Televizioni, dashuria e parë dhe e përhershme

“Kamera të do dhe karriera jote do të jetë e gjatë, ke lindur për të bërë television…. Kush nuk do ishte i lumtur si fëmijë pasi të dëgjonte këtë deklaratë nga ata që e njohin mirë botën e televizionit? Dhe kujt ia thonë? Një adoleshenteje, e cila, rastësisht dhe fatmirësisht, u gjend në një vend që sapo do të niste të shkruante karrierën e saj të gjatë televizive. Ndodhi ashtu siç i thanë qysh në fillim: sot numërohen plot 17 vite nga hera e parë kur Albana Osmani doli në ekran, por shpirtërisht ndihet po me të njëjtin pasion për ekranin. E bën mjaft mirë punën e saj, i përkushtohet asaj maksimalisht dhe, ç’është më e rëndësishmja, merr kënaqësinë më të madhe kur kupton që shërben si model frymëzimi për të gjithë ata që e ndjekin dhe që, një ditë, do të kenë mundësinë të ndjekin ëndrrat e tyre ashtu si edhe Albana dikur.

U bë një kohë relativisht e gjatë që i mungon ekranit, megjithatë Albana e ka shfrytëzuar në maksimum për të bërë gjëra të bukura, punë të cilat ose ishin zhvendosur për shkak të prioriteteve, ose prisnin kohën e tyre për t’u bërë publike. Por asnjëherë nuk e ka ndalur hapin, përkundrazi. Vrapin e ka në natyrë, kështu që, në një formë a një tjetër, do ta kapte ritmin për të arritur të tjera ambicie, brenda dhe jashtë televizionit.

Aktualisht, Albana është duke punuar paralelisht për disa projekte. Më i afërti është ai që ka lidhje me ekranin. Ka gati një program televiziv, i cili do t’i dedikohet të gjithë familjes dhe do të sjellë një paketë argëtuese për çdo moshë. Albana është autore, regjisore dhe prezantuese. Pritet që detajet ajo t’i bëjë publike shumë shpejt. E sigurt është që koha e transmetimit është afër.

Për ekranin, projektet e reja që kanë lidhje me televizionin, por edhe për ato që kanë nisur tashmë jashtë tij, Albana rrëfehet në një intervistë ekskluzive për revistën Class.

U bë një kohë relativisht e gjatë që i mungon ekranit, të ka marrë malli për të?

Sigurisht që po. U bë një copë kohë dhe kjo është e vërtetë. Por le të themi më duhej pak pushim. Televizioni është puna e parë që kam bërë në jetë. Dhe ka qenë shumë intensive. Për 17 vite në ekran, në shumë formate kam jetuar plotësisht ëndrrën time. Me shumë, shumë punë dhe shumë përkushtim. Për mua puna në televizion është të jetosh televizionin, jo të bësh një punë që mund ta kesh planifikuar, investuar, bërë çmos në çdo formë ta kesh. Pas studimeve të mia për Arte Vizuale në Liceun Artistik dhe Akademinë e Arteve, ishte dhe nuk ishte rastësi që u gjenda në ekran.

Kërkova punë për graphic design dhe më kërkuan të bëj një provë për prezantuese në pak kohë. Dhe, siç më thanë, që me provën e parë, “kamera të do dhe karriera jote do të jetë e gjatë, ke lindur për të bërë televizion”. Në fakt, si puna e atij “fëmijës së lumtur” dhe konfident, këtë gjë e dija në brendësinë time, ndjeja kapacitetin për të vrapuar fort dhe jo për të bërë thjesht disa hapa. Kjo ishte natyrale tek unë - dhuratë, për të cilën i jam mirënjohëse Zotit. Kur rritesh mes artistëve dhe arti është bruajtur në ty, si rrjedhojë e kësaj, gjithçka në ekran është e pamundur të mos pasqyrohet dukshëm. Është pasuri që të furnizon shpirtërisht dhe nga ana intelektuale, në kohën që ti rritesh edhe formohesh edhe vetë si njeri.

