113 gra të vrara në nëntë vitet e fundit! Shtatë gra të masakruara mizorisht në dy muajt e parë të këtij viti! Shifrat i ngjajnë një bilanci lufte, por janë aty stoike dhe "kokëforta" si një shuplakë e fuqishme që na përplaset në fytyrë të gjithëve ne! Jo vetëm ne, të ngjashmeve të tyre, të të njëjtin seks, por individëve, shoqërisë, liderëve, gazetarëve dhe punonjësve të medias që jemi çdo ditë në kontakt të vazhdueshëm me të tilla lajme të trishta...Kush nga ju i ka harruar britmat ulëritëse të vajzës në Durrës, pak minuta pasi mësoi faktin se i ati i kishte vrarë të ëmën me levë hekuri brenda në dyqan? Unë i kam ende në vesh ato ulërima!

Dhe një tjetër jetë e humbur! Dhe një tjetër grua e vrarë mizorisht nga një burrë që vetëm emrin ka të tillë, sepse asgjë tjetër nuk e përcakton burrërinë pas aktit fatal apo vetëflijimet në rastet më ekstreme...

Jemi në prag të 8-Marsit dhe nëse ne këtu në Shqipëri e shohim thjesht e vetëm si një tjetër datë të shënuar me të kuqe në kalendar, ditë feste e pushimi zyrtar, në botë nuk ndodh kështu! 8-Marsi është protestë me zë dhe me figurë, për të gjitha padrejtësitë, mohimet, problematikat me të cilat gruas i duhet të përballet çdo ditë! E kush më mirë se personazhet me potencial veprues, të famshëm ose të zakonshëm, me fuqi ligjore ose praktike, me spektër artistik ose me një ndikim të jashtëzakonshëm në lëmin virtual mund t'i jap zë atyre grave që zërin e kanë humbur! Në realitetin e trishtë, mes skamjes e 1000 problematikave me të cilat ndeshen çdo ditë të jetës së tyre, ashtu të nënshtruara pa mundur të ngrenë krye se një dorë gjakatare mund t'jua presë jetën në mes...E gjithë kjo hyrje nuk është pjesë e ndonjë fushate sensibilizuese! Është përtej kësaj qasjeje të parë!  

Kush më mirë se artistët mund të depërtojnë në zemër të problemit, aty ku ai është ulur këmbëkryq për t'i penguar stilin e jetës e përditshmërinë shumëkujt! Këngëtarët, aktorët, regjisorët, të gjithë kanë fuqinë për të sjellë ndryshimin në një shoqëri të "mbytur" nga faktorizimi sipas gjinisë, sipas prejardhjes, nivelit financiar, e jo vetëm! Besa Kokëdhima është një prej tyre!

Këngëtarja me zërin e fuqishëm, që është ngjitur në skenë kohë pas kohe, por edhe e ka braktisur atëherë kur ndjenjat dhe arsyeja e kanë zbrapsur si pak të tjerë! Me vokalin e paparë, me njeriun dhe artisten që është sot, Besa mund të jetë njëra prej jush me mesazhin e fortë që përcjell në "C'est la vie" projektin e fundit muzikor që është lançuar vetëm pak ditë më parë dhe është pritur mjaft mirë nga fansat dhe audienca. Në qendër të subjektit është pozicionimi i qenies femër në raport me gjininë mashkullore, të një lloji të caktuar, familjen dhe rolin e shoqërisë në gjithë këtë. Brenda tekstit ka të vërteta të hidhura që unë konstatoj në kohët që jetojmë, përballja dhe përpëlitjet e gruas ndaj padrejtësisë, abuzimit emocional dhe fizik, pabarazisë gjinore dhe padrejtësisë që manifeston shoqëria qoftë ndaj gjinive dhe glorifikimit të shembullit të ‘Cubit’. Sepse përtej këngës, Besa do të injektoj më shumë liri, më shumë vlerësim për gruan, më shumë qëndresë dhe çmitizim të deformimeve sociale që egzistojnë në vendin tonë sot! E jo vetëm! Në këtë intervistë ekskluzive për Class, Besa Kokëdhima flet për veten, për jetën mes Shqipërisë dhe Francës, për raportin me të motrat, për dashurinë, teksa u rikthehet motiveve të forta që e detyruan të heqë dorë pak orë përpara edicionit të vjetshëm të "Këngës Magjike"! Në një rrëfim të sinqertë, Besa është këtu për të ndarë shumë detaje interesante me ju!

