Në Call Center? Edhe? Atje punojnë 90 për qind e të rinjve shqiptarë; mbarojnë shkollën, zgjedhin orarin që duan, praktikojnë gjuhën dhe në fund nxjerrin edhe shpenzimet e ditës. Gjithmonë në përpjekje për t’u kërkuar sa më pak të ardhura prindërve të tyre, për t’u bërë më të përgjegjshëm e për t’ua dale mbanë vetë sfidave të jetës….

Ju duket një situatë familjare për realitetin e të rinjve shqiptarë apo jo? Sidomos të studentëve… E tillë ishte edhe jeta e Sara Kamberit para se të niste të mendonte për një program që jo vetëm do ta argëtonte shumë gjatë muajve të verës, por edhe do ta njihte me bashkëmoshatërët e saj anekënd botës, do t’i krijonte mundësi asaj të qëndronte në vende turistike – një pjesë të mirë të të cilave, ne, pjesa tjetër që nuk kemi as guximin më të vogël për sfida, nuk i shohim as në ëndërr. Por edhe do t’i ndryshonte rrënjësisht kulturën e punës. Edhe për këtë të fundit, shoqëria jonë është ende në tranzicion, ndaj Sara, di ta bëjë shumë mirë dallimin para dhe pas programit “Work & Travel”, i cili mundësohet nga kompania “Kouzon” në Shqipëri.

Në një intervistë ekskluzive për revistën Class, në këtë fundvit, Sara rrëfen me shumë pasion udhëtimin e saj të fundit me “Work & Travel”, i synuar nga shumë të rinj shqiptarë, por edhe të tjerë nga e gjithë bota. Studente në Inxhinieri kompjuterike, Sara tregon se në kohë pushimesh nuk kishte as dëshirën më të vogël të qëndronte pa bërë asgjë, nga kafja në kafe, shopping me shoqe, pastaj ca ditë plazh dhe asgjë… Asgjë interesante, kohë e çuar dëm dhe perspektiva zero… Para programit, po pas tij?

Pas tij, ndryshoi rrënjësisht kultura e punës. U desh ky program dhe këto udhëtime që Sara ta shikonte punën dhe jetën të lidhur pas saj si një argëtim. Ky është edhe qëllimi i “Kouzon” dhe i programit “Work & Travel”, i cili rekruton studentët dhe u jep atyre mundësi jo vetëm të punojnë për një periudhë 3-mujore në shumë prej vendeve të Amerikës, por edhe u jep hapësira për të vizituar vende turistike.

Era Rrumbullaku, sipërmarrësja e “Kouzon” që kujdeset veçanërisht për programin e të rinjve, gjatë gjithë periudhës së vitit, ndërsa ndjek me kujdes aplikimet e studentëve, i ndihmon dhe u jep atyre sugjerime për t’i ndjekur udhëtimet me programin “Work & Travel” pa u menduar gjatë. Sara, studentja që këtë herë kemi zgjedhur për të qenë personazh në Class, është një dëshmi e pastër e një programi jetëgjatë që Era ndjek me shumë përkushtim prej vitesh pranë kompanisë “Kouzon”.

Pse vendose ta ndjekësh programin “Work & Travel”, cilat janë arsyet që aplikove për t’u bërë pjesë e tij?

E para është një arsye shumë e thjeshtë në dukje; për t’u bërë më e përgjegjshme për veten. Unë jetoj me prindërit dhe udhëtova vetëm në një vend të ri, me njerëz që nuk i njihja më përpara dhe isha përpara shumë përgjegjësive. E dyta, kisha shumë dëshirë të përmirësoja anglishten dhe ku kishte mundësi më të mirë sesa kjo për ta bërë këtë. E treta, doja të shihja se si funksiononin gjërat në vende të tjera të botës në ndryshim me vendim tim. Pra, ishte një mundësi mjaft e mirë dhe krijova një rrjet shoqëror shumë të madh, i cili më shërben gjatë gjithë kohës, sidomos me vendet e Europës. Kishte shumë studentë nga Europa dhe është shumë mirë të mbash kontaktet me ta edhe pas kësaj eksperience. Unë vazhdoj të mbaj kontakte me njerëz nga Spanja, nga Ekuadori, nga Turqia, Rumania, kështu që është e mrekullueshme si eksperiencë.

Çfarë e lidh një studente për Inxhinieri kopjuterike me “Work & Travel”, nuk pate frikë nga e panjohura?

I kisha bërë më herët kërkimet, kisha parë edhe përshtypjet e studentëve të tjerë, edhe nga studentë nga Europa, nga Spanja. Më kishin thënë që ia vlen shumë si program, ia vlen për të njohur veten dhe për të njohur kulturat e tjera, kështu që nuk kisha frikë për ta ndjekur si program.

More atë që prisje pas ndjekjes së këtij programi?

Mora vërtet atë që prisja, sepse, e para u njoha me studentë nga e gjithë bota, isha në një kampus ku kishte studentë nga Europa, nga Amerika Latine, folëm në shumë gjuhë bashkë, kështu që patëm një shkëmbim kulturor jo vetëm me Amerikën, por edhe me shtetet e tjera. Unë pata fatin të vendosem në një gadishull turististik në Ohio, që kishte fluks më tepër gjatë periudhës së verës.

Do vazhdosh për herë të dytë, çfarë pret këtë herë?