E kam dashur dhe e dua ekranin. E dua ekranin jo për famën, as për paranë apo çdo benefit që të jep të qenit person me një profil publik. Mendoj se e bëj shumë mirë punën time dhe prandaj e dua. Kur ti ndjen se po edukon, po bën që një brez i tërë të të ndjekë dhe je burim frymëzimi për një botë edhe më të integruar, më artistike, më argëtuese, më të lirë, aty është momenti i vrapimit që ti nuk ndalon dot. Është kënaqësi shumë e madhe dhe përgjegjësi po kaq e madhe në të njëjtën kohë. Është ajo çfarë dua të bëj edhe në vazhdim.

Cila është gjëja që të kishte munguar më shumë “jashtë ekranit” dhe nuk e kishe kuptuar?

Në 3 vitet e fundit, kam pasur shumë ngarkesë fizike. Përveç ekranit, me të nisur fushata “Ti je një Luledielli”, koha ime u bë ‘pa kohë’. Pra, një punë me një ritëm shumë të lartë. “Ti je një Luledielli” u bë më e madhe se ç’mund të parashikoja dhe se ç’mund të mbaja. Erdhi një moment që me këshillë mjekësore duhet të bëja pushim, pasi kisha kaluar çdo limit, po flija vetëm 4-5 orë gjumë, pasi isha duke punuar. Pas kësaj paranteze, më lejoni t’ju them që, në fakt, nuk ndalova asnjëherë. Nuk ndaloja dot. Për mua, është mision që do të vazhdojë për sa kohë të kem frymë. Por mora një vendim: u kujdesa pak më shumë për veten përgjatë kësaj kohe që nuk isha e angazhuar në ekran. Gjërat me “Ti je nje Luledielli”, në pak kohë, u strukturuan. Tanimë ka një drejtor ekzekutiv të ri dhe çdo gjë po shkon mrekullisht mirë. Aty nis dita ime dhe me zemrën aty mbyllet. Ekrani përgjatë kësaj kohe më ka munguar, sigurisht, sepse është si tani që jemi në karantinë për shkak të Covid-19. Ti nuk mund të dalësh, të kesh një sjellje si të para dy muajve. Pra, gjendesh në një realitet si në një ëndërr. Dhe e di që për pak do jetë çdo gjë si më parë. Kështu edhe unë, lejova të kalojë një copë kohë dhe do kthehem në realitetin tim. Por nuk do të pendohem për kohën e investuar për motive sublime, kurrë. Largimi nga Top Chanel nuk ishte ai që dëshirohej nga asnjëra palë. Gjithsesi, tashmë kam qenë në shqyrtim të rikthimit në ekran menjëherë dhe kjo, në kushte shumë të mira, aty ku çdo palë përsëri do të jetë e nderuar. Për mua të bësh televizon nuk është të besh biznes. Ndaj këtu do zgjedh atë çka bën diferencë.

Ka një ekran konkret që do ta mirëpresë projektin me të cilin do të rikthehesh?

Është shumë e mirë ndjesia që të duan. Nga natyra, jam shumë besnike, gati në absurditet. Por, siç shkruhet diku në librat e shkruar “Jini të pastër si pëllumbat dhe të zgjuar si gjarpërinjtë”, do zgjedh zgjuar dhe pastër, fundja këtë formë kam zgjedhur ngahera dhe kam gëzuar sukses.

Ke thënë që projekti i ri do të përfshijë të gjithë familjen, a mund të tregosh disa detaje më shumë ku do fokusohet ai?

