Marjona Metohu me “Bosh” dhe Khuba me “Ndryshe” ishin dy konkurrentët që spikatën në kategorinë “New Artist” në Këngën Magjike, por Shkëlzen Rexhaj, Khuba, ishte ai që në fund triumfoi me “Ndryshe”.
“Nuk di çfarë të them, faleminderit shumë. Faleminderit që na dhatë shansin për të qenë në këtë skenë, me ju të gjithë bashkë”,- tha artisti nga Kosova i mbytur nga emocionet, por nuk harroi të falënderojë të gjithë ata që kanë bashkëpunuar për këngën e tij, e cila, në fakt, i ka pëlqyer edhe asaj së cilës iu kushtua.
Shkëlzen Rexhaj, i njohur me emrin e artit si Khuba, është një këngëtar i ri, i lindur dhe i rritur në Gjermani, ku ka edhe nisur hapat e parë në muzikë. Ai këndon, luan në piano dhe kitarë, por në Këngën Magjike debutoi në kategorinë Neë Artist.
"Ndryshe", kënga me të cilën Khuba mori pjesë në Këngën Magjike, është një dedikim personal, shkruar enkas për ish të dashurën vetëm pak kohë pas ndarjes. Vetë Shkëlzeni ka shpresuar që ajo, përmes kësaj kënge, të dëgjojë fjalët që ai nuk ka mundur t'ia thotë personalisht.