C'est la vie...një këngë e re që më shumë se kurrë tingëllon aktuale sot. Mesazhet e forta mund të përcillen më së miri përmes zërit dhe imazhit të artisteve si ty. Pse këtë herë zgjodhe të sjellësh një këngë jo me një subjekt të ndjerë si dashuria, por një subjekt më goditës ku shumëkush mund të gjejë veten?
Në qendër të subjektit është pozicionimi i qenies femër në raport me gjininë mashkullore, të një lloji të caktuar, familjen dhe rolin e shoqërisë në gjithë këtë. Brenda tekstit ka të vërteta të hidhura që unë konstatoj në kohët që jetojmë, përballja dhe përpëlitjet e gruas ndaj padrejtësisë, abuzimit emocional dhe fizik, pabarazisë gjinore dhe padrejtësisë që manifeston shoqëria qoftë ndaj gjinive dhe glorifikimit të shembullit të ‘Cubit’. Kalvari i dhunës dhe abuzimit është një fenomen ciklik. Dhunuesi i sotshëm, bulluesi, abuzuesi, prodhon “demonin që po fiton çdo herë” të së nesërmes. Vetë ne si shoqëri, ushqejmë “demonët” nëpërmjet “amnistisë”, hipokrizisë, heshtjes, verbërisë dhe pranimit. Sigurisht janë mesazhet e mia për shumëçka të shtrembër në shoqërinë tonë të shprehura herë me ironi fëminore, herë në fraza të vërtetash universale të një gruaje të rritur. Por, ‘C’est la vie’! Kështu e ka jeta! Më e rëndësishme se pikënisja  është mbijetesa, forca, përballja, fitorja mbi demonët! Unë besoj se subjekti është dashuria, dashuria për veten dhe forca e mbijetesa me çdo kusht! E pse jo! Gjithashtu edhe dashuria për një burrë të vërtetë! Jo të pranuarit një rol zvogëlues, diskriminues, të reduktuarit në viktimë të një burri të vogël! Unë dua të injektoj liri, vlerësim për gruan, qëndresë dhe çmitizim të deformimeve sociale që egzistojnë në vendin tonë dhe jo vetëm. Le të rrisim ne si shoqëri e si familje, burra të cilët do i donim në shtëpi!

Problematikat në familje, gratë që mbeten viktima të dhunës së burrave e shumë ngjarje të tjera kanë qenë kryefjala e medias këto ditë. Çfarë ndjen kur sheh të tilla raste? Ke një thirrje apo një lutje që mund ta bësh sot?
Është tronditëse, shokuese e dhimbshme përtej fjalëve! Kemi nevojë akute të ndërhyjmë me mekanizma ligjore dhe sociale. Këto janë situata ku ajo indiferenca dhe heshtja e shoqërisë, apo palëzimi që bën me ‘Cubin’ është po aq dorë gjakatare sa vetë ‘Cubi’ që i merr jetën një gruaje! Si fillim, mekanizmat institucional dhe ligjore duhet të funksionojnë. Dënimet, drejtësia, institucionet sociale etj. Së dyti shoqëria në vendin tonë ka një rol të rëndësishëm. Ndaloni së justifikuari dhunën, së arsyetuari dhunuesin dhe së heshturi, ajo që i ndodh fqinjit tuaj mund të jetë duke i ndodhur edhe motrës tuaj! Duke ndërhyrë, duke ndihmuar, duke ngritur alarmin, duke sinjalizuar familjarët, institucionet ju mund të shpëtoni jetën e shumë viktimave! Mos u palëzoni me të “fortin”. Bëhuni palë me të dobëtin, në çdo kohë e në çdo situatë!

Çdo këngë e re e jotja është e mezipritur, nga fansat e shumtë dhe ata që admirojnë muzikën tënde. A ka shije tjetër këtë herë rikthimi yt në muzikë?
Kam nisur që me këngën “Histori”, e tashmë “C’est La Vie” që muzikën dhe tekstet i kam shkruar vetë. Për ‘C’est la Vie’ kam bashkëpunuar me BledBeats, i cili ka realizuar instrumentalen dhe orkestrimin. Ndihem e plotësuar me këtë risi në muzikën time. Gjithmonë kam qenë pjesë e krijimit të muzikave apo teksteve të mia, por tashmë jam vetë autorja, kjo më jep një liri artistike dhe filozofike të shprehem e skicoj botëkuptimin tim lirshëm duke përcjellë mesazhet, konceptet dhe këndvështrimet e mia tek publiku. Kjo nuk do të thotë që nuk do të kem bashkëpunime me autorë të tjerë, unë e adhuroj gjithçka të bukur dhe kam emocione dhe ngjyrime të shumëllojshme brenda vetes dhe jam vazhdimisht në ridimensionim shpirtëror e artistik. Jam mirënjohëse për të gjithë dhe seicilin fans, që ndjek, pëlqen dhe mbështet muzikën time dhe atë çka unë përfaqësoj. Janë bekim!



