Shtëpia e modës së markës së njohur "Victoria's Secret" ka anuluar zyrtarisht fashion show-n e jashtëzakonshëm që deri vitin e kaluar ishte kthyer thuajse në një traditë gati 23 vjeçare të realizimit të saj. Ëngjëjt më të famshëm të "Victoria's" ngjiteshin në skenë për të prezantuar koleksionet e reja të veshjeve intime dhe lingerive, ndërsa me kalimin e viteve shfaqja kishte marrë përmasat e një show të madh sepse kishte shumë protagonistë VIP, këngëtarë që performonin në skenë, muzikë, supriza, etj.

Pas disa muajsh spekulimesh dhe komentesh nga ëngjëjt e VS, lajmi tashmë është konfirmuar! Ka qenë Stuart B. Burgdoerfer, shefi i financave të këtij brandi që konfirmoi gjatë një konference për shtyp ditën e djeshme faktin se nuk do të ketë më një sfilatë të "Victoria's Secrets". "Ne mendojmë se është e rëndësishme të evoluojmë marketingun e Victoria's Secret. Ne e kuptojmë dhe vlerësojmë që komunikimi i markës, ofertave, përmbajtja emocionale e Victoria Secret është padyshim një gjë e rëndësishme", u shpreh ai.

Duke pasur parasysh se sa integrale është shfaqja e Victoria's Secret për markën, Burgdoerfer sqaroi se ekipi i VS po punon shumë për të gjetur evoluimin e markës dhe kujdesit ndaj klientit.

"Shfaqja ishte një pjesë shumë e rëndësishme e ndërtimit të markës së këtij biznesi dhe ishte një aspekt me vlerë i markës dhe një arritje e shquar e marketingut. Ne po kuptojmë se si të avancojmë pozicionimin e markës dhe ta komunikojmë më mirë atë tek klientët dhe kjo është ndër gjërat në të cilat po përqendrohet drejtori kryesor ekzekutiv i Victoria's Secret, John Mehas", vijoi sërish ai.

Vitin e kaluar, pas komenteve të diskutueshme, shfaqja vjetore e Victoria's Secret u shikua nga vetëm 3.27 milion njerëz, vlerësimi më i ulët ndonjëherë në historinë 23 vjeçare të realizimit të këtij show.