Atëherë, kur si një ndër gazetaret e reja të TVSH-së, regjistronte dhe përkthente edicionet e lajmeve të Euronews në italisht, frengjisht, apo anglisht, për t’i trasmetuar më pas tek publiku, Ilva Tare as në dëshirat e saj më të fshehta nuk mund ta formulonte dot idenë se një ditë do të mund të ishte edhe ajo pjesë e stafit të këtij gjigandi mediatik.

Asokohe kishte vetëm një qëllim: t’u “gllabëronte” ç’të mundte mjeshtrave të Euronews, në mënyrën si ata raportonin lajmin, faktet dhe këndvështrimet e tyre, me një profesionalizëm që shumë shpejt, si një vajzë e mençur e pasionante pas gazetarisë së vërtetë e të mirë, do ta bënte të sajin. E bëri, si të bëhej gati pikërisht për këtë ditë: që të jetë pjesë e ekipit të Euronews.

Atëherë s’mund të ishte as thjesht një ide, ndërsa vite me pas nisi të marrë trajtat e një dëshire që sot është bërë një realitet i padiskutueshëm para syve të saj. Ishte e pranishme atje, në selinë qëndrore në Lyon të Francës, kur “Euronews” dhe grupi “IN Media” firmosën partneritetin e tyre për hapjen e Euronews Albania, si franchise për herë të parë në Shqipëri dhe gjithë trevat shqipfolëse. Do të jetë në krye të këtij investimi të ri e të madh mediatik. Si? Na e zbulon vetë ajo, në këtë bashkëbisedim, që nis pikërisht me '97-ën kur nisi të njohë nga afër atë që sot do të jetë angazhimi, stresi dhe gëzimi i saj i përditshëm.

Ilva, tashmë shtëpia juaj e re mediatike ka një tjetër emër, quhet "Euronews Albania".

Interesante që e quani shtëpi mediatike prestigjiozin informativ me famë ndërkombëtare Euronews, pasi në të vërtetë ka qenë i pranishëm në shtëpinë dhe punën time dhe të të gjithë shqiptarëve që në vitin 1997, kur raportimet e kolegëve perëndimorë na informonin për gjendjen e vërtetë ku ishte zhytur vendi. Më kujtohet kur unë së bashku me disa gazetarë të rinj (në atë kohë) në TVSH regjistronim edicionet e lajmeve të Euronews në italisht, frëngjisht, apo anglisht dhe i përkthenim. Në një farë mënyre unë kam mësuar se si raportohej me profesionalizëm dhe se si bëhej paraqitja e fakteve dhe e të gjitha këndvështrimeve, duke fituar besueshmërinë e publikut. Kujtoj ekipet e gazetarëve të huaj që “postoheshin” në Shqipëri në ato vite të vështira, gjurmët dhe imazhin e të cilëve nuk kemi mundur t’i fshijmë dot. 

Po flisni për ato kohët kur lajmi  regjistrohej në kaseta të mëdha e me shiritë që mund të prisheshin në çdo moment…

Po po flas për kohët kur shiritët jo vetëm rrezikonin të dëmtoheshin, por edhe të sekuestroheshin nga policia e asaj kohe, kur kontrollin mbi territorin e kishin bandat dhe të fortët e rrugës dhe të pushtetit. Po flas për kohët kur xhirohej me kamera të rënda. Po flas për kohët kur i ashtëquajturi “Fshati Dixhital” me lehtësinë e komunikimit përmes internetit, Facebook-ut apo Instagramit nuk ekzistonte. Atëherë bëhej gazetari me laps e letër, me takime sy më sy me burimet dhe protagonistët. Bëhej gazetari e mirë, nga ato që më motivonte. 

Kanë kaluar shumë vite prej atëherë. Mënyra si bëhet gazetari ka ndryshuar ndjeshëm. Ndaj ç’ka ndodhur me motivimin ndërkaq?

Ka ndodhur e përditshmja, e mundshmja. Transformimi i një profesioni për shkak të teknologjisë, ndërhyrjeve politike dhe nevojave financiare. Lufta e vazhdueshme për të mos bërë kompromis me të vërtetën, ose të paktën me atë pjesë të zbulueshme të saj. Pas më shumë se dy dekadash punë e këmbëngulje për të ndjekur parimet e thjeshta dhe aq të vështira të gazetarisë së mirë, m’u krijua mundësia të hyj në “shtëpinë e gjigandit mediatik” si e punësuar e Euronews, me seli qendrore në Lyon të Francës, me kolegë që kanëkombësi të ndryshme, por që i bashkon qëllimi për t’i dhënë zë interesit të publikut. 

Me statusin e Drejtores së Informacionit, mesa kemi dëgjuar…

Po, që prej Shtatorit jam pjesë e Euronews Albania në pozicionin e Drejtores së Informacionit.

Por s’besojmë se do të jetë vetëm kaq, pra vetëm një pozicion drejtuesi pas kamerave!? Ç’kuptim do të kishte Euronews Albania, pa figurën e Ilvës në ekran!? 

