbaj mend.
Të ndërrosh veshjen pesë herë para se të dalësh. Është shenjë dashurie?
Joooo, as në fillimet e marrëdhënies.
Dashuri me shikim të parë, edhe pse mund të kesh parë gabim? Apo më e menduar?
Me shikim të parë…
Serial lover-at i shmang apo të joshin?
I kam shmangur, më duken fals.
Seksi pasuron dashurinë? Apo e kundërta?
E pasuron.
Një, dy apo tri çmenduri për dashurinë?
U martova...
Më mirë ngjashmëria apo tërheqja e të kundërtave?
Ngjashmëria.
Të shiheni në sy, apo të shihni në të njëjtin drejtim?
Nëse flasim për dashurinë, shihemi në sy, për biznes, shohim në të njëjtin drejtim.
Sakrifica apo lule dashurie?
Lulet vyshken, vetëm sakrificat të shtyjnë përpara.
Bëjmë një bilanc të historisë suaj?
1+1=3.
Nga e kupton që historia është dashuri e vërtetë?
Nuk kam më frikë!
Një dashuri jotja e madhe e përmbledhur në një: vend, ushqim, muzikë?
Buzë liqeni me Radiohead, pa ngrënë fare.
Dashuron shumë? Apo mesatarisht?
Shumë, shumë.