-Ia paske frikën, ajo është më e zonja...

-Jo, se ia kam frikën, por e respektoj si më e madhe që është

-Më e madhe?

-Po, po 5 minuta...

E kush nuk e mban mend dialogun e famshëm të teto Ollgës, zonjës nga qyteti me binjaket e shokut Salë?! Pas Verës dhe Zanës, binjakët më të famshëm në Shqipëri janë Donald dhe Romeo Veshaj, ose siç i njohim për shkak të rolit tyre në ‘Al Pazar‘, Montela dhe Montana. Edhe ne, jo më kot, bëmë këtë renditje, sepse respektuam Donaldin, meqë është më i madh 5 minuta nga Romeo.

Teksa i shihje përballë, mund t’i dalloje me lehtësi nga njëri-tjetri, pasi nuk janë aq identikë sa duken në ekran: Donaldi është pak më i gjatë, më i mbushur dhe më i ëmbël në fytyrë, ndryshe nga Romeo i cili dukej më i egër dhe qëndronte më serioz. Gjëja më e bukur ishin shikimet që i hidhnin njëri-tjetrit, herë pas here teksa flsinin, shikime që vështirë t’i gjesh në një marrëdhënie tjetër, as në çift, madje as tek nëna me fëmijët... ndoshta janë karakteristikë vetëm tek binjakët, ose ose vetëm te Donaldi dhe Romeo.

Që në nisje të bisedës mund të vihej re ambicia që kanë për t’u bërë më të mirët, dashurinë e madhe për njëri-tjetrin, se sa të shenjtë e kanë familjen dhe mirënjohjen ndaj Agron Llakajt, ose siç ata e thërrasin, Goni. Pjesë e ‘Al Pazar‘ është bërë i pari Romeo, kur ishte vetëm 17 vjeç. Talentin për aktrim e kishte shfaqur që kur ishte i vogël. Çdo fund hartimi, në shkollën fillore, ai e mbyllte me frazën “unë mbaroj Akademinë e Arteve në Tiranë dhe bëhem një aktor shumë i famshëm“. Këtë të parën nuk e ka përfunduar ende, është në vit të parë për regjisurë. Për të dytën, mund ta themi se është në rrugën e duhur, e ndërsa Donaldi është artist në disa dimesione: vazhdon studimet për pikturë, i pëlqen shumë fotografia (këtë mund ta kuptoni në fotot e Romeos në Instagram, pasi shumica e tyre janë bërë nga ai), e ndërsa prej pesë sezonesh, është pjesë e kastit të aktorëve në ‘Al Pazar‘.

Ndonëse dëshira e Donaldit për të qenë pjesë e këtij spektakli humori në një bashkëpunim me vëllanë e tij, ekzistonte që në fillim, Romeo kishte hezituar për shkak të paragjykimeve të shoqërisë. Nuk donte që të tjerët të mendonin se ai kishte futur vëllanë në punë, pa meritë, por pas afro tre sezonesh i vetëm, propozimi erdhi nga vetë Goni. Pavarësisht emocioneve, Donaldi ia doli me sukses dhe u prit shumë mirë nga publiku. Suksesi vijoi puntatën e dytë, të tretën…derisa sa tani janë bërë të pandashëm, jo vetëm në jetë, por edhe në skenë.

Si u bëtë pjesë e Al Pazar? 

-Romeo: Unë kam dhënë një shfaqje me parodistët e Vlorës dhe ishte fati i keq i njërit prej tyre që mungonte pasi ishte operuar nga zemra dhe më morën mua. Ishte një shfaqje shumë e suksesshme, u dha për 21 net me radhë në Vlorë dhe në një prej këtyre netëve ishte dhe Goni (Agron Llakaj). Mesa duket Gonit i kisha pëlqyer, shkëmbyem numrat dhe bëra më pas audicionet. Goni më afroi shumë. Më dha krahë, pati besim tek unë. Unë bëra gati tre sezone i vetëm dhe më pas erdhi Donaldi, ishte një propozim i Gonit. Ai e ngacmonte herë pas herë Donaldin kur ishte në publik, madje gjithmonë njerëzit e pyesnin “kush je ti ai i publikut, apo ai që del në skenë”. Goni e nxirrte shpeshherë në skenë, pa ditur asgjë Donaldi, asnjëri.