(Qesh) Sigurisht që do të jem në atë ekran, me një format të përditshëm me ngjarjet  kryesore dhe analizë të thelluar. Më pret shumë punë, që mezi pres ta ndaj me publikun në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi dhe kudo ku jetojnë shqiptarë. Për mua është frymëzues fakti që për herë të parë shqiptarët do të jenë pjesë e tregut mediatik ndërkombëtar përmes Euronews Albania.

Si u gjende pjesë e kësaj sipërmarrje kaq të madhe, që për hir të së vërtetës duhet thënë se i ka kuriozuar të gjithë?  S’është pak të dëgjosh që grupi “Euronews” krijon një Euronews franchise për herë të parë në Shqipëri…

Ajo çfarë ka ndodhur me Euronews Albania është një ngjarje historike jo vetëm për shqiptarët por edhe për grupin mediatik të Euronews. Është hera e parë dhe e vetme që drejtuesit e Euronews, pas afro 2 vjetësh bisedime dhe vlerësime të potencialit të një televizioni me cilësinë dhe standardet e Euronews në gjuhën shqipe, u bindën për t’u investuar me logon dhe ekspertizën e tyre në Shqipëri dhe vendet e tjera të rajonit, ku flitet shqip. Është një lajm i jashtëzakonshëm për median, por edhe për të gjithë shqiptarët, të cilët janë tashmë pjesë e tregut mediatik mbarëbotëror, me një emër të besueshëm, dinjitoz dhe profesional.

A mund të na zbulosh disa emra ose personalitete të medias shqiptare që pritet të jenë krah teje, pra t'i bashkohen "Euronews Albania"?

Edhe në bashkëpunim dhe komunikim të ngushtë me drejtuesit kryesorë të Euronews kemi vendosur  t'i japim personalitet lajmit. Në Shqipëri është krijuar një përshtypje se media do vetëm personalitete, kur në fakt sot nuk ka shumë reporterë me personalitet dhe integritet profesional. Do të synojmë t’i japim mundësi më së shumti të rinjve që e duan gazetarinë dhe rolin e medias si “Pushteti i Katërt”. 

A ishte i vështirë vendimi për t'u larguar nga Ora News?

Në përgjithësi vendimet nuk janë të lehta, sidomos në planin njerëzor. 

Ku ndryshon Ilva Tare nga gazetarët e tjerë?

Ne, gazetarët, them se është mirë të mos ngjajmë. Ndryshimi është  alternativë. Qasja ndaj publikut dhe të vërtetës është individuale. Kam zgjedhur t’ja lë publikut në dorë të bëj dallimet.

Cila ka qenë shkëputja më e gjatë për ju nga ekrani?

Kur jetova në Londër për 4 vite dhe studiova Masterin Shkencor për Media dhe Komunikim në London School of Economics. Jam shumë e entuziasmuar që takoj shpesh vajza e djem të rinj që studiojnë aty. Vetëm mirë i bëjnë Shqipërisë, kur kthehen. 

A keni një filozofi që e ndiqni ?

Pyet, mendohu pak dhe pastaj thuaje. Kuptohet nuk e kam pasur që  në fillimet e mia në gazetari. E kam mësuar gjatë rrugës.

Ju keni intervistuar personazhe të ndryshëm ndër vite. Ka ndonjë syresh prej tyre, të cilin do të doje ta veçoje, ose për të cilin do të doje të flisje?

Për të gjithë kam diçka për të thënë, edhe ata që nuk më kanë lënë mbresë. Të gjithë kanë rëndësi për gazetarin, përndryshe nuk kishte pse t’i intervistonte. 

Në karrierën tënde, a ka ndodhur që një personazh i njohur të largohet papritur nga studio sepse nuk është ndjerë komod në debatin televiziv?

Nëse kjo ndodh nuk është shenjë e mirë. E mira është të marrësh përgjigje dhe jo të nervozosh tjetrin, aq sa ta bësh të largohet. Nuk jam tifoze e zhurmës edhe pse ajo thith audiencë. Do të doja të  marr  sa më shumë përgjigje që i’u duhen qytetarëve

Kur thua Ilva Tare, emri dhe imazhi yt asociohet direkt me televizionin, por në realitet çfarë raporti keni me median dhe shtypin e shkruar?

Normal që lexoj shumë dhe ndjek sa mundem, falë edhe lehtësisë  së pamohueshme të pasjes së lajmeve në pëllëmbë të dorës gjatë 24 orëve (e kam fjalën per celularin). 

A ke menduar ndonjëherë të shkruash një autobiografi?

Jo, mbase jo gjatë kohës që jam aktive në profesion. 

Shumë njerëz nuk e kanë fatin të jenë të pagjykuar, sidomos imazhet publike. Sa rëndësi ka opinoni i të tjerëve për ty?

