“Unë, ti dhe Kasandra”, filmi që u realizua vetëm dy vjet pas vitit të tmerrshëm 1997, ishte i mezipritur në atë kohë për publikun e etur për filma shqip, por jo vetëm për këtë. I mësuar me tema që idealizonin partinë dhe pushtetin, publiku mezi kishte pritur një fabul që prekte shoqërinë e drogës – një temë sa e prekshme dhe e ndjeshme, aq edhe delikate për kohën. Por ata ishin të guximshëm…

Aktorja dhe regjisorja Rozi Kostani u fiksua nga publiku shqiptar pikërisht me atë film. Në atë kohë, ajo ishte studente e vitit të fundit në Akademi dhe me rolin do të mbronte temën e diplomës.

Pas pjesëmarrjes në audicion, roli i Kasandrës iu besua Rozit, e cila, pasi pa skenarin dhe fitoi rolin e Teutës, kishte një kusht: nuk do ta luante skenën erotike me aktorin e njohur Neritan Liçaj.

E ftuar pasditen e sotme në “Rudina” për të folur për projektet e saj të reja, por edhe për punën si regjisore në shumë shfaqje të Teatrit Kombëtar, Rozi kthehet shumë vite pas në kohë për të ndarë me publikun emocionet që i ka falur ai rol, por edhe sa shumë ka vuajtur për skenën erotike, edhe pse nuk ishte ajo që e luajti: “Nuk e pranova rolin vetëm për këtë skenë, nuk mendoja se mund të ishte një skenë që mund ta përballoja dot vetë dhe kërkova që nëse do ta merrja rolin, do të ishte dublante”, – tha Rozi pas pyetjes së Rudinës.

Por edhe pse skena erotike ishte me dublante dhe me gjithë famën që i fali filmi, Rozi tregon se nga ajo skenë ka vuajtur shumë rrugëve të Tiranës: “Edhe duke qenë me dublante, unë e kam vuajtur shumë atë rol rrugëve të Tiranës. Sapo u dha filmi, unë kam dalë dhe kam dhënë intervista. E thashë që nuk jam unë, por ja që një pjesë e mirë e njerëzve më identifikonin”, – tregon më tej aktorja.

Pyetjes së Rudinës nëse këtë skenë nuk e kishte pranuar sepse e kishte të vështirë vetë apo kishte probleme me të tjerët, aktorja thotë se, për të, si edhe për shumë kolegë të tjerë të saj, problemi është me të tjerët: “Ne problemin me veten e kemi kaluar, ne jemi aktorë dhe e dimë këtë pjesë. Problemi është me të tjerët… Filmi është i bukur, sepse të jep famë të menjëhershme, por unë e kam përjetuar keq famën në atë kohë… Aq më tepër, sepse më shumë se të bëhem e famshme menjëherë, unë kam nevojë të pohohem, ndaj edhe kam zgjedhur teatrin”

Sot, pas shumë viteve në këtë profesion, Rozi ka luajtur dhjetëra role të tjera në film dhe teatër, por publiku nuk e harron filmin e saj të parë, goditjen e vajzës me kaçurrela që qëllimn e vet pati goditjen e një shoqërie të mbyllur që, më shumë se gjithçka tjetër, ishte e etur për të “liruar” kufijtë e mendjes.