Drejtori kreativ i Gucci-t, Alessandro Michele rrëfeu përmes një njoftimi në Instagram se marka e famshme multimiliardere do të “braktisë ritualin e lodhshëm të ndërrimit të sezoneve dhe sfilatave për të rifilluar një fazë të re’. Në vend të kalendarit tradicional të modës, Michele thotë se “do të takohet me publikun 2 herë në vit për të ndarë kapitujt e një historie të re. Kapituj të pazakontë, të gëzueshëm dhe absolutisht të lirë, të cilët do të shkruhen duke përzierë rregulla dhe zhanre, do të ushqehen në hapësira të reja, në kode lingustike dhe platforma komunikimi.”

Njoftimi erdhi përmes disa shënimeve në ditar, të shkruara gjatë këtyre ditëve izolimi, që e kanë bërë të reflektojë për botën e modës dhe ritualet e saj.
View this post on Instagram
Ky vendim i Gucci-t erdhi pak javë pasi marka e famshme Yves Saint Laurent zbuloi se nuk do t’i prezantonte koleksionet në asnjë prej sfilatave të parashikuara në 2020-ën. Marka me drejtor kreativ Anthony Vaccarello-n and shefe ekzekutive Francesca Bellettini-n, bëri me dije se do të hiqte dorë nga kalendari tradicional dhe do t’i prezantonte koleksionet sipas një perspektive të rifreskuar, të udhëhequr nga kreativiteti.
Vendimet e Gucci-t dhe Yves Saint Laurent erdhën pas evoluimit të kalendarit tradicional të modës, duke përfshirë dixhitalizimin e sfilatës së burrave Pranverë/Verë 2021 dhe kombinimin e sfilatës së burrave me atë të grave, si asnjëherë më parë.