Një grua vendosi një maskë që nuk ishte e zakonshme! Me ngjyra, me fytyra të qeshura, maska e krijuar nga stilisti kroat Zoran Aragovic, i ngjan më shumë një stili pop-art i krijuar enkas për të luftuar frikën ndaj koronavirusit, në një formë trendy dhe origjinale.

Frymëzuar nga frika globale për koronavirusin, ky stilist kroat ka krijuar koleksionin e tij të “gëzuar” të maskave antivirale. Ato nuk ofrojnë mbrojtje kundër sëmundjes e cila vazhdon të përhapet në të gjithë botën, por kjo nuk i ka stepur blerësit që të shpenzojnë në këtë maskë.

"Ideja për një maskë të tillë ishte spontante. Çdo mëngjes, ndërsa pinim kafenë me bashkëshorten, ne komentonim për koronavirusin dhe mungesën e maskave. Unë bëja shaka se do të bëja një maskë të gjallë, të gëzuar, si krijimet e mia të modës dhe ta vendosja në Instagramin tim", thotë 39-vjeçari nga Zagrebi.

Maska e pambukut e stilistit Aragovic, e frymëzuar nga rrobat e tij nga personazhet Disney, arti pop dhe librat komik, menjëherë ngjalli interes në të gjithë vendin.

Dhjetëra maska, të cilat kushtojnë rreth 9€ janë shitur që kur ai filloi prodhimin rreth dy javë më parë dhe njerëzit vazhdojnë t'i porosisin ato, thotë stilisti.

Kroacia ka regjistruar nëntë raste të virusit i cili ka infektuar më shumë se 100 mijë njerëz në mbi 80 vende dhe territore dhe ka vrarë më shumë se 3 mijë njerëz.