Është ndarë nga jeta në moshën 67-vjeçare publicisti i njohur Arben Xoxa. Babai i Ajola Xoxës ndërroi jetë në krahët e gruas së tij Valbona dhe vajzës.

Arben Xoxa lindi në Tiranë më 1 maj 1952, djali i Dhurata dhe Jakov Xoxa. Studioi Gjuhë-letërsi dhe u specializua si kritik arti, gjithmonë me rezultate të shkëlqyera. Më pas punoi për shumë vite si pedagog në Universitetin e Tiranës, drejtues në Ministrinë e Arsimit, Akademinë e Shkencave, RTSH dhe më pas prej vitit 1996, si Drejtor i Shtëpisë Botuese Enciklopedike, duke i qëndruar pranë dashurisë së tij më të madhe profesionale, librave.

Që në rini e deri vonë ishte i angazhuar në shtypin vendas dhe të huaj, duke botuar qindra shkrime dhe studime, dhe i mirënjohur si një prej personaliteteve të spikatura të mendimit kritik shqiptar.

Gjithmonë patriot, gjatë viteve të fundit u tërhoq nga shtypi dhe iu përkushtua botimit të veprave ndriçuese mbi historinë dhe çështjen shqiptare. 

Arben Xoxa pati një familje të qetë dhe shumë të lumtur. 

Homazhet do të zhvillohen të hënën, ora 10, pranë Akademisë së Shkencave tek Biblioteka.