
Një maturant që ka mesataren më pak se 6 nuk do të thotë që nuk mund të aplikojë për studime të larta apo të mos punojë në sistemin e drejtësisë.
Nëse nuk bëhet avokat, ka programe studimi që të përgatisin për t’u bërë ndihmës i tij. Në portalin e Maturës Shtetërore mund të aplikojnë të gjithë maturantët, por në varësi të mesatares, portali bën diferencime. “Nën 6 po, aplikojnë, por atyre u shfaqet se në vetëm 21 programe studimi që janë programe dyvjeçare, disa janë interesante si asistent ligjor, administrativ, stomatolog.

Normalisht, Shqipëria ka nevojë dhe për asistent jo vetëm për lider në çdo zyrë”,- thotë Arben Fagu, drejtor i bazës së të dhënave dhe sistemit QSHA.
Aplikimet e maturantëve vijojnë dhe sipas kalendarit gjatë ditës së hënë aplikojnë maturantët e Elbasanit , Korçës dhe Pogradecit ku procesi ka ecur mirë ndryshe nga dita e shtunë ku për shkak të fluksit të aplikimeve u bllokuan serverat. Por pavarësisht kësaj, zoti Fagu garanton se nuk do të mbetet asnjë maturant pa aplikuar. “Janë parashikuar dy ditë, për rastin konkret datat 28 dhe 29 pikërisht që janë për këta maturantë që mundet për një arsye apo një tjetër nuk kanë arritur të aplikojnë. Parimi ynë është që çdo maturant të aplikojë. Parimi ynë është që çdo maturant të aplikojë dhe nëse do duhet të shtyhet një ditë dhe një ditë tjetër ne e shtyjmë. Të rinë të gjithë të qetë, askush nuk do të përjashtohet nga e drejta për të përzgjedhur 10 programe studimi për institucionet e arsimit të lartë në Shqipëri ”, thotë ai. Më 28 gusht dalin rezultatet e raundit të parë dhe më 29 nisin regjistrimet në universitete. / TCH/
