“Shtëpia” e jahteve, siç njihet ndryshe Saranda, ka pritur sot edhe një jaht tjetër – aspak të zakonshëm. Katara, një prej jahteve më luksoze në të gjithë botën, ka mbërritur edhe në ujërat shqiptare. Me siguri, ju që po i kaloni andej pushimet, e keni parë, por nuk e dini akoma se ç’do të thotë të kalosh një natë këtu. Ufff, një orë më mirë.
Lajmin që Emiri i Katarit, Hamad Bin Khalifa Al Thani, ka mbërritur paraditen e sotme në portin e Sarandës e ka bërë publik deputeti socialist, Alket Hyseni, i cili ka publikuar edhe disa fotografi të jahtit dhe makinave që presin Babain e Emirit në port: “Mbërrin në Portin e Sarandës yachti Katara, pronë e Emirit të Katarit. Sot, Saranda mirëpret një mysafir të çmuar, babain e Emirit të Katarit, (ish-Emirin) Shkëlqesinë e Tij, Hamad Bin Khalifa Al Thani, i cili do të vizitojë rivierën shiptare, si dhe Durrësin gjatë qëndrimit në Shqipëri”,- shkruan Hyseni në profilin e tij zyrtar.
Por a e dini se sa kushton luksi në një jaht si ky?
Katara është një prej 14 jahteve më të mëdhenj në botë me një gjatësi prej 124 metër. Vlera e tij shkon deri rreth 300 mijë dollarë, me ambiente të brendshme luksoze dhe varka të ndara në çdo rast udhëtimi individual në bregdet. Jahti është ndërtuar nga Lurssen për Emirin e Katarit, në vitin 2010. Dizajni është krijuar nga Espen Oeino, ndërsa interior design nga Alberto Pinto.
Katara Interior
Në fakt, për interierin në Katara, nuk dihet shumë, përveç pak fotove që janë bërë publike, por janë të dukshme të gjitha orenditë luksoze. Katara ka një tonazh prej 7922 ton. Katara ka gjithashtu edhe barka të vogla 24 metër, Katara II, të krijuara nga Baia Yachts. Jahti Katara nuk përdoret si charter.
Në vitin 2016, në Katara ra një zjarr në dhomën e motorit, i cili u shua brenda 15 minutave ndërsa anija luksoze po i afrohej portit të Malit të Zi. Më vonë, Katara u dërgua te Lurssen, në Hamburg, për riparim.
Sheiku Hamad bin Khalifa
Jahti luksoz është në pronësi të sheikut Emiri i Katarit, që nga viti 2010. Sheiku Hamad u bë Emir në 1995 dhe njihet si një ndër njerëzit më të pasur në Arabi dhe në të gjithë botën. Mendohet se pasuria e tij shkon deri në 2.5 miliardë dollarë.