Një herë e një kohë, të arrije majën më të lartë në tokë konsiderohej arritje e madhe vetëm për një pakicë. Mbi 4,000 aventurierë janë ngjitur në majën e malit Everest, sipas Këshillit Britanik të Ngjitjes së Maleve.
Kompania e udhëtimit “EYOS Expeditions” është bashkuar me kompaninë e zhytjeve private nënujore “Caladan Oceanic” për t'u ofruar pjesëtarëve të publikut një mundësi për t'u bashkuar në një ekspeditë të ardhshme dhe për t'u zhytur në fundin e “Hendekut Marianas” në perëndim të Oqeanit Paqësor.
Kompania do të ftojë vetëm tre persona. Stafi nuk dha asnjë detaj mbi koston për CNN Travel. Por supozohet se do të jetë minimumi 100,000 dollarë, duke pasur parasysh se zhytjet në “Titanic” do t’i kushtonin pjesëmarrësve midis 100,000 - 200,000 $ për person.
Zhytja me nëndetëse do të zgjasë afërsisht 14 orë. Zbritja, e cila është mbi 7 milje, zgjat 4 orë. Gjatë 6 orëve të mbetura, pjesëmarrësit mund të bëjnë foto dhe të eksplorojnë të gjithë zonën. Specialistët do të hipin në anijen e eksplorimit në qershor, ndërsa data e saktë pritet të konfirmohet.
“Zhytësit mbrohen plotësisht nga sfera e titaniumit me trashësi 90 mm dhe nuk pësojnë asnjë presion ose stres fiziologjike," thuhet në deklaratën që njofton udhëtimin.
Nuk kërkohet trajnim përpara nisjes, pavarësisht se do të ketë disa udhëzime. Pjesa e brendshme e nëndetëses është e qetë dhe shumë relaksuese. Ajo ka 2 sedilje shumë të rehatshme dhe kamera të një cilësie të lartë.
Zhytja është pjesë e një ekspedite shumë të gjatë, 6-mujore dhe është vazhdim i ekspeditës “Five Deeps” të zhvilluar vitin e kaluar, për një periudhë mbi 10 muaj.
“Qëllimi i saj është të verifikojë dhe testojë pikat më të thella të mundshme, të mbledhë dhe analizojë mostra shkencorë dhe të zgjerojë njohuritë mbi mjedisin më ekstrem në tokë.”- thotë Ben Lyons, CEO (kryeshef ekzekutiv) i “EYOS Expeditions”.