Çdo gjë nisi nga kopertina e Revistës Class.
Një intervistë e znj. Afërdita Rrumbullaku dhe e së bijës Erës do t’i ndryshonte jetën një prej gazetarëve të redaksisë së Revistës Class. Në fakt intervistën nuk e realizoi ai, por kolegia e tij. Petro Kosho është një djalë plot ëndrra dhe ambicie për jetën. Të gjithë ne mund të kemi qëllime në jetë, por monotonia e jetës së përditshme na bën ndonjëherë t’i lëmë në harresë këto objektiva. Petro nuk është i tillë. Ai punon njëkohësisht për shumë qëllime në jetë. Puna që ai bën tani nisi si një shaka me kolegen e tij siç e thamë në krye të artikullit. Pasi lexoi intervistën e znj. Afërdita Rrumbullakut, themeluses të së vetmes agjensi punësimi në profilin e saj, Kouzon, Petro nisi ta mendonte seriozisht këtë aventurë të re në jetën e tij.
Edhe pse bënte dy punë shumë të mira dhe premtuese për të ardhmen, Petros çdo ditë e më shumë po i pëlqente ideja që të punonte në kroçerë. Kosho është nga ata djemë që punon fort dhe ka mbaruar gazetari në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë në Tiranë. Synoi shumë që të arrinte të punonte me regjisoren më të famshme që ka Shqipëria, Vera Grabockën.
Mësoi shumë prej saj dhe në moshë të re kishte privilegjin të punonte pranë Grabockës, pasi për dy sezone Petro ishte skenarist në emisionin “Dance With Me” dhe në “Në Kurthin e Piter Pan”. Puna dhe ambicia e Petros nuk mbaronin këtu, pasi Kosho punonte gjithashtu edhe në Revistën Class si gazetar. Siç e thekson edhe ai vetë, Vera Grabocka dhe Alketa Vejsiu kanë qenë dy mentore të rëndësishme në jetën e tij. Mirëpo, Petro ka zgjedhur që të dalë paksa nga zona e rehatisë që kishte krijuar në Tiranë dhe të lundrojë në det. Marrëdhënien me detin nuk e kishte shumë të mirë, por bëri kurs noti intensiv përpara se të nisej për në Miami, Bahamas, ishujt Karaibe. Po, po këto janë disa nga vendet që viziton Petro dhe me siguri i kanë “ardhur në majë të hundës”. Jeta në anije ndoshta nuk është e lehtë, por për një djalë si Petro që komunikimin me njerëzit e kishte pikë të fortë me siguri nuk ka probleme të kuptohet edhe me njerëz të 50 kombësive të ndryshme.
Vendimi për t’u larguar nuk qe i lehtë duke qenë se Petro është djalë i vetëm, por ai e bindi familjen se atje do t’ia dilte dhe madje do t’i ndihmonte edhe ata financiarisht. Petro është nga ata djemë që gjithmonë ka kontribuar në familje dhe çdo gjë e ka bërë duke menduar për mamanë, babain dhe motrën. Nuk është sakrificë e vogël të shkosh në fund të botës, por me siguri Petro për post punës po argëtohet. Nuk ka fatin çdokush për të parë vendet që ka vizituar Petro. Kontrata e tij është deri në janar, por Kosho nuk do të ndalet me kaq duke qenë se edhe është ngritur në detyrë. Në fillim punonte si entertainer (puna e tij konsistonte tek festat dhe ai duhej të bënte çdo organizim që njerëzit të kënaqeshin në anije).
Mirëpo tani falë punës së tij korrekte dhe me shumë zell, Petro ia ka dalë që të bëhet menaxher në bord. Një përgjegjësi e re i është besuar vetëm në kaq pak muaj punë. Petro është larguar nga Shqipëria në kroçerë në qershor dhe mbase kthehet në janar, por me kaq risi në anije, me siguri “kapiten” Petro do të vazhdojë qëndrimin e tij në bord. Deti dhe e panjohura po e tërheqin më shumë atë...
Si lindi ideja për të punuar në kroçera?
-Në fakt e gjitha filloi si një shaka mes meje dhe nje kolegeje të punës e cila pak ditë më parë kishte intervistuar znj. Afërdita Rrumbullaku, sipërmarrësen e procesit të rekrutimit të punësimeve në krocera. Si për këdo tjetër, besoj, ideja e të udhëtuarit ndërkohë që punon është shumë tërheqëse, aq më shumë kur bëhet fjalë për të fituar të ardhura shumë më të mira krahasuar me ato që një i ri mund të sigurojë në Shqipëri. Mendoj që Shqipëria është një vend që mund të të sigurojë një vend pune nëse kërkon për të dhe i përkushtohesh një profesioni, por ajo që i mungon tregut në vend është vlerësimi i drejtë ndaj të rinjve në tregun e punës si edhe pagesat, të cilat nuk arrijnë të të japin pavarësi ekonomike. Duke u nisur nga kjo pikëpamje, ideja e të punuarit një ambient ndërkombëtar dhe me shumë mundësi rritjeje ishte ajo që më shtyu të bëja aplikimin për të.
Mendoje se do të pranoheshe apo thjesht provove fatin?