Unë po aplikoj përsëri, sepse është edhe hera e fundit që e provoj si eksperiencë. Do të doja të njihja njerëz të rinj, që të krijoj sa më shumë rrjet për të mësuar si fuksionojnë gjërat në të gjithë botën, jo vetëm në Amerikë. Në një program si ky janë shumë kultura bashkë, kështu që ia vlen të bëhet disa herë. Pas programit, unë do rikthehem dhe do vazhdoj me profesionin tim, në intership, po gjithsesi, tashmë e di se si funskionojnë gjërat në botë dhe ndoshta kultura e punës që kam marrë atje, do më ndihmojë shumë edhe në punën time këtu, mënyra se si janë sjellë me mua supervizorët më bën mua që të di ta përdor edhe këtu, nëse në një të ardhme do të bëhem supervizore. Është një eksperiencë shumë e mirë jete, të mëson të punosh në çdo vend.

Po bashkëmoshatarëve që duan të bëjnë pushime e të qetësohen, pse do t’ua rekomandoje?

Në fakt, vendi ku isha unë organizonte shumë evente dhe shumë udhëtime me autobuz për ne, kështu që ato pushimet njëditore na kanë mundësuar që edhe të kënaqemi. Shumica e moshatarëve të mi këtu janë skeptikë, nuk e besojnë që ky program ekziston vërtet. Unë ua kam sugjeruar shumë mikeshave të mia dhe momentin e parë që e dëgjuan thanë “jo, nuk ekziston”. Kështu mendonin deri në momentin që unë u bëra pjesë e programit dhe u tregova “shiko, kam vizën dhe biletën, i kam të gjitha, tani do nisem”. Madje deri në momentin që kanë parë fotot e mia të para… Kur filluan të kuptonin vërtet se si ishin gjërat atje ku isha unë, nisën dhe ta besonin. Shqiptarët e kanë sensin e mosbesimit. Unë ua sugjeroj vazhdimisht mikeshavve të mia, u them “merrni iniciativën, duhet ta provoni”, por shumica kënaqen me punën këtu dhe nuk duan të shohin më përtej.

Sa dashamirës jemi ne (kryesisht të rinjtë) për të përqafuar këto lloj programesh?

Ata që erdhën atje, e besuan vërtet që kjo ia vlejti. Rumania dhe Turqia ishin dy vendet që e përsëritnin programin më shumë se të gjitha vendet e tjera. Nga Rumania, madje, kishte studentë që shkonin, bënin shkollë tjetër, vetëm e vetëm që t’i riktheheshin programit. Njëri prej grupit të studentëve ku isha unë kishte vazhduar shkollën me vite, vetëm e vetëm që ta ndiqte programin sa më gjatë, por kishte edhe studentë të tjerë që ktheheshin për të dytën apo për të tretën herë, sepse vetë vendi kishte shumë iniciativa për t’i ndihmuar, benefite. Ia vlen vërtet, por këtë e beson më shumë kur e provon. Ndoshta ne nuk jemi mësuar t’i përqafojmë menjëherë risitë.  

Veç punës dhe të ardhurave, çfarë tjetër përfiton nga këto vende?

Çdo muaj kishte një kalendar aktivitetesh, ne shikonim datat, flisnim edhe me menaxherët në mënyrë që të organizoheshim dhe të bëheshim pjesë e aktiviteteve. Në shumicën e rasteve, aktivitetet ishin falas për studentët, kishtë party që organizoheshin vetëm për studentët, ishte parku vetëm për ta, kishte udhëtime falas, si dhe shumë aktivitete të tjera që ofroheshin falas për studentët, transporti publik falas etj.

Pse mendon se kjo eksperiencë do të të ndihmojë për të ardhmen?

E para, është një shkëmbim kulturor që më ndihmon me gjuhën, e dyta mora një kulturë pune që këtu nuk e kisha, nuk të kritikonte askush, përkundrazi të motivonte. Nëse e ke bërë diçka gabim, shiko se do ta bësh më mirë herën tjetër, këtë e mësova atje. Ndryshe nga këtu, kur të gjithë janë gati të të kritikojnë për një gabim që bën. Plus edhe fakti që punonim me orë ekstra. Në Shqipëri nuk është se praktikohet shumë, por ne atje ia mësuam vlerën kësaj mënyre të punuari. Ne kërkonim të punonim edhe më shumë. Këtu biem në monotoni, bëjmë atë 8-orarëshin tonë dhe kaq. Atje është një frymë tjetër, e kupton që nëse mundesh, punon më shumë dhe shpërblehesh më shumë.

Çfarë vure re te vetja pasi u ktheve, të ndryshoi gjë pas kësaj eksperience?

Ishte një verë e paharrueshme. Unë isha një njeri i mbyllur këtu, nuk dilja shumë, ndërsa atje pata mundësinë të merrja çdo vendim vetë. Kjo më ndihmoi jashtëzakonisht shumë. Këtu isha një vajzë e pavendosur, për çdo gjë. Atje nuk kisha zgjedhje tjetër, do ta vendosja PO ose JO, nuk ishte mami ose babi që t’u thoja dhe të më ndihmonin. Por kjo më bëri shumë mirë. U bëra shumë e përgjegjshme për veten. Isha shumë emocionale këtu, por atje më iku emocioni dhe frika e punës, ajo ideja që nuk do ta bëj mirë. Tani shkoj në punë pa frikë. Nuk e kam më idenë sikur po shkoj në një vend ku do më therin. Është një program që më ka ndihmuar dhe ndikuar shumë edhe në personalitet.

Lexo edhe:

Era Rrumbullaku: Të rinjtë, në një udhëtim drejt ëndrrës amerikane