Ka rëndësinë e vet, pavarësisht se të qenurit person i ekspozuar publikisht të vendos në një raport ndryshe se si e sheh veten dhe si të shohin të tjerët, sidomos publiku. Por nuk jam e fokusuar që të kem medoemos pëlqimin e të gjithëve. Unë përpiqem të jem vetvetja dhe nëse kjo gjen simpati aq më mirë

Po komentet në rrjetet sociale, i merr seriozisht apo i anashkalon?

Komentet që kanë brenda brumë e kritikë të mirë i marr shumë seriozisht. Nëse më pyet për komentet e natyrës tjetër, që s’kanë as thelb dhe as të vërtetë, me to nuk humbas kurrë kohë

Cili ka qenë lajmi më i keq që ke lexuar për veten? Po më i miri?

E imagjinon dot që unë të pres të informohem për veten nga titujt e të tjerëve?! 

A ndikohesh nga të tjerët apo je vendimarrëse e sigurt, sidomos në gjërat që kanë të bëjnë me punën?

Nuk ndikohem, jo më! Kur vitet kthehen në dekada punë të përditshme, mësohesh të besosh shumë më shumë tek instinkti yt. Sigurisht, duke u përpjekur në maksimum të pyes e të verifikoj sa më shumë të jetë e mundur, përpara se të marr një vendim. 

A ka diçka që nuk mund ta bësh? Ose që e cilëson të paarritshme nga ana jote?

Të gjithë kemi gjëra të paarritshme dhe na bën mirë të vetëdijësohemi se nuk jemi të pakufizuar në jetë, se është e frikshme të mendosh se je një fuqi që s’njeh limit.

A je në këtë moment të jetës profesionalisht e përmbushur apo ke akoma një objektiv të madh që do ta realizosh?

Jam e përmbushur, e zënë me jetë! 

E ke arritur atë pikë të jetës që nuk punon për para, por për kënaqësi?

Punoj për të dyja. Po të kisha aq para sa imagjinoni ju ndoshta do të punoja më pak dhe do të rrija më shumë me fëmijët e mi. 

Çfarë është një gjë nga e cila nuk do të hiqnit dorë kurrë(përveç familjes)?

Vetëm familja, në fakt! 

Viti më i bukur i jetës?

Pas Eduardit, Melodisë dhe Thomas vitet janë bërë të bukur prej vërteti.

Si ndihesh në rolin e mëmësisë?

Plot.

Lindja e fëmijëve, çfarë ka ndryshuar në jetën tënde?

Ndryshon çdo gjë, por sidomos mënyra si e sheh jetën. Përgjegjësia për ta është aq e madhe sa bëhesh e kujdesshme për çdo gjë që më parë as e mendoje dy herë.

Melody dhe Thomas, janë bekimet më të mëdha në jetën tënde dhe Eduardit. Me fëmijën e parë, bëhen edhe gabime gjatë rrugës, sepse mungesa e përvojës sjell të tilla pasoja. A ka diçka që nuk e bëni me të voglin Thomas?

Fëmijët nuk rriten vetëm me libra. Se di a bëj gabime, ndoshta, por në këtë pikë Eduardi ka qenë një ndihmë e madhe. 

Si i keni zgjedhur emrat e tyre?

Melody e zgjodha unë. Thomas është zgjedhje e Eduardit

A e konsideron veten feministe?

Jam një grua që mbështes gratë dhe vajzat. Pastaj në këtë debatin për barazi apo për të qenë të njëjtë me burrat nuk më pëlqejnë kategorizimet si feministe apo aktiviste. E vërteta është që gratë në të gjithë botën edhe në vendet më të zhvilluara paguhen më pak se kolegët meshkuj dhe gëzojnë më pak privilegje personale e profesionale për shkak të gjinisë së tyre. Ky është fakt. Siç është edhe beteja për ta ndryshuar këtë realitet, ku unë përpiqem të jem pjesë.

A je ti një femër e fortë?

Nuk është zgjedhje e mirë të jesh e dobët. Dhe Shqipëria nuk  është  një vend i mirë për jo të fortët.

Çfarë bën për të ruajtur një imazh të kuruar?

Shkoj tek Gerta, vajza që kam njohur prej 20 vjetësh dhe që sot është artistja e talentuar, që zotëron G-Studio.

Çfarë ju lumturon pa mëdyshje?

Fëmijët. Familja.

Ç'është miqësia për ty Ilva?

Një dhuratë që nuk e fiton aty për aty dhe vetëm kur ke nevojë. Duhet të investohesh gjatë tek miqësitë e vërteta.  

Kritikuesi yt më i madh, kush është?

Eduardi, por ai është edhe mbështetësi im më i madh, gjithashtu.

Projekti dhe angazhimi kryesor yti këtë moment është "Euronews Albania" apo ka edhe gjëra të tjera interesante në pritje?

Euronews Albania është aq shumë, sa s’ka  mundësi të më duket interesante diçka tjetër! 

Credits:

Foto: Orsola Mema

Design: Xhesika Berisha