Ishte vetëm 19 vjeç kur vendosi të niste një rrugëtim aventuresk në jetën e saj, i cili, sido që shkoi, mjaftoi për t’i ndryshuar jetën. Sot, pas më shumë se 6-vjetësh, Genta Gjalpi vazhdon të jetë në qendër të vëmendjes me gjërat që bën. Megjithëse e fitoi shpejt famën nga shtëpia e famshme, pasi doli, zgjodhi të mos e mbante të ndezur vëmendjen e publikut. Në fillim u duk se e joshte ideja e të qenit gjithmonë në qendër të vëmendjes, por më vonë, kjo situatë nisi të zbehej, ndaj edhe Genta preferoi të tërhiqej nga vëmendje që të jep ekrani.
Por nuk u tërhoq nga gjërat që kishte dhe ka dëshirë të bëjë për veten. Me natyrën tërësisht të sinqertë dhe pa e fshehur veten para asgjëje, Genta, si brenda edhe jashtë shtëpisë së Big Brother, e ruajti profilin e vet, por nuk e fshehu as origjinën, as jetën që bënte dhe as vendin nga vinte.
Nuk e pati të lehtë të luftonte një mentalitet të gurtë shqiptar, i cili, para se të të vlerësojë për atë që je e bën, të paragjykon pikërisht me “armët më të forta”, nga je, kush je dhe ku ke ndër mend të shkosh…
Me një pamje krejt të re, më e pjekur dhe më e matur, Genta ka fituar më shumë siguri e përvojë falë këtyre viteve sprovë të jetës që, natyrisht, erdhën edhe pas pjesëmarrjes në Big Brother.
E ftuar në “Rudina” pasditen e sotme, Genta rrëfeu si e sheh veten pas 6-7-vjetësh nga ai reality show, por ndan me publikun edhe jetën e saj të re në Tiranë: “Isha e vogël, vetëm 19 vjeç dhe mendoja se mund të bëja gjithçka. U bënë rreth 6-7 vite nga koha kur kam qenë në realit show dhe mund të them se ajo eksperiencë më ka ndryshuar jetën”, – rrëfen Genta.
Por fama ka edhe kosot e veta, një prej të cilave është edhe vëmendja publike, shpeshherë jo për mirë. Genta, megjithëse i është larguar ekranit, nuk ka mundur t’u largohet komenteve negative të rrjeteve sociale sa herë poston foto provokuese. Nuk ka dëshirë të ketë jetë publike, por nuk i ka shpëtuar dot: “Jam tërhequr nga jeta publike, sepse nuk jam ndjerë rehat” – shton ish-baorja e Big Brother më tej duke shprehur keqardhjen për të gjitha komentet që shkojnë në adresë të saj: “Shumica e komenteve, për mua janë negative dhe nuk arrij ta shpjegoj nga vjen kjo… Lakohem shumë dhe më vjen habi sepse ata që komentojnë “çfarë është kjo, nga vjen kjo” janë ata që merren më shumë me mua. Ndoshta jam ndër njerëzit që jam lënduar më shumë, edhe nga vij, ‘kush është kjo’”, – tha Genta.
Aktualisht, ish-banorja e Big Brother jeton dhe punon në Tiranë në një kompani private në departamentin e marketingut: “Aktualisht merrem me diçka që nuk ka lidhje me televizionin, kam dashur vetë të tërhiqem, sepse nuk kam dashur të jem publike.”