Kur një vajzë shqiptare mbi 25 vjeç është single është “problem” i madh për shoqërinë, familjen dhe fisin. Të gjithë ne, kemi në fisin tonë një vajzë beqare mbi 25 vjeç, që për arsye të ndryshme për momentin është vetëm, dhe nuk ka asgjë të keqe. Dikush nuk e ka gjetur ende princin e kaltër, një tjetër po mendon fillimisht për karrierën, një tjetër nuk pëlqen djemtë që e rrethojnë.

Pra për arsye nga më të ndryshmet një vajzë edhe mbi 25 vjeçe zgjedh të jetë vetëm. Ka edhe nga ato vajza që e “vuajnë” faktin që nuk kanë gjetur ende një partner. Dhe sikur të mos mjaftonte mërzitja që mund t’i shkaktojë kjo gjë, këto vajza përballen edhe me fjalët e njerëzve, që sapo i takojnë ua kujtojnë faktin se duhet të martohen. Dhe jo vetëm kaq. Nëse ti je një vajzë mbi 25 vjeç dhe single në Shqipëri (që nuk ka asgjë të keqe), me siguri dëgjon gjithmonë këto fjalë nga njerëzit që të rrethojnë.

1-Kemi ndonjë të re nga ti?

Në çdo festë familjare, ku mblidheni me kushërinjtë tuaj të gjithë ju pyesin se a ka ndonjë të re? Të rejat duhet të jenë patjetër nga fusha e dashurisë, se nuk po ju pyesin për punën për shembull.

2-Kur do hamë llokumin nga ti?

Ka edhe nga ata njerëz që ju rrethojnë që janë dyshues për statusin tuaj, dhe mendojnë se e keni gjetur partnerin por ju nuk tregoni. Prandaj ata ju pyesin se kur do e hanë llokumin e fejesës. Ju nga ana tjetër jeni të lumtur single.

3-Akoma nuk e ke gjetur?

Këta që drejtojnë këtë pyetje janë të çuditurit e fisit, që pasi ta thonë këtë gjë shtojnë dhe pjesën tjetër “Po je dhe gjithë kjo goc mi, si ka mundësi që nuk e ke gjetur ende?”.

4-Je ndarë së fundmi, edhe të ka lënduar dikush?

Ka edhe nga ata që shkojnë më tutje, duke të “qarë hallin”, që mund të jesh duke vuajtur nga një histori e kaluar prandaj nuk po gjen një tjetër.

5-Kam unë një shok për ty

Dhe në fund vijmë tek ata që të japin “zgjidhjen”. Në sytë e tyre ti je e paaftë për të gjetur dikë vetë, dhe ata të japin alternativa miqsh, që ti t’i zgjedhësh si me katalog.

Për vajzat beqare ndonjëherë mbledhjet me fisin, apo me shoqe që ke vite pa i takuar mund të jenë të bezdisshme, por kështu ndodh…