-Donaldi: Ishin ato momentet e sikletshme, unë shkoja të shikoja shfaqjen, Goni më merrte gjithnjë nga publiku, e kisha me shumë siklet. Unë i thosha gjithmonë Romeos, pse nuk e provojmë diçka dyshe të dalim në skenë bashkë, Romeo më thoshte “jo se nuk dua të bëhemi mëndjemëdhenj”. Siç e kemi ne shqiptarët: mori vëllain në punë, jo po do marrësh dhe mamin dhe babin. Derisa në fund të sezonit, në janar, Goni i bën një propozim Romeos “pse nuk e merr dhe Donaldin dhe provoni të bëni diçka bashkë në skenë, si “i miri dhe i keqi”. Ju jeni binjak dhe është diçka e veçantë  që në Shqipëri nuk  ka ndodhur”. E provuam. Në fillim kisha pak emocione, por shkoi mirë. Madje më mirë nga çfarë e prisja.

-Romeo: Dalja e parë ishte goditëse…
-Donaldi: Po, goditi dalja e parë, dhe e dyta po ashtu…
-Romeo: Derisa tani nuk ndahemi dot. Jemi bërë si kërpudha me pemën, se kush është pema dhe se kush është kërpudha, nuk e ndajmë dot...
-Donaldi: Me radhë.

Për çfarë keni studiuar?
-Donaldi:Unë studioj në Universitetin e Arteve, diplomohem këtë vit. Vazhdoj për Pikturë, specialiteti fashion design. Nuk ka lidhje me aktrimin, apo televizionin…

Po të aktroni si keni mësuar?
-Donaldi: Nga mami. Na thoshte mami “do bëhesh aktorë të keqen mami”? (qesh)
-Romeo: Unë që i vogël kam imituar Gonin, personazhet që bënte ai dhe kur më mori Goni ishte si e pabesueshme. E kam pasur qejf që në klasë të parë, klasë të dytë, kur bëheshin ato hartimet me shkrim, në fund shkruaja “unë mbaroj Akademinë e Arteve në Tiranë (sepse në vijmë nga Vlora) dhe bëhem një aktor shumë i famshëm. Ëndrrat i ndoqa, kam punuar shumë, kam imituar shumë. Kam qenë gjithmonë ai djali “funny” i shoqërisë, i club-it, i plazhit, i shtëpisë…
-Donaldi: …i Parlamentit…
-Romeo: Po… (qesh)

Kush mësonte më shumë në shkollë?
-Donaldi: Të dy njësoj, ne na pëlqenin më shumë këto lëndët sociale, ndërsa lëndët ekzakte nuk i kishim qejf, fare, po fare ama. Ne jemi marrë shumë dhe me sport. Unë kam rreth 3 vite që kam lënë futbollin. Kam luajtur me Flamurtarin, me Himarën, rreth 6 muaj kam luajtur në Itali.
-Romeo: Unë nuk mendoj që të bën shkolla. Ti ke gjellën, shkolla është luga që të ndihmon për ta ngrënë. Unë jam në vit të parë për regji/teatër. E nisa këtë vit, me pak vonesë. Mendoj se është koha e duhur sepse jam gati i formuar në pjesën e skenës. Shkolla është thjesht një shtysë. Jep pak informacion nga ç’kam marrë unë. Unë praktikën e kam bërë. Kudo ndodh që në fillim bëhet teoria dhe më pas praktika, unë kam bërë të kundërtën.
-Donaldi: Unë kam pasur qejf gjithmonë të pikturojë…
-Romeo: Donaldi ka shumë qejf të pikturojë. Në një konkurs me mbi 300 persona, ai doli në vend të parë ose të dytë…
-Donaldi: Vendi i parë e mori paksa pa meritë, ndërsa unë mendoj që nuk duhet të jap para për të fituar, për një telent që ti e ke.

-Eksperienca të tjera në fushën e aktrimit përpara ‘Al Pazarit’?
-Romeo: Kam qenë në teatrin e Vlorës. Pastaj rodhën gjërat. Më tërhoqi Goni dhe më tha “këtu, sepse këtu duhet të jesh”. Aty ai më dha gjithë mbështetjen, ngrohtësinë, që unë të rritem në ‘Al Pazar’ dhe të marrë mbiemrin “Romeo i Al Pazarit".

Nuk dëshiron që të njihesh si Romeo Veshaj…disa nga aktorët e ‘Portokallisë’ janë larguar pikërisht për këtë arsye, që të mos identifikoheshin me rolin apo si ‘aktori i Portokallisë’?
-Romeo: Mua më pëlqen që ta mbaj këtë mbiemër sepse kam investuar shumë te ky show nga jeta ime profesionale. Më është dhënë shumë besim nga ana e drejtuesit, Gonit, dhe si i tillë, unë e kam për krenari që të quhem ‘Romeo i Al Pazarit’.