Këtë herë, në këngë ti bashkëpunon edhe me motrën tënde Era. Është ajo një nga njerëzit më të besuar në jetën tënde? Në fakt si i ke raportet me motrat e tua Besa?
Për këtë klip kam bashkëpunuar me regjisorin amerikan Nathaniel Matanick, i cili ka realizuar filmin. Kam bashkëpunuar gjithashtu me Erën që ka drejtuar xhirimet e mia dhe të realizuara me Klodian Keçin dhe Julinda Lutovac e Rajmond Gunin të cilët kanë edituar videon finale e shumë të tjerë. Era është pa ekzagjerim një gjeni multi-talent dhe multi-dimensionale. Ajo ka mbaruar drejtësi me rezultate superiore, ka ndjekur një trajnim profesional në një shkollë prestigjioze regjie dhe aktrimi në Londër dhe drejton multi-kompani biznesi me pjekurinë dhe mençurinë e një gruaje me vite në biznes dhe që ka çiltërsinë, dashurinë, dritën e një fëmije! Ajo është edhe e vogla e shtëpisë! Marrëdhënia ime me të është mbi gjithçka! Bora ndërkohë është një fishekzjarr tjetër, e talentuar shumë, e gjallë, me humor, me botë artistike, vizion dhe aftësi manaxheriale e një vajze të rritur në familje biznesi. Bora fitoi dhe u diplomua në shkollen Polimoda të Ferragamos dhe është gjithmonë në krijimtari artistike të begatë e të freskët. Marrëdhënia ime me të është shumë e mirë dhe shkëmbejmë shpesh ide, këshilla, mendime dhe mënyra për punën e secilës. Kjo është shumë e bukur!

Besa çfarë po ndodh me ty në këtë fazë të jetës? Jeton midis Shqipërisë dhe Francës apo jo? Pse kjo zgjedhje?
E dua Shqipërinë dhe e pëlqej pafund Francën. Franca në shumë aspekte përfaqëson vizionin tim të një vendi ideal. Është një vend social ku ka vlerë njeriu, liria, barazia e shanseve, solidariteti, etika, kultura, arti, talenti dhe bazat e shëndetshme e një shoqërie jo thjesht konsumatore. Unë jam natyrë sociale dhe prirja ime është për një shoqëri ku individët kanë akses të barabartë në të drejtat jetësore, në shëndetësi, në arsim pavarësisht portofolit që kanë. Unë mendoj se shoqëria duhet të zbusë kontrastet sociale me ndihmat dhe shërbimet sociale për më pak fatlumët. Sigurisht kjo pa cënuar në thelb të drejtën e lirisë sipërmarrëse të çdokujt të ndërtojë mirëqenien e tij. Do të doja që Shqipëria të vinte në një politikë të tillë, duke marrë parasysh për më tepër që jemi një vend shumë herë më i varfër.



Çfarë të mungon më shumë nga Shqipëria kur je larg saj?
Familja, njerëzit, vendi, jugu me detin magjepsës.

Cili është vendimi më i mirë që ke marrë ndonjëherë në jetë?
Të dëgjoj zërin dhe nëndergjegjen time, pavarësisht tendencës për ta shuar për arsye e faktorë që nuk janë të brendshëm. Nëndërgjegja juaj ju flet, ju këshilloj ta dëgjoni atë. Të ngulmoni për çka dëshironi dhe ndjeni në shpirtin tuaj që është vokacioni apo rruga e jetës tuaj.

