Ajo të lejon të bëhesh ëndërrimtare...I jep krahë imagjinatës dhe "patentën"e përbotshme për të udhëtuar në çdo vend e destinacion të dëshiruar! Pa barriera! Pa drojë! Me doza të maturuara entuziasmi dhe pak magji brenda që vetëm disa gllënjka mund ta japin! Dashamirësit e verës e njohin mirë këtë ndjesi! Por, nuk je thjesht e vetëm një degustator i thjeshtë, por edhe një investitor i mirëfilltë, që ke "ngjizur" një histori suksesi, jo vetëm pse është emri i yt pas kësaj sipërmarrjeje, por sepse ke vënë pasionin si bazën absolute të gjithçkaje, rezultati është gjithmonë ai i dëshiruari. Kjo nuk është një shprehje klishe! Ky është fakt!

Pasioni i tij për verërat është një nga ato historitë tipike të dashurisë, që bëhen më solide me kalimin e kohës! Të gjithë thuajse e njohin Bruno Vespën, personalitetin e televizionit dhe gazetarisë italiane. Me një karrierë profesionale që po i afrohet një dekade, Vespa është etiketa e suksesit në të bërit televizion në shtetin fqinj, por doemos edhe një "peshë e rëndë" në studion e "Porta a Porta", emision të cilin e drejton prej vitesh të tëra në Rai.

Në "normalitetin e ri" që po jetojmë të gjithë, e bota mbarë për shkak të pandemisë globale të Covid-19, formati i Vespës u pezullua vetëm për tri ditë për shkak të një problemi të Rai-t dhe vetëm kaq! Karantina e tij siç shprehet vetë gazetari i njohur në këtë intervistë ekskluzive për revistën Class ka qenë e ndryshme nga e jona. Shumë e moderuar në kufizime dhe izolim dhe shumë pranë normales për një figurë prestigjioze dhe televizive si ai.

Ne kemi dashur që këtë herë të dalim tej kornizës që të gjithë e njohin VESPA-n! Jo si moderator, as si