Unë kam shumë projekte të shkruara. Si prezantuese, si  autore dhe si regjisore kam bërë dhe post-produksionin e të gjitha programeve të mia që kanë qenë në terren, si “Look”, “Kupid”, “Waiting for Supermodel of Albania” dhe kanë qenë në nivelin e Mediaset, duke bërë këtu në Shqipëri historinë e tyre. Aq sa ritransmetoheshin tri herë në javë në fasha orare pasdite e më pas gjatë mesnatës përsëri. Si moderatore, kam arritur të prek çdo format në telelvizon. Kam pasur këtë fat dhe kënaqësinë. Ju garantoj që idetë e mia përfshijnë familjen dhe shumë argëtim. Sikurse mund të jetë një licencë e një formati të njohur që do jetë diçka e re dhe që do ngjallë shumë interes në publik. Është thjesht çështje kohe. Unë jam gati, kjo ka rëndësi. Duke dashur t’i marrim me radhë gjërat, të kalojë kjo periudhë e pandemisë dhe të jemi të gjithë mirë, së pari. Më pas, me radhë do marrim çdo gjë për të sjellë në publik gjëra shumë të mira.

Për programin e ri, së fundi tregova publikisht disa detaje. Pra, përfshin familjen dhe është me shumë sens humori. Tanimë, gjërat kanë shkuar në vendin e vet dhe do kthehem edhe unë në rrjedhën time. Po besoj shumë shpejt, siç po besojmë të gjithë që do kthehemi në rrjedhën normale pas nisjes së mbrapshtë të 2020-ës globalisht.

Luledielli, gëzimi më i madh i jetës

Nëse e pyet ku e ka zemrën, sigurisht që përgjigjja është e menjëhershme: “Te Luledielli”. Kishte punuar shumë, kishte bërë programe shumë të bukura, kishte jetuar kënaqësi e ishte argëtuar pa fund, por shpirti gjeti vend te “Ti je një Luledielli”. Ishte si një thirrje nga lart ajo që e “shkundi” Albanën dhe i tha se ajo ishte e zgjedhura: “Luledielli është e fëmijëve. Kur e them këtë, zemra ime është mbushur me buzëqeshje dhe gurgullon gëzimi më i madh i jetës”, - thotë dhe nuk është e vështirë të kuptosh se ky lloj përkushtimi, i cili në fund nuk përkthehet në të ardhura financiare ashtu si çdo projekt tjetër, ka një shpërblim që Albana nuk do ta këmbente me asgjë tjetër në botë – dashurinë e fëmijëve të sëmurë, një ditë më shumë jetë, një shpresë e një dritë e madhe në zemër.

Ka pasur plot nga ata që, në nisma të tilla humanitare, në mos duan të të zënë rrugën, janë gjithmonë skeptikë kur shohin përkushtimin tënd: “Ç’të duhet kjo punë o gocë?” është pyetja më e thjeshtë që i është bërë edhe Albanës, ka pasur edhe më keq, shumë më keq, por nuk bëhej fjalë për kthim pas, absolutisht, as për dilema. Thirrja për të ndezur një dritë ishte nga lart, Albana ishte zgjedhur për të kryer një mision dhe, kurrsesi, për asnjë çast nuk mendoi të ndalej. Përkundrazi, sa më shumë skeptikë, aq më shumë forcë gjente ajo brenda vetes për të vazhduar: “Kur shtigjet e tua i ka hapur ai që mban në duar universin, kush është kundër teje, është kundër Tij”. Në fund të tunelit ishte drita e fëmijëve – pak jetë më shumë për ta.

Vazhdon të jesh e përfshirë vullnetarisht në një kauzë, e cila të përmbush dhe të jep shumë emocion, aktualisht në ç’fazë është “Ti je një Luledielli”?

