Ministria e Mbrojtjes ka reaguar në lidhje me erën e pazakontë që fryn në vend prej disa orësh duke u bërë thirrje qytetarëve që të shmangin qëndrimet në afërsi pallateve, godinave të larta, pemëve dhe objekteve të rrezikshme.
Njoftimi:
Ministria e Mbrojtjes, përmes Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, nisur nga situata e pazakontë e erës së fortë gjatë orëve të fundit në disa qarqe të vendit, i bën thirrje qytetarëve, të shmangin qëndrimet në afërsi të pallateve, godinave të larta, pemëve dhe objekteve të rrezikshme. Rënia e sendeve dhe objekteve të ndryshme për shkak të erës përherë e më të fortë, mund të bëhen shkak për aksidente.
Ndërkohë, Ministrja Xhaçka përmes AKMC është në komunikim të vazhdueshëm me shtabet e emergjencave në të gjitha prefekturat, për të ndjekur orë pas orë situatën e vështirë të motit të shkaktuar nga erërat dhe bora në disa qarqe. Sipas informacioneve paraprake të deritanishme situata është nën kontroll dhe nuk raportohen probleme.
Ndërkohë, edhe OSHEE ka reaguar në lidhje me situatën që ndodhet në këto momente në Tiranë, ku prej disa orësh era e fortë ka shoqëruar vendin dhe ka bërë mjaft dëme deri, por fatmirësisht nuk ka raportime për të lënduar.
OSHEE ka njoftuar se ka pasur disa dëme sa i përket rrjetit ajror të energjisë elektrike dhe se po merren masa për t'i rregulluar defektet.
Pak orë më parë, edhe pema e festave të fundvitit që ishte vendosur në qendër të Tiranës, është rrëzuar për shkak të erërave të forta. Për fat të mirë, nga rrëzimi i pemës nuk ka të lënduar.