Unë e doja shumë atë. Kishim kaluar shumë gjëra bashkë pasi në 7 vite jeta ime rrotullohej rreth atij. U njohëm shumë të rinjë dhe u rrita me të. Mirëpo, erdhi një moment kur i kërkova t'i bënim gjërat serioze dhe ai hezitoi. Nuk ishte gati të takonte familjen time dhe as nuk dëshironte që unë të takoja prindërit e tij. Kjo gjë më vrau shumë pasi më bëri të mendoja se mos lidhja jonë nuk ishte e rëndësishme për të. Fundja ne kishim 7 vite bashkë, çfarë duhet të prisnim më? Fillimisht i kërkova me shumë qetësi që të njiheshim me familjet përkatese, por ai kundërshtoi në mënyrë kategorike.

Unë e vura para kushtit: me mua dhe ta zyrtarizonim lidhjen, ose do të ndaheshim. Sigurisht që këtë kusht e vendosa me idenë se ai do të detyrohej ta bënim lidhjen serioze, mirëpo ai zgjodhi të ndahej nga unë. E gjithë bota mu duk sikur u shemb mbi mua. 7 vite me mua i hodhi tutje pa u menduar asnjë sekond më shumë. Unë nuk reagova, edhe pse për 3 muaj mendoj se kalova në depresion. Nuk ishte e lehtë që të mësohesha me jetën e re pa të. Mirëpo, ia dola. Do të thoni ju si? Më poshtë do të lexoni disa këshilla se si ta mblidhni veten pas një ndarje edhe kur ju lënë atëherë kur mendonit se do të martoheshit me të:

E fshiva kudo

Pas çdo ndarje të vogël që kishim, unë ia lija një shteg që ai të më shkruante diku. Kësaj radhe veprova ndyshe. I bëra block në çdo rrjet social të mundshëm, ndërrova numër dhe çdo gjë në mënyrë që ai të mos më shkruante më, edhe pse dyshoj se ka tentuar ndonjëherë.

Udhëtime

Pas ndarjes, kisha harruar si është të jesh sërish beqare sepse çdo ditë pushimi që kisha largohesha me të diku. Tashmë gjërat ndryshuan dhe fillova të organizoja udhëtime me shoqet e mia beqare që nuk kishin një të dashur përreth që unë të ndihesha keq. Udhëtimet më bënë që ta harroja paksa.

Fillova të qeshja sa herë që hapej kjo temë

Është e pashmangshme që të mos flasësh më pas ndarjes për një histori dashurie 7-vjeçare. Mirëpo, fillova ta merrja me sportivitet sa herë që njerëzit më pyesnin për të. Nuk kisha më një peng për pyetjen "Kur do ta njohim të dashurin tënd", pasi tani përgjigjia ishte e prerë "Atë që iku, asnjëherë".

I gjithë problemi i vajzave është në mendjen e tyre. Nëse ti arrin që ta nxjerrësh nga mendja një djalë që të ka lënë ose lënduar, nga zemra e nxjerr lehtësisht. Mirëpo, kjo gjë nuk është e lehtë dhe secila vajzë e përjeton në mënyrën e saj ndarjen. Ajo çfarë duhet të merrni ndoshta shembull nga historia ime është se unë nuk mbeta në vend numëro kur ai më la.

Fatmirësisht njoha një djalë tjetër që mund të them me plot bindje se ma ka ndryshuar jetën. Kemi më shumë se një vit bashkë dhe është i gatshëm të takojë familjen time, edhe pse unë hezitoj paksa. Kam frikë se mos nxitohem nga historia që kalova. Mirëpo, një ditë u binda dhe i takuam familjet. Në verë do të martohemi dhe ai nuk më ka pyetur kurrë për historinë time të shkuar. I intereson e tashmja dhe ardhmja bashkë. Në fakt as unë nuk dua ta kujtoj të kaluarën.

P.S Për të gjitha ju vajza që e lexuat historinë time, dua t'ju tregoj dhe një detaj. Rastësisht mikesha ime e ngushtë e takoi ish-in tim në plazh dhe i penduar i kishte kërkuar të më thoshte se dëshironte të rikthehej me mua.

Ah sa vonë je kujtuar. Mbase të ftoj në dasmën time...(Shaka, as nuk dua ta shoh më atë njeri, tani mendoj me vete, ndoshta më mirë që prindërit tanë nuk u takuan asnjëherë).