Po! E preka dhe pak më lart. Unë ditën time e nis në zyrën e fondacionit. Jam vullnetare. E themelova dhe e drejtova pa pasur rëndësinë e statusit, apo gjëra të këtij lloji që për mua s’kanë pasur kurrë vlerë në një punë të tillë ku ke të bësh me jetë njeriu, është një përgjegjësi e shenjtë. Kënaqësia është kur ti e shikon që po funksionon, kur shikon që njerëzit kanë besim në punë tënde dhe gëzojnë jetën dhe shëndetin pas përpjekjeve të shoqërisë përmes ndihmës së ofruar. E them të shoqërisë, pasi dua ta theksoj gjithmonë, që ishin dhe janë njerëzit që bëjnë diferencën, ndërsa unë dhe stafi ndjekim këtë punë me rigorozitet dhe më gjithë forcën e shpirtit. Ne mbyllëm së fundmi projektin e ‘APP Game’, një projekt që u nominua si një ndër projektet më të mira në botë, nga “World Summit Awards” për “Digital Innovation/ Krijim Digital” në ndihmë të shëndetit. Ne e mbyllëm këtë projekt dhe kemi qenë në fazën e porositjes së pajisjeve të kërkuara nga ana e stafit mjekësor të Spiatlit Rajonal të Kukësit, për foshnjat e spolindura. Sapo të jemi kthyer në normalitet pas pandemisë, do mbyllim me një ceremoni publike në Kukës çdo gjë. Mezi e pres atë ditë. Realizimi i këtij projekti teknikisht, personalisht për mua dhe stafin, ka qenë ndër më të vështirët, por ndër më të bukurit dhe jam shumë krenare për çdo shqiptar kudo në botë, që shkarkoi lojën “You are a Sunflower” për bamirësi. Ndërkohë, kemi shumë projekte të tjera super inovative, siç janë luledielli nëpër Tiranë, tashmë pjesë e një harte digjitale të aprovuar nga Google, do jetë një tjetër hartë humanitare që do e vendosë Shqipërinë në vëmendjen e botës, siç dhe u komentua nga tabloidet e njohura botërore duke u krahasuar me San Françiskon me zemrat e kuqe atje, që ngjanin të shpërndara si lulet e diellit nëpër Tiranë, që ndiznin shpresë dhe përfaqësonin nivelin më të lartë të të qenit njeri mbi çdo gjë tjetër, duke ndihmuar ata në nevojë, si në rastin tonë ku në fokus janë fëmijët.

Ka pasur ndonjë rreth teje (i afërm, mik, shoqe) që të ka thënë “Ç’i hyn kot kësaj pune…”

Ohh, sigurisht! Më keq se kaq. Më kanë thënë “okay, okay, je bërë si njeri lufte nga lodhja, hë tani kur do mbarojë kjo punë? Ka një fund? Ose “shih o goce, bëj atë që bëjnë të gjitha koleget e tua në telelvizon, bëj grim, duku bukur, bëni ato emisione, lëri këto punë se u lodhe, as s’ta di njeri për nder madje". Ose edhe më keq, shumë më keq, më kanë persekutuar me mesazhe, me email-e duke ua dërguar të gjithë atyre që mbështetnin “You are a Sunflower”, duke përdhosur emrin tim në gradat më të fundit, vetëm kanibale dhe vrasëse nuk më kanë bërë, se gjithçka tjetër mund ta kenë shkruar e shënuar në çdo mesazh e email. Ka ndodhur që këto ‘direct messages’ që dërgoheshin në Instagramet e njerëzve që na mbështetnin, i dërgoheshin qoftë edhe një njeriu të vetëm që kishte blerë një bluzë me luledielli duke dashur të shkatërrojnë kështu besueshmërinë në publik dhe duke dashur të ndalojnë punën në ndihmë të fëmijëve. Kanë thyer lulet e diellit nëpër qytet dhe shkarravitur ato. Më kanë thënë shumë versione se kush mund të jetë, si p.sh., një organizatë tjetër, që padashur iu zbeh vemendja dhe e bën këtë punë për karrierë e famë, ndonjë biznes që shet pajisje mjekësore dhe ne nxorëm çmimet në çdo faturë publike dhe ia prishëm shifrat. Por gjithçka mund të them është që është nën investigim dhe po marrin kohën e duhur. Pra, siç dhe e kuptuat, hoqa dorë nga vetja dhe karriera për të ndihmuar me gjithë shpirtin tim dhe nuk ishte e lehtë aspak. Por kur shtigjet e tua i ka hapur ai që mban në duar universin, kush është kundër teje, është kundër Tij. Sidomos në një mision të shenjtë. Preferova ta ndaj me ju këtë gjë në këtë inetervistë, në mënyrë shumë të sinqertë. Edhe pse në çdo rast kam bërë reagime publike, sa herë diçka është munduar ta ndalojë “fluturimin e lulediellit“, duke dashur të nënvizoj përherë përtej vështirësive, se sa e jashtëzakonshme është të japësh pa pritur asgjë në kthim në jetë. Dhe se çfarë ndodhi në këtë histori ishte dhe vazhdon të jetë një mrekulli që ka bashkuar mijëra zemra në ndihmë të atyre në nevojë, që luten ditë e natë për një ditë më shumë në jetën e tyre.