E ke menduar ndonjëherë angazhimin tënd në politikë?
Edhe nëse nuk e kam menduar unë, vërej që shumëkush e mendon për mua. Nuk është hera e parë që më bëhet kjo pyetje, kur në të vërtetë unë nuk kam ndërmarrë ndonjë drejtim të tillë. Nuk di a do ishte gati politika për një njeri si unë. Unë jam idealiste, e drejtë dhe nuk pranoj të shtroj kurrizin, të cënoj dinjitetin apo atë çka besoj. Unë jam rritur në një familje me liri të madhe, ku jemi lejuar të artikulojmë mendimet, qëndrimet që në moshë të vogël. Vetvetiu na është injektuar të qëndrojmë për ato që besojmë dhe më fort akoma kundrejt atyre që shtypin të tjerët. Kam brenda vetes femrën më të ndjeshme, por edhe djalin kokëfortë dhe luftarak.



Çfarë mendon se i mungon klasës politike në vend? Duhet më shumë vëmendje tek njerëzit, tek shtresat vulnerabël përmes politikash efikase, çfarë tjetër në gjykimin tënd?
A e ka politika mendjen, shpirtin, interesin me Shqipërinë dhe shqiptarët e thjeshtë? Cila është mendësia e këtyre njerëzve? Unë gjykoj se këta sillen si pushtues. Duken në ngut të madh të rrëmbejnë e të nënshtrojnë, se u iku ora e duhet të ikin. Kjo nuk është filozofia që ndërton një vend ku do duam të rrimë!

Ka një gjë për të cilën ju thoni: nuk do e bëjë kurrë?!
Nuk do “godisja” kurrë një njeri për shkak të pozicionit shoqëror, stadit ekonomik, preferencave personale, prejardhjes, besimit apo ngjyrës së lëkurës. Nuk do heshtja dot ndaj padrejtësisë.

Çfarë të lumturon pa kushte?
Mirësia pa interes, familja, dashuria, muzika e bukur, macet e mia, kafshët, natyra, inteligjenca dhe talenti, libri i zgjuar, aroma dhe valët e detit.

Ka ende jo pak kuriozitet në lidhje me vendimin tënd për anulimin e pjesëmarrjes tek "Kënga Magjike" e vitit të kaluar. Ke pendesë për faktin që u tërhoqe nga ky event?
Asnjë pendesë, përkundrazi! Kam bërë plotësisht atë që kam ndjerë. Në disa aspekte unë jam shumë tradicionale, traditat tona të respektit ndaj katastrofës e humbjes njerëzore janë të rëndësishme për mua. Përpos gjendjes time emocionale e cila nuk ishte më aspak në festival, sikundër edhe unë nuk kisha pse të isha. Ishte momenti që kishin vdekur shumë shqiptarë nën rrënojat e tërmetit, dhe për mua asnjë kompeticion muzikor nuk qëndron mbi këtë.

Do të të shohim sërish në ndonjë kompeticion të rëndësishëm muzikor?
Përveç Festivalit të RTSH-së, që mund të ndodhë në të ardhmen, nuk besoj se mund të jem më pjesë e ndonjë kompeticioni muzikor në Shqipëri.



Besa, çfarë bëhet me jetën tënde private? A je e dashuruar? 
Abonenti që keni kërkuar është përkohësisht i paarritshëm. (qesh)

Si do ta përshkruaje jetën tënde në këtë fazë që je sot?
Në ndërtim e sipër, evoluim, zbulim të dimensioneve të reja artistike, shpirtërore dhe profesionale.

Projektet e radhës që të presin?
Dy projekte të reja; dy kontraste të forta artistike, të cilat do të prezantohen deri në Maj 2020.

Një mesazh për lexuesit e revistës Class?
Së pari, dëshiroj t’ju përgëzoj për platformën tuaj, aq interesante dhe argëtuese, e njëkohësisht edhe informuese dhe inspiruese për plot femra që të ndjekin ëndrrat, dëshirat e të punojnë fort në modelimin e jetëve të tyre. Lexuesve të Class dëshiroj t’u them; çfarëdo vështirësie që po kaloni, mos u dorëzoni. Përtej asaj që duket në Instagram e rrjetet sociale, të gjithë kanë vështirësi, sfida, probleme nga më të ndryshmet të cilat nuk i fotografojnë. Të gjithë kanë pika të dobëta ku mund të lëndohen, ndaj përpiquni të shihni më të mirën tek vetja e tek njerëzit rrotull vetes! Ajo energji do ju kthehet pas. Energjia shëruese e me dritë është ngjitëse dhe riprodhuese. Jini më pak auto-kritik! Çohu, vishu, buzëqesh, shkëlqe, bota është e jotja!

Credits:

Foto: Arbnor Allaraj, Klodian Keçi

Design: Xhesika Berisha