Me flamuj dhe këngë nga ballkonet – kjo ishte Festa e Çlirimit sot në Itali. Larg grumbullimit dhe daljes jashtë shtëpive, siç do ndodhte çdo 25 prill, sot italianët festuan ndryshe. Vendosën flamujt në dritaret e shtëpive kënduan këngë të gjithë bashkë.
Kur ora shënoi 15:00, qytetarët kënduan këngën “Bella Ciao”, një himn i rezistencës.
Presidenti Sergio Mattarella dëshironte të kujtonte të rënët me një homazh pothuajse privat. Këtë mëngjes, Presidenti italian vizitoi monumentin kombëtar të Vittorio Emanuele II, në Romë, vetëm dhe me një maskë.
“Të gjithë ata që janë në linjën e parë për të luftuar koronavirusin manifestojnë një shpirt që nderon Republikën dhe përforcon solidaritetin e bashkëjetesës sonë”. Kështu shprehet në mesazhin e tij për festën e 25 Prillit Presidenti Sergio Mattarella, i cili vlerëson punën e të gjithë mjekëve, infemierëve dhe punëtorëve që po çojnë përpara Italinë në këtë periudhë të vështirë.
“Së bashku mund t’ia dalim dhe po e tregojmë një gjë të tillë”, thekson kreu i shtetit fqinj. Në një ditë përkujtimi dhe celebrimi, koronavirusi ka bërë që festimet të zhvendosen nga rrugët dhe sheshet për në banesa. Në përkujtim të 75-vjetorit të Çlirimit të Italisë, Presidenti Mattarella vendosi kurora me lule në monumentin e Altarit të Atdheut, me një shesh plotësisht të shkretuar.
25 prilli është dita simbol e betejës popullore për rezitencë ndaj politikës militariste të fashizmit dhe çlirimi i Italisë prej tij nga forcat partizane në fund të Luftës së Dytë Botërore, në vitin 1945.
Zakonisht, veteranët marshonin nëpër qytetet e gjithë shtetit, por këto evente janë anuluar pas krizës nga pandemia e koronavirusit.
E gjithë Italia është izoluar nga 9 marsi, ku afro 26.000 persona kanë humbur jeten gjatë kësaj kohe nga sëmundja.
Ministri italian i Mbrojtjes, Lorenzo Guerin, u ka bërë thirrje njerëzve që të tejkalojnë krizën duke përmendur vlerat e unitetit dhe solidaritetit përgjatë rezistencës së treguar në Luftën e Dytë Botërore.