Deri në çastin që i je përkushtuar kësaj kauze, i ke bërë një pyetje vetes “Çfarë kam bërë deri tani?”. Je krenare për veten më shumë se gjithçka tjetër që ke bërë?

Unë e shoh këtë si puna e asaj thirrjes në jetë. Nuk e shoh si diçka që e bëra unë. E shoh si diçka që u thirra unë për të ndezur një dritë. Dhe më pas ishin qindra mijëra njerëz të jashtëzakonshëm që dhanë dhe japin nga zemra dhe bëjnë një diferencë në këtë botë. Jam mirënjohëse! Jam krenare për të gjithë shqiptarët e mirë dhe me zemër të madhe, përulësisht.

Albana, dizenjatore e brandit francez “Reine Ana”

Paralelisht me gjërat e tjera që bën, Albana është gjithmonë duke krijuar. Në tru i vijnë organikisht pamje vizuale që e lidhin gjithmonë me vizatimin, pikturën – të krijuarin. Kështu u gjend edhe si dizenjatore e brandit të ri francez “Reine Ana”, një linjë e re çantash luksoze, dizajni i të cilave mban firmën e Albana Osmanit. Zgjodhi çantë, sepse çanta flet për secilën prej nesh, identifikon personalitetin e asaj që e mban dhe ka zgjedhur ta ketë luksin dhe klasin pjesë të vetes.  

Koleksioni i parë është mbyllur dhe Albana mezi po pret të krijojë të dytin. Po, janë çanta të shtrenjta, por gjithçka është në përpjestim të drejtë me cilësinë e modës së lartë. Për krijimin e tyre, funksionon çdo detaj njëlloj si për çantat e emrave të njohur në botë, Dior, Chanel etj.

Më shumë se gjysma e koleksionit të parë është shitur online dhe të gjithë ata që e kanë vizituar faqen online të “Reine Ana” janë shprehur shumë entuziastë për këto modele interesante të alta modës. Ata që i kanë blerë dhe i kanë pëlqyer edhe më shumë live, natyrisht i kanë dhënë Albanës një kënaqësi më vete. Aktualisht, drejtoresha artistike është në pritje të hapit të radhës.    

Prej pak kohësh, i je dedikuar edhe një linje të re çantash luksoze, që do të vijnë në një treg së shpejti. Pse çanta?

Gjithmonë në një pjesë të trurit tim, në mënyrë konstante, jam duke krijuar. Mbase po flas me ty dhe në background do kem vizatuar dinozaurin që e ka lëkurën me luspa peshkaqeni, të cilin e kam një nga karakteret e preferuara të librit tim me ilustrime të titulluar “Çika“, ende jo publik. Pra, çfarë dua të them është që të krijoj është pjesë e të qenit për mua, e të ekzistuarit, e të perceptuarit. Të dizenjoja çantat e markës franceze, siç është “Reine Ana” për mua ishte shumë kënaqësi. Dhe mund të them që jam natyrë që i çoj gjërat deri në fund, ndaj në kohën dedikuar kësaj pune realizova me shumë përkushtim çdo detaj. Zgjodha çanta, pasi çanta nuk është thjesht një objekt. Çanta lidhet me personalitetin e të gjithëve, flet për të zotin e saj. Sikurse brenda saj mban një “pjesë të jetës”, do preferoja ta mbaja në një çantë high fashion gjithmonë :).

Cili është roli yt në këtë sipërmarrje, veç dizajnit? Po grupi me të cilin bashkëpunon?

