Sa herë një personazh i njohur poston një foto duke puthur në buzë fëmijën, fillon i njëjti debat. Dikush hidhet dhe thotë që kjo nuk është normale, të tjerë e kundërshtojnë...Por si është e vërteta? Çfarë thonë specialistët? Në të vërtetë, edhe ata ndahen në dy grupe kur hapet kjo temë...Megjithatë le të shohim disa nga qëndrimet më të përhapura.
Në një artikull të Your Tango, dy vite më parë, rreth asaj se nëse duhet të puthen fëmijët në buzë apo jo, është prekur deklarata e diskutueshme e bërë nga psikologia i fëmijëve dhe profesorja Dr. Charlotte Reznick.
“Puthja në buzë mund të jetë stimuluese. Është shumë hutuese. Nëse mami e puth babin në buzë dhe e kundërta, çfarë kuptimi ka, kur unë, një djalë apo vajzë e vogël, i puth prindërit e mi në buzë? Nëse më duhet të përgjigjem se kur duhet të ndalohet puthja e fëmijëve në buzë, ajo do të ishte TANI”, ka thënë Dr. Reznick. Këto komente i kanë ndarë prindërit në dy grupe në atë kohë, duke krijuar debate të nxehta online dhe në radio. Disa prindër madje nuk mund ta besojnë që kjo paraqet problem.
“Sapo e pashë në lajme: ‘mos i puthni fëmijët në buzë, është shumë seksuale’. Nuk dua të jetoj më në këtë botë”, ka shkruar njëri. Nga ana tjetër, ekspertët e tjerë nuk pajtohen me Dr. Reznick.
Psikologia Sally-Ann Mccormack ka thënë për The Sun se nuk është aspak e vërtetë që puthja e fëmijëve në buzë nga ana e prindërve të tyre mund të jetë hutuese për të vegjlit.
“Kjo është si të thuash ushqyerja me gji është hutuese. Disa njerëz mund të kenë probleme me të, por nuk është më seksuale se masazhimi i shpinës në një fëmije”, ka shtuar Mccornmack.
Mendimet e kundërta vazhdojnë. Sigurisht prindërit që e praktikojnë këtë puthje janë të bindur që nuk ka asgjë të keqe në të. Victoria dhe David Beckham bëjnë pjesë te ta. Në fillim ishte Victoria që u sulmua për puthjen në buzë me të bijën, Harper 7, por njëlloj pati pakënaqësi edhe kur David, postoi një foto ku e puthte të bijën në buzë vetëm pak kohë më parë.
BBC Trending është konsultuar me eksperten e rregullave të mirësjelljes shoqërore, Liz Brewer. Ajo shprehet se puthja e fëmijëve në buzë është një praktikë e pazakontë, por mbetet zgjedhja e prindërve nëse ata e konsiderojnë të arsyeshme apo jo.
"Normalisht nuk mund të puthim në buzë një anëtar të familjes, nëse ai person nuk është burri juaj," ka thënë ajo. Shqetësues është fakti nëse fëmijët nuk dëshirojnë, e prindërit apo të afërmit e bëjnë një gjë të tillë. Afrimitetin e “tepruar” duhet t’ia lëmë në dorë fëmijëve e nëse ata ndihen mirë ju mund t’i puthni në buzë.
Kjo puthje, megjithatë mund të ketë efekt çoroditës, veçanërisht te fëmijët me nevoja të veçanta. Vera Kurti, mësuese e Edukimit Special në Neë York ka thënë për revistën Psikologjia që kjo praktikë te këta fëmijë mund të shkaktojë shteg për abuzime.
"Është e thjeshtë të kuptohet se, pa dashur, vetë së pari krijojmë një çoroditje te fëmija dhe së dyti, edhe një shteg për abuzime, sidomos ndaj fëmijëve me aftësi të kufizuara, të cilët për vetë moshën dhe sidomos për mungesën e aftësive për të dalluar rreziqet e çfarëdolloji, nuk arrijnë të bëjnë dallimin e veprimeve apo sjelljeve të të tjerëve ndaj tyre, ose të sjelljeve të tyre ndaj të tjerëve. Konkretisht, nuk arrijnë të kuptojnë se pse duhet ta puthë mamin në buzë dhe Verën jo", ka thënë ajo.
Më pas ka shtuar edhe një argument që mbetet i fundit. "Një tjetër argument, që duhet patur në konsideratë për këto lloj puthjesh, është shëndeti i femijës, infektimi me mikrobe dhe viruse të ndryshme, që i madhi (prindi) mund të ketë. Për të gjitha sa thashë, puthja e fëmijës në buzë është puthja më pa sens dhe krejt pa shpjegim. Aq sa kuptoj unë, dashuria e nënës, babait e gjyshërve, apo të tjerë të afërmve ndaj fëmijës së çfarëdo moshe ka vetëm një mënyrë përkujdesje dhe përqafime të ngrohta".
Megjithatë shkenca nuk mund të jetë e prerë në një temë të tillë. Prindërit duhet të njihen me mendimet e psikologëve, pa u bërë robotë të këshillave të tyre...