A jeni të ngjashëm në personalitet, aq sa jeni edhe në pamje?
-Romeo: Në pamje jemi të ngjashëm. Në ekran ngjajmë shumë për efekt të kameras, por varet edhe nga look-u…



Visheni njësoj?
-Romeo: Vishemi njësoj…edhe kur ishim të vegjël mami na i blinte rrobat njësoj…
-Donaldi: Tani nuk na i blen mami, por i blejmë vetë... Edhe kur jemi në një mbrëmje na pëlqen të vishemi njësoj. Ne ngjajmë,  fundja pse të mos ngjajmë akoma më shumë! Bën më shumë figurë, bie më shumë në sy.

Zakonisht binjakët s’duan që të duken njësoj, përpiqen të vishen ndryshe…
-Romeo: Ne duam të ngjajmë, e kemi përdorur këtë ngjashmëri në shumicën e rasteve në të gjitha fushat.
-Donaldi: Dhe na ka ndihmuar shumë. Ne jemi këtu ku jemi për shkak të ngjashmërisë sonë. S’kemi pse ta mohojmë. Nuk ka lidhje vetëm pjesa e profesionit. Ne ngjajmë dhe jemi shumë të lidhur me njëri-tjetrin. Ne nuk rrimë dot pa njëri-tjetrin. Maksimumi 1-2 orë mund të rrimë larg, po më shumë jo.
-Romeo: Ne kemi edhe vëllanë tjetër më të vogël që e duam më shumë, por pa njëri-tjetrin nuk rrimë dot.

Është e vërtetë që binjakët kanë parandjenja, kur janë larg njëri-tjetrit?
-Donaldi: Po është e vërtetë, madje parandjenja të frikshme. Një rast psh: unë isha në shtëpi dhe do flija gjumë, gjumin e drekës e kam shumë qejf, dhe Romeo më tha që do dilte. “Ku do dalësh?” i thashë. “Do takoj një vajzë”, më tha. Unë po flija gjumë dhe po shikoja në ëndërr atë që Romeo shihte, atë që po bënte. Kur u kthye në shtëpi i thashë “ke bërë këto dhe këto...”. “Jo, s’ka mundësi, më thoshte Romeo”. Domethënë, unë në ëndërr, isha Romeo. Ishte shumë e frikshme. Është diçka që nuk ndodh. Sikur ti nuk je në këtë botë fare…dhe nuk është i vetmi rast.

A ka ndodhur që të keni dashur të njëjtën vajzë?
-Donaldi: Mund të ketë rastisur që të pëlqejmë të njëjtën vajzë. Një vajzë që është e bukur, është e bukur, por të kemi dashur…jo absolutisht. Nuk jemi në telenovelë turke.
-Romeo: Të kemi dashur? Jo asnjëherë. Por për të pëlqyer të njëjtën vajzë, p.sh. në club po, madje dhe ia kemi thënë njëri-tjetrit.
-Donaldi: Ajo mund të na ketë dashur të dy. Ka thënë, "nuk kam njërin, okay po zgjedh tjetrin". Janë gjëra interesante, që nuk ndodhin tek njerëzit e tjerë.



Jeni ndërruar me njëri-tjetrin?
-Donaldi: Është gjëja më normale që bëjmë. Psh. në bankë kur tërheqim lekët, shpesh shkoj unë dhe marrë lekët e Romeos, Romeo lekët e mia.
-Romeo: Më ka ndodhur një herë që isha në bankë, kur shkova të merrja lekët e Donaldit, kur vjen mandati i pagesës për të firmosur, në vend që të shkruaja Donald, nisa të bëja “R”. Arkëtarja më pa në sy dhe qeshi...

Ekziston konkurrenca mes jush: kush është më i miri në aktrim, kush është më i bukur…?
-Donaldi: Ne nuk kemi konkurrencë se kush është më i miri, sepse e dimë se kush është, ai jam unë… (qesh)
-Romeo: Konkurrencë mes njëri-tjetrit, jo. Madje mua më bëhet qejfi, kur qeshin më shumë me Donaldin sesa me mua, e shijoj më shumë. Pastaj për pjesën përtej profesionit, nuk e kemi këtë konkurrencë sepse mundohemi që të jemi njësoj.
-Donaldi: Nuk e kemi aspak këtë konkurrencën dhe jo se po e them për intervistë, por e kemi 0% konkurrencën mes njëri-tjetrit.

Një anë të mirë të të pasurit një vëlla binjak?
-Donaldi: Nuk është vetëm një, janë një milion, sepse në të gjitha gjërat që bën ti, mendon për dy, je shumë i plotësuar. Nëse unë flas dhe nuk më mbështet askush, kam vëllanë që më mbështet, ke shumë benefite, nuk je vetëm.