Unë jam Drejtoreshë Artistike. Krijuese e dizajneve, pra designer. Gjithashtu, në kompaninë e krijuar kam rolin tim si një ndër sipërmarrësit. Ka pasur shumë interes nga investitorë francezë dhe amerikanë menjëherë. Çdo shqyrtim është i vlefshëm në atë çfarë do t’i sjellë këtij brandi sukses. Kompania është ndërkombëtare dhe ka hapa të tjerë përpara drejt zhvillimit dhe rritjes së saj. Çantat janë prodhuar në Venecia, nga artizanët venecianë. Janë i njëjti nivel për sa i takon cilësisë në çdo detaj, me Chanel, Dior dhe çdo emër tjetër që ka bërë histori në botën e modës. “Reine Ana” është një brand i ri në botën e modës dhe shumë ambicioz për të shkuar shumë larg me çdo komponent inovativ, konceptual, cilësie dhe si biznes drejt një suksesi të garantuar.

Cilat janë modelet kryesore të këtyre çantave; çanta të përditshme, pune, mbrëmjeje?

Çantat janë të frymëzuara nga metropolet, si New York, Londër, Romë dhe Paris. Jane alta moda, high fashion dhe luxury. Pra, janë për të apasionuarit pas çantave që kanë koleksionet e tyre dhe që vlerësojnë një çantë në bazë të shumë arsyeve, përtej pamjes vizuale që janë vërtet shumë të bukura. Mua më vjen mirë që pasi i kanë blerë, kemi marrë komentet, “qenkan shumë të bukura live” p.sh. Kjo për mua si dizajner është kënaqësi më vete. Modelet e çantave janë për të gjitha moshat. Elegante dhe njëkohësisht të konceptuara me hapësirë të mjaftueshme për të mbajtur brenda gjërat kryesore të një femre. Janë elegante dhe pak retro si koncept, por janë kaq unike, saqë janë kërkuar edhe skicat për t’u blerë dhe për t’u riprodhuar nga dezajner të tjerë të njohur. Tani për tani, çantat shiten vetëm online në website zyrtar www.reineana.com, por besoj që në pak kohë kompania do të ketë dyqan fizik në Europë.

1000 euro nuk të duket pak i shtrenjtë si çmim dysheme për tregun shqiptar?

Është më shumë se 1 mijë euro. Jane minimumi 1200 euro. Dhe kjo, si kompani ndërkombëtare, krahasimisht me cilësinë, duke qenë se është brand i ri, ambicioz dhe me qëllime të mëdha, si hap i parë, i ka lirë. Të njëjtat madhësi çantash, dhe koncepti elegant, brande të tjera shumë të njohura tashmë i shesin mbi 3500 euro. Në fakt, ne i prodhojmë në të njëjtën fabrikë, me të njëjtën cilësi dhe me të njëjtët artizanë. Thjesht është emri që bën diferencën dhe kjo është normale. Pasi janë vite investimi dhe suksesi. Uroj që “Reine Ana” për këdo, por edhe për shqiptarët e mi të dashur e të shtrenjtë, të kthehet në të preferuarën e tyre. Fundja, unë jam një shqiptare dhe jam krenare që jam një e tillë. Do të doja ta përzgjidhnin mes të gjitha brandeve të tjera edhe për këtë arsye: ajo që e dizenjon është një shqiptare. I kanë pëlqyer shumë, në fakt, dhe janë blerë menjëherë të parat. Ata që janë të apasionuar pas çantave të lëkurës dhe e njohin kulturën e tyre në detaj, më vjen mirë që arritën të dallojnë edhe lëkurën caviar të përdorur nga YSL apo Chanel, edhe tek “Reine Ana”. Mezi pres të realizoj koleksionin e dytë. Ndërkohë, për këtë të parin, ka ende edhe pak çanta online. Nëse dëshironi të keni në koleksionin e parë pjesë të gardërobës dhe ta ruani, pasi me kohën vlera do t’i shtohet shumë herë më shumë. Kodet unike dhe certifikata do ta bëjnë edhe më të rrallë çantën “Reine Ana” që ju keni dhe do merrni.

