Detaje të reja pritet të dalin në dritë në lidhje me vdekjen e princeshës Lady Diana, e cila u nda nga jeta në një aksident tragjik me makinë në Paris në 31 gusht 1997 në moshën 36 vjeç.

Pritet që këto detaje të rihapin çështjen nga fillimi sipas shtypit britanik. Për t’i zbuluar ato është një dëshmitar okular i përplasjes, Le Van Thanh, i cili ishte duke ngarë makinën e tij Fiat Uno dhe ndodhej pas Mercedesit në të cilin ishin Princesha dhe partneri i saj milioner  Dodi Al-Fayed. Ata të dy vdiqën atë natë, së bashku me shoferin. I vetmi i mbijetuar në atë aksident të tmerrshëm është truproja, Trevor Rees-Jones.

Rrëfimi (dhe jo i vetmi) gjendet në një libër që pritet të shoh dritën e botimit pas pak muajsh me titullin: Diana, një çështje e zgjidhur. Por revista New Idea parashikoi një pjesë të përmbajtjes së hetimit të drejtuar nga Colin McLaren i cili kontaktoi Le Van Thanh. Ky i fundit tha: "Unë po ngisja makinën dhe papritmas makina e Dianës më goditi".

Një makinë franceze  ka provokuar aksidentin. "Policia rindërtoi dinamikën e përplasjes por nuk zbuloi asgjë për të mbrojtur bashkëatdhetarin e tyre që do të kishte shkaktuar vdekjen e Dianës". Sidoqoftë, dëshmitari nuk pranoi të zbulojë aspekte të tjera, sepse "përveç policisë, janë përfshirë shumë njerëz të fuqishëm".

Radar Online përmend gjithashtu Michael Cole, zëdhënësin e parë të babait të Dodi Al-Fayed, i cili tha se informacionet që përmbahen në libër mund të ndryshojnë letrat në tavolinë, por ato duhet të raportohen tek një zyrtar i gjykatës, sepse ndryshe nëse kontaktohet policia franceze ose britanike ato të dhëna rrezikojnë të varrosen.  

Ndërkohë, me rastin e 22 vjetorit të vdekjes së Dianës, Princi Harry dhe bashkëshortja e tij Meghan Markle me djalin e tyre Archie do të shkojnë sot në varrin e Lady Dianës, ndërsa në Paris sheshi sipër urës Alma ku ndodhi aksidenti do t’i kushtojë aktivitete dhe organizime në kujtim të princeshës së ndjerë.