A mund të keni thënë ndonjëherë: jo, nuk do doja të kisha një vëlla binjak?
-Donaldi: Joo, asnjëherë, larg qoftë…
-Romeo: Jo, asnjëherë…
-Donaldi: Unë them faleminderit Zot që më bëre një vëlla binjak.
-Romeo: Kemi dashur shumë që të arrijmë në këtë pikë që jemi tani, të dy bashkë dhe mendojmë që po të mos kishim njëri-tjetrin nuk do kishim arritur kurrë këtë që kemi sot.
-Donaldi: Ne i vëmë vetes qëllime dhe pak a shumë i kemi arritur të gjitha ato që kemi kërkuar.
-Romeo: Ne edhe kur dalim, vishemi njësoj sepse jemi binjakë. Ndoshta në të ardhmen do të hapim një kompani do ia vëmë emrin “binjakët“…
-Donaldi: Është diçka shumë e veçantë…

Cili është reagimi që bëjnë njerëzit kur ju shohin bashkë për herë të parë?
-Donaldi: Varet nga njerëzit…
-Romeo: Na bëjnë gjithnjë atë pyetjen: kush je ti “i miri apo i keqi”?

Po ndonjë rast, kur ju kanë ngatërruar, psh: t’ju thonë fola me ty para pak ditësh, por të kenë folur me vëllanë?
-Donaldi: Po na ndodhin ditë për ditë, kemi ngatërresa shumë.
-Romeo: E dimë që na ngatërrojnë dhe ua mbajmë lojën…
-Donaldi: Ka dhe nga ata që e kuptojnë dhe na thonë “apo kam folur me vëllain?”.

Një tipar të vëllait që do doje ta kishe ti?
-Donaldi: Të isha ndonjëherë aq “budalla” sa Romeo. (qesh)
-Romeo: Unë s’do doja të isha aq i qetë…

Një tipar që nuk të pëlqen?
-Romeo: Është shumë gjaknxehtë, s’do doja të isha.
-Donaldi: E njëjta gjë.

Cila është marrëdhënia juaj me Agron Llakajn?
-Romeo: Goni është njeriu që ia dedikoj të gjithë arritjen time profesionale, sepse është njeriu që më dha mundësinë. Ndonjëherë njerëzit janë shumë mosmirënjohës, por unë jo. Unë i jam mirënjohës Agron Llakajt për të gjithë pjesën time profesionale sepse është ai që më solli këtu ku jam sot. Unë i them “babai i dytë”. Nëse babai më ka mësuar të ecë, Goni më mësoi të ecë në skenë. Unë pata gjithë investimin e Gonit. Ai është munduar shumë me mua dhe po mundohem që t’ia shpërblej dita-ditës këtë investim. Pa atë s’do ishim këtu.
-Donaldi: Goni nuk është për ne vetëm “shefi”, ne e kemi si shok, ka një marrëdhënie me ne që nuk e shikon në punët e tjera. Është një njeri që ta imponon punën në një mënyrë shumë të mirë. Nuk të thotë “puno se unë jam shefi dhe ti punëtori” siç ndodh shpesh. Goni nuk e ka bërë këtë, prandaj ne jemi shumë mirë këtu ku jemi.

Për çfarë arsyesh mund të largoheshit nga ‘Al Pazar”?
-Romeo: E vetmja gjë që ne të largoheshim nga ‘Al Pazar’ është që ai të mbyllet, që kjo nuk ndodh. S’kemi arsye pse të largohemi.

Mendoni që të qëndroni vetëm tek humori, apo të lëvroni dhe në zhanerat e tjerë të aktrimit?
-Donaldi: Mua më pëlqen humori, por jetës nuk i dihet. Kohët ndryshojnë, njeriu po ashtu dhe nuk i dihet asnjëherë se çfarë të sjellë jeta.
-Romeo: Do doja t’ia dedikoja jetën humorit, sepse mendoj që nëse je një humorist i mirë, mund të jesh një show man i mirë dhe në gjithçka tjetër. Humorin e lë në majë të piramidës.

Cili është aktori më i mirë i humorit për ju, jo domosdoshmërisht në ‘Al Pazar’?
-Romeo: Përveç Gonit, nuk mendoj se mund t’i jap kupën dikujt. Unë jam më shumë për “bukën e vjetër”, psh. Xhevair Zeneli, i ka batutat shumë fine. Behar Mera më pëlqen shumë.
-Donaldi: Visjan Ukcenaj. Visjani më pëlqen, por edhe Jul Deda, Albano Bogdo.