Nga numri 80 i çantave fillestare, aktualisht sa janë shitur prej tyre?

Nga katër koleksionet, është shitur më shumë se gjysma. Por rastisi koha e pandemisë, ku ritmi nuk është siç ishte, duket sikur aktualisht ka më pak blerje dhe më shumë vizitorë në website e “Reine Ana”. Siç duket, është normale, pasi ideja e të kursyerit na mbërtheu të gjithëve. Gjithsesi, fansat e këtyre çantave high fashion, shkruajnë çdo ditë me dhjetëra në rrjetet sociale të “Reine Ana” dhe mezi presin të jenë në ditë më të qeta që, pasi t’i blejnë, të dalin menjëherë të shëtitin nëpër botë.

“Pas karantinës, mendoj se do qaj….”

Prej pothuaj dy muajsh, në karantinë. Natyrisht, as Albana nuk e kishte provuar të rrinte kaq gjatë në shtëpi, pa aktivitetin e saj të përditshëm, por me dy prindërit, në një zonë jashtë Tirane, karantina nuk mund të kalohej më mirë. E gjithë dita dedikuar prindërve, jetës së bukur të shtëpisë private me oborr dhe, sigurisht, edhe punëve të lëna pezull që vijojnë edhe në këto kushte. Ka mbetur edhe pak, beson Albana, për të dalë nga kjo gjendje, por është shumë e rëndësishme që për secilin nga ne, kjo të jetë, më shumë se gjithçka, kohë reflektimi – për të gjetur brenda vetes pjesën më të mirë tonën.

Karantina ishte një kohë shokuese për Albanën, sidomos në fillim të saj. Por “beteja e vërtetë vjen pas karantinës”. Jo vetëm për ta mësuar veten me një sjellje të re, por edhe për ta parë ndryshe mënyrën e jetës sonë, përditshmërinë. Veç kësaj, Albana ka përjetuar edhe një periudhë “shoku”, sepse gjithçka nisi të ndodhë në fillim marsi, ajo e kishte shkruar një vit më parë në librin e saj “Çika”: “O Zot, gjithçka po ndodh si në librin tim”… Ishte vetëm fillimi, sepse ajo që do të vijonte, për Albanën, si për shumë prej nesh, do të shërbente si një shkollë më vete: atë që nuk e kemi studiuar në shkollë, nuk na e ka mësuar familja, as shoqëria, por na e ka injektuar jeta – të vlerësojmë gjërat e vogla dhe të qenësishme. Për këtë, Albana thotë se, në fund të së gjithës, do të donte të qante nga gëzimi.

Të ndodh edhe ty si shumë artistëve të jesh më kreative në këtë kohë karantine?

Mua, si shumëkujt, pa llogaritur nëse është artist apo jo, më ndodhi një mungesë përqëndrimi për shumë ditë me radhë. Pra, çfarë po ndodhte në botë ishte krejtësisht e paparashikuar. Flas në të kalaurën, pasi këto ditët e fundit duket sikur kemi më shumë informacion dhe dimë, së paku, të ruhemi, të distancohemi dhe flitet çdo ditë e më shumë për një vaksinë që do dalë, gjë që uroj të jetë sa më shpejt në publik. Më pas, në librin tim që kam shkruar në 2019-ën (ende i pabotuar), një ndër betejat që në kapitujt e parë, është kundër një pandemie që ka pushtuar botën nga një virus i panjohur. Edhe pse unë vetë e kisha shkruar këtë libër dhe dija edhe fundin sipas librit, që njerëzimi shpëton dhe njeriu është i jashtëzakonshëm, nuk mposhtet kurrë, përsëri në një pjesë timen prej njeriu nën panikun e së panjohurës, në çfarë po ndodh në realitet dhe jo në një libër, përsëritja me vete: “O Zot, po bëhet si tek libri”. Në librin tim, njerëzimi vuan, gjithsesi. Por përveç pandemisë, që është periodike, pasi gjendet kura, beteja e vërtetë është një tjetër. Është një libër i zhanrit fantastiko-shkencor. Them se do të ketë shumë të interesuar për ta blerë këtë libër, pasi do të vijë me ilustrime, të cilat po i punoj ndërkohë, dhe do të ketë shumë veçanti edhe për këtë aspekt. Karantina, pra, më gjeti pak të shokuar dhe më pas, dita-ditës, duke dashur të besoj më të mirën, kam ndaluar dhe në pjesë kreative, përveçse kam bërë meditim me leksione pa pagesë të Oprah Winfrey që e ofron në internet.

