Divorci mund të mos jetë zgjidhja më e mirë në jetën e një çifti, por nëse pas tij asgjë nuk ndryshon për fëmijën,  që vazhdon t’i ketë njëlloj të pranishëm mamin dhe babin, atëherë nuk ka më rëndësi nëse prindërit jetojnë ose jo bashkë. Ky është rasti i Anduena Llabanit, e cila divorcin nuk e ka konsideruar si periudhën më të errët të jetës, pas së cilës çdo gjë është më e vështirë. Përkundrazi. Ajo dhe Aleksei, djali i saj 5 vjeç e gjysmë, shijojnë gjithçka, jetojnë çdo moment, argëtohen pa fund edhe me Arditin, babin e Alekseit, sa herë vogëlushi do të takohet me të.

Të dy prindërit kanë një marrëdhënie shumë të mirë me njëri-tjetrin. Aleksei e di që të dy e duan shumë, aq sa shpeshherë habitet kur e ëma i shpjegon se sa shumë sakrifica kanë bërë dhe sa shumë dashuri kanë për të.

Por Anduena, jo rrallëherë është përballur edhe me pyetjet e të birit, të cilave nuk u jep dot përgjigje gjithmonë. Ajo që është mësuar të bëjë pyetje dhe po aq e mësuar të presë kundërpërgjigje, në kësi rastesh e ndjen veten të dobët përballë Alekseit, sepse kur ai kërkon të dijë gjithçka për raportin e saj me babin e tij, sado të përpiqesh ta anashkalosh, duhet të gjesh një mënyrë për t’iu përgjigjur.

E ftuar pasditen e sotme në “Rudina”, Anduena Llabani ka folur edhe për këtë raport me të birin, sidomos në rastet ku ai i bën ato pyetjet pikante që, shpeshherë nuk marrin përgjigje. Jo se mami nuk i di, po sepse, edhe mami, megjithëse njihet nga ekrani si një femër e fortë, në këtë rast e ndjen veten të dobët.

E pyetur se si ia ka shpjeguar të birit divorcin me ish-bashkëshortin, Anduena tregon: “Ka momente kur ndeshem me pyetje të vështira, aq sa ngel edhe pa frymë. Mendohem dhe them me vete çfarë duhet të bëj, t’i them të vërtetën apo ta anashkaloj? Sepse edhe unë njeri jam, e gjej veten të dobët. E di çfarë kam vendosur në të tilla raste? Një herë në dy ditë, kam vendosur t’i tregoj Alekseit se si ka ardhur në jetë, kur babi i tij dhe unë kemi vendosur ta sjellim atë në jetë, sa shumë kemi dashur të ishte një djalë…  Dalëngadalë ai e harron faktin që ne nuk jemi bashkë në një shtëpi. Parimisht, nuk na sheh të ndarë. Sepse me Arditin takohemi një herë në javë ose edhe kur ta vendosë Aleksei. Takohemi shpesh të tre, bëjmë shumë gjëra bashkë, diskutojmë bashkë… Por për hir të atij njeriu, unë do bëja edhe cirk…” – rrëfen Anduena pa e fshehur emocionin.

Arditi, babai i Aleksit është dhe do të jetë një njëri shumë i rëndësishëm në jetën e Anduenës. Pavarësisht se jeta i ka ndarë rrugët e tyre, i biri do t’i bashkojë gjithmonë dhe për hir të tij, ata kanë një marrëdhënie shumë të mirë: “Këto nuk janë fjalë të bukura, por të ndjera. Arditi është një pjesë shumë e bukur e jetës sime, është idhulli i djalit tim. Unë dhe ai jemi treguar shumë të fortë, pa anashkaluar çdo gjë, por duke u përballur dhe duke mos bërë sikur nuk ekziston.”

Aleksei ishte sot edhe në studion e Rudinës për t’i bërë mamit një surprizë. Ata janë mësuar që të flasin vazhdimisht me pusulla. Kjo lojë argëtuese për Aleksein e ndihmon atë jo vetëm për të krijuar një raport të veçantë me të ëmën, por edhe për të mësuar të shkruajë bukur.

Në pusullat e sjella, ai u bën një deklaratë të hapur të dy prindërve që i do shumë. Një fëmijë i zgjuar si ai s’mund të linte pas dore edhe Rudinën, për të cilën gjithashtu kishte një deklaratë dashurie dhe një zemër të kuqe.