“Kur do të martohet?” është një nga pyetjet që i është bërë shpesh Rozana Radit. Pak kohë më parë, këngëtarja tha se nuk ka ndër mend të bëjë dasmë dhe një prej arsyeve për këtë është mungesa e prindërve. Për të nuk mund të kuptohet një ceremoni martese kur në të nuk janë dy njerëzit e saj më të shtrenjtë. Prindërit e Rozanës janë ndarë nga jeta para shumë vitesh, por mungesa dhe malli e shoqërojnë gjithmonë Rozin, aq sa jo rrallëherë kujtimet me ta ajo i ndan edhe me miqtë virtualë në rrjetet sociale.
Por këtë të shtunë, e ftuar në “Shiko kush luan”, Rozana është bërë pjesë e rubrikave të programit. Në lojën e gjetjes së fjalëve, ajo ka dhënë edhe një arsye se përse ka mbetur pa martuar. Kur duhet të gjente disa fjalë për besëtytnitë në të cilat besojnë më shumë shqiptarët, Rozana tha: “Nëse të thyhet pasqyra, mbetesh 7 vite pa martuar.” Meqë i erdhi në shteg, Luana nuk ia kurseu pyetjen Rozanës dhe kërkoi të dinte nëse asaj i ka ndodhur një gjë e tillë. Rozi u përgjigj me “po”, duke pranuar me shaka se prandaj ka mbetur pa u martuar.