I kthyer tashmë në një shqetësim botëror, virusi i ri Covid-19, është çështja më e diskutuar e kohës. Duke filluar me përgjigjet ndaj krizës shëndetësore, të gjitha fushat dhe aktivitetet pësuan gjithashtu një “rënie” nga ndikimi i koronavirusit. Ndërkohë që udhëtimet, aktivitetet argëtuese dhe teknologjia po njohin krizë, edhe industria e modës është prekur nga virusi famëkeq dhe duket se efektet negative nuk do të jenë thjesht momentale.

Njohja e rastit të parë të koronavirusit në datën 21 shkurt në Itali lidhet në mënyrë direkte me javën e modës në Milano, eventin më të rëndësishëm në vend duke shkaktuar kështu një kaos me anullimin e fluturimeve, pjesëmarrjeve deri në anullimin e vetë shfaqjeve të modës, në rastin e Giorgio Armanit. Paniku i tejkaloi kufijtë edhe në Francë me javën e modës në Paris duke prekur sërish mbarëvajtjen e kësaj industrie dhe duke sjellë efekte negative në prezantimin e koleksioneve të reja dhe gjithashtu në shitjen apo shpërndarjen e tyre.

Në një kohë që virusi po merr gjithmonë e më shumë terren, ardhja e tij në muajin e modës e ka prekur thellësisht industrinë. Anullimi i eventeve është një ndër ndikimet e para të koronavirusit, nisi me anullimin e shfaqjes së Chanel “cruise show” në Pekin dhe më pas me anullimin e javës së modës në Shangai që ishte planifikar të fillonte në 26 mars. Gjithashtu, dizajner të tjerë kanë marrë vendimin e shtyrjes apo anullimit të eventeve të tyre në vende të ndryshme… Prada anulloi prezantimin “cruise” që do të mbahej në 21 maj në Japoni, Gucci shfaqjen në San Francisco që do të mbahej në 18 maj dhe Versace në 16 maj, gjithashtu Max Mara njoftoi anullimin e eventit të skeduluar në 25 maj në Shën Petërburg. Mesa duket, kemi të bëjmë me anullimin e një “sezoni” të tërë i cili ka ndikim direkt në shtëpitë e modës pasi është aktiviteti që i jep shansin markave të ndryshme të prezantojnë koleksionet e tyre jashtë 4 vendeve kryesore, të ashtuquajtura kryeqytetet e modës (New York, Londër, Milano, Paris).

Ndikimi në shitje është një tjetër problem i ardhur nga përhapja e koronavirusit në botë. Ralph Lauren raportoi një rënie të shitjeve nga 55 në 70 milionë dollarë. Nga ana tjetër, Versace, Michael Kors dhe Jimmy Choo, përjetuan gjithashtu një rënie prej 100 milionë dollarësh sipas CNBC.

Mbyllja fizike e butikëve përbën një tjetër sfidë për industrinë e modës, në një kohë kur kemi të bëjmë me sezonin e prezantimit të koleksioneve, në showroom-et e markave të mëdha. Pavarësisht marrjes së vendimit për të punuar nga shtëpia, apo përmbledhjes së koleksioneve dhe informacioneve në materiale pdf, sërish shitjet nuk mund të kenë suksesin e parashikuar me organizmin e një eventi. Pamundësia për të parë nga afër koleksionet, për të prekur materialet apo për të “përjetuar” shkëlqimin e tyre është një ndër faktorët kryesorë që e bën blerjen e veshjeve në butikë më të suksesshme sesa ekspozimin e tyre online.

Kontributet për të ndihmuar kërkimet për njohjen më të gjerë të virusit dhe përmirësimin e kushteve për ta përballuar atë,kanë sërish një ndikim në fushën e modës. Giorgio Armani dhuroi 1.25 milionë euro në spitalet e Italise dhe nga ana tjetër Versace 144 mijë dollarë për Fondacionin Kryqi i Kuq Kinez.