Me lajmet e Stresit, jo vetëm ato të projekteve të reja muzikore, por sidomos ato të shkeljes së rregullave, ne të gjithë jemi mësuar. Sapo publikon një këngë të re, jep një koncert apo bën një udhëtim, Stresi “vdes” të thyejë rregullat. Nuk e bën për të tërhequr vëmendjen, por sepse ai tashmë ashtu është mësuar të jetë. Kështu ka qenë që nga fillimi, një fëmijë me energji të jashtëzakonshme, hiperaktiv dhe, mbi të gjitha, origjinal. Këtë Stresi e ka treguar vetë gjithmonë, por sot ishte e ëma ajo që e konfirmoi këtë.
Shpresa Lushaj ishte sot për herë të parë me të birin në studion e “Rudina”. Stresi e la mënjanë profilin ‘bad boy’, ashtu siç i pëlqen ta quajë veten. Sot, së bashku me të ëmën, ai zbuloi një profil tjetër të vetes - atë që ai është në të vërtetë.
Megjithatë, gjatë këtyre viteve nuk ka qenë aq e thjeshtë. Ka qenë gjithmonë stres për familjen, që në vogëli, sepse ishte një fëmijë i prapë qysh i vogël, i shkathët dhe shumë aktiv: “Hiperaktiviteti i tij të linte gjithmonë në korent, në stres, ikte nga orët e mësimit, isha gjithmonë në ankth për vonesat. Ose edhe kur filloi të rritet… vetëm stres më ka sjellë”, – tregon e ëma.
Që atëherë, Shpresa tregon se vuante nga meraku për Kedin, siç e thërret ajo. Kjo është edhe arsyeja pse vite më vonë, Stresi ia vuri kështu emrin vetes. E dinte mirë se ishte stresi i familjes, por edhe i pëlqente ky profil i djalit të prapë… si edhe sot. Jo djalit të keq.
Duke rrëfyer për peripecitë që kanë kaluar në internim, koha kur lindi Stresi, shton më tej Shpresa, ishte bekim për familjen Lushaj. “Lindja e Stesit erdhi në një moment jo të këndshëm të jetës. Ishte viti 1987, ne ishin të internuar në Vlorë, për mendime për t’u arratisur, siç ishte koha atëherë. Stresi ka një diferencë të madhe me fëmijët e mëdhenj, gati 10-vjeçare, por ishte bekim për ne. Ishte një fëmijë i bukur, i shëndetshëm.”
Mori emrin Arkimed, ashtu si emri i Arkimedit të madh, për të cilin vite më vonë do të lexonte shumë për t’u ndier, ndoshta, po njëlloj krenar si ai.
Por nuk ka hequr dorë nga djali i prapë. Edhe sot, me muzikën e tij, nuk e fshin profilin e 'bad boy’, vetëm se, pjekuria e ka bërë të jetë më i matur dhe më i kujdesshëm për të mos u shkaktuar më stres familjarëve.
Shpresa, duke rrëfyer disa nga streset e Stresit, kujton një prej atyre kur ajo vërtet ka qenë zemërngrirë – arratisja nga rajoni i policisë, më shumë se tre vjet më parë. Siç tregon ajo, lajmet i mori vesh nga mediat e portalet. E para gjë që mendoi ishte që djali të mos ishte dëmtuar e të mos kishte thyer ndonjë krahë apo këmbë nga e gjithë ajo lartësi: “E kam përjetuar shumë keq të gjithë atë situatë. Lajmet në media, komentet mbrapa, reagimet më shqetësojnë gjithmonë, ato komentet poshtë. Ai moment për mua ishte i frikshëm. E mësova nga lajmet në media dhe mendoja që ky binte nga një lartësi… Çdo nënë mendon ishalla është mirë…”,– tregon Shpresa kur mësoi për arratinë e Stresit.
Reperi ishte në koncert me Fjolla Morinën dhe i kishte premtuar së ëmës se me avionin e parë do të ishte në shtëpi. Po nuk ndodhi ashtu…
Sot, kanë kaluar disa vite. Stresi është më i pjekur. Është bërë më i përgjegjshëm, është në prag të gjërave më të mira dhe më të bukura në jetë. Është në prag të një jetë të re, pa lidhje me policinë, me ligjet, me drejtësinë…