Si po e kalon ditën, je vetëm apo me prindërit?

Jam me dy prindërit e mi, të cilëve nuk ua ndaj sytë. Kalojmë shumë mirë, vetëm se e kemi lodhur babin sidomos, duke i kujtuar të lajë duart pas çdo pune të vogël që kryen brenda oborrit. Jam në fshat, në Hamallaj pranë Durrësit. Erdha këtu një ditë para se të shpallej gjendje e jashtëzakonshme, për të vizituar prindërit dhe nuk lëvizëm që këtu. Babi im ka bletë, që i ka pranë shtëpisë në oborr, kujdeset për to dhe kalon ditën. Unë e ndihmoj dhe merrem me çdo gje tjetër që duhet brenda oborrit me të dy prindërit. Përveç pazarit të javës dhe dizenfektimit të çdo deataji, si të gjithë ne në këto ditë. Kam punuar mbi librin dhe kam realizuar skica të reja. Kam folur me miqtë dhe jam përpjekur të mbaj moralin lart të prindërve dhe timin. Në jetë nganjëherë këto duhen, asgjë më shumë. Ndaj, me pozitivitet, do ia dalim dhe do jemi përsësi në jetën tonë si më parë, të shëndetshëm dhe mirë.

Cila është gjëja që të pëlqen më shumë të bësh në këtë kohë? Po ajo që të ka munguar më shumë?

Më mungon çdo gjë. Miqtë e mi, dita ime, ritmi. Ndjenja e sigurisë mbi çdo gjë. Por pas çdo shiu, del dielli dhe unë këtë e besoj plotësisht, do të kalojë. Vetëm uroj që kjo kohë të ketë arritur mbi ne njerëzit të bëjë efektin më të mirë të mundshëm, të kemi reflektuar për të qenë versioni më i mirë yni, për të qenë njerëz edhe më të mirë.

Gjëja e parë që do bësh pasi të dalësh nga karantina…

Mendoj se do të qaj. Dhe këtë e them pa humor. Në fakt, këto ditë, sidomos ditët e para, sytë na mbusheshin me lot në çdo edicion informativ. Ishte e pashmangshme. Tragjedi njerëzore po ndodhte kudo. Pra, mendoj se do qaj nga gëzimi. Më pas, do takoj miqtë, shokët dhe dua të përqafoj të gjithë njerëzit. Më pas, si të gjithë, do rend drejt punës e qëllimeve për të arritur.

Ke edhe ti probleme me kilet në këtë periudhë, si ia del me dietën? Je në grupin e atyre njerëzve që kujdesen të mos kalojnë asnjë gram për mënyrën e të ushqyerit?

Jam pak a shumë njësoj me kilogramët, se si njeri nuk shtoj peshë kollaj. Thjesht, jam e relaksuar, nuk kam qenë në një vrap tipik timin. Unë nuk mbaj dot dietë, kam pasur fatin të kem një metabolizëm shumë të mirë dhe gëzoj për ketë, se po të ishte fjala për të mbajtur dietë, me siguri do të dështoja dhe do isha bërë 120 kg deri më sot. Por, siç thonë të gjithë, shëndeti mbi të gjitha, ndaj edhe unë u jap rëndësi këtyre fjalëve, përtej pak kilogramëve më pak apo më shumë.

Ju uroj shëndet si dhe ju falënderoj që lexuat intervistën time dhënë për revistën Class, ndërsa jemi të gjithë brenda në shtëpi të izoluar.

Credits:

Foto & Design: Gerti Ibra