-Mendoja se do të pranohesha. Sigurisht gjatë gjithë procesit kisha pasiguritë e mia të cilat shpesh më bënin të rimendoja dhe rikonsideroja vendimin që kisha marrë. Kjo vinte sidomos nga fakti që në atë kohë isha duke punuar në dy pozicione shumë të mira të cilat i përgjigjeshin drejtpërdrejt studimeve të mia të larta. Unë kam studiuar për gazetari dhe pata fatin të punoja në një nga revistat më prestigjoze lifestyle në vend si dhe në televizionin më të ndjekur në vend. Kam punuar me lidera në fushën e tyre respektive për një kohë jo të shkurtër dhe për këtë jam shumë mirënjohës. Unë kam pasur privilegjin e madh në jetë të punoj për dy sezone në Tv Klan me Vera Grabockën dhe Alketa Vejsiun. Kam mësuar aq shumë prej tyre dhe ju jam mirënjohës për mundësinë që më kanë dhënë. Do të mbeten gjithmonë dy mentore të rëndësishme të jetës sime. Mirëpo, çdokush duhet të mendojë dhe të guxojë të shkojë jashtë zonës së tij të konfortit. Unë këtë bëra dhe them se ia arrita.
Kur të pranuan, si u ndjeve?
-Ishte një ndjenjë fantastike. E ardhmja më dukej më e qartë. Kisha edhe pasiguri në vete sepse po i hidhesha një tregu ndërkombëtar të cilin nuk e njihja fare. E dija që do kisha shumë sfida përpara. Kur them sfida e kam fjalën edhe për ato më të thjeshtat si të mësosh të lash dhe hekurosësh rrobat e tua, gjë që nuk e kisha bërë më parë duke qenë se jetoja me prindërit. Dhe më pas sfidat e mëdha si të mësuarit për të qenë mendjehapur sepse do të ishe pjesë e një ambienti i cili përbëhej nga persona që përfaqësonin më shumë se 50 kombësi të ndryshme. Çdo mur paragjykimi duhet të binte dhe duhet të isha i hapur për tu bërë një qytetar i botës.
Si e priti familja jote vendimin për të shkuar në “fund të botës?”
-Në fillim nuk ishte e lehtë. Familja ishte pak skeptike për këtë hap të madh që po ndërmerrja pasi unë nuk isha një i ri pa të ardhme në vendin tim. Përkundrazi, e ardhmja dukej mjaft premtuese. Mirëpo, siç e thashë edhe më sipër, njeriu duhet të dalë jashtë zonës së rehatisë që të mund të kuptojë më mirë veten dhe të mund të zhvillohet. Siç e theksova më lart, Alketa Vejsiu ka qenë një mentore e rëndësishme në jetën time dhe mbaj mend që një ditë më ka thënë: “Njeriu që nuk lëviz dhe nuk kërkon më shumë nga vetja është si uji i ndenjur.” Nuk mendoj se mund ta shpjegoj më bukur sesa ajo e tha.
A je penduar?
-Absolutisht jo. Mendoj që askush nuk duhet të pendohet nga vendimet që merr. Në të gjitha rastet, janë pikërisht këto vendime që ose na nxjerrin në dritë, ose na bëjnë të mësojmë nëse ato kthehen në gabime.
Tani që je atje, a je zhgënjyer apo ishte çdo gjë siç e prisje?
-Ka gjëra që i kanë kaluar pritshmëritë, ashtu siç ka edhe gjëra që nuk janë ashtu siç i prisja. Por kjo ndodh në të gjitha eksperiencat e reja që njeriu ndërmerr. Shumica e gjërave që po kaloj në bord të anijes i kalojnë pritshmëritë që kisha. Jam duke udhëtuar dhe po shikoj disa vende që ndoshta nuk do të kisha asnjëherë mundësinë t’i shikoja. Jam pjesë e departamentit të argëtimit gjë që e kthen punën në argëtim më vete. Po mundohem ta shikoj në maksimum këtë eksperiencë shumë të veçantë që jeta më solli përpara.
Si arrite të ngriheshe në detyrë?
-Të them të vërtetën nuk ishte një gjë që unë e kisha menduar apo po mundohesha ta realizoja. Mendoj që isha në vendin e duhur në kohën e duhur. Historia është shumë e bukur. Kisha vetëm 2 muaj që po punoja në anije. Një mëngjes, menaxheri im më telefonon dhe më kërkon që të shkoja bashkë me të në zyrën e drejtorit të krocerës. Fillimisht u trëmba, mendova mos kisha bërë ndonjë gjë gabim pasi nuk kishte arsye tjetër përse ai do më kërkonte mua në zyrë. Mirëpo aty po më priste një lajm i cili do të ndryshonte tërësisht angazhimin tim në këtë kompani. Sigurisht që pozicioni i ri më vuri mbi shpatulla shumë më shumë përgjegjësi nga sa kisha më parë mirëpo po mundohem të marr më të mirën nga jeta menaxheriale në bord.
Mendon ta rinovosh sërish kontratën apo ishte një eksperiencë e bukur dhe kaq?
-Mendoj se do e rinovoj sërisht. Është një eksperiencë shumë e bukur dhe fitimprurëse e cila nëse shfrytëzohet siç duhet mund të të hapë shumë rrugë të tjera zhvillimi.
A është fitimprurëse kjo punë për ty?
-Absolutisht në shumë drejtime. Kjo është një eksperiencë ndërkombëtare nga cila përfiton shumë dhe që çdokujt do t’i hynte në punë. Është një eksperiencë që të rrit personalisht dhe profesinalisht, të bën të fitosh pavarësi dhe të mësosh të përballesh me çdo gjë që jeta të sjell përpara.
Do ua rekomandoje edhe të rinjve të tjerë shqiptarë?
-Ajo që kam kuptuar këto muaj është se jo çdokush mund ta përballoje jetën në anije. Kjo jetë nuk ngjason aspak me jetën normale që të gjithë kemi në qytetet tona. Familja jote në anije janë punonjësit e tjerë. Por definitivisht është një jetë që duhet provuar nëse të pëlqen të udhëtosh dhe të eksplorosh. Është një mundësi e artë për të njohur botën dhe veten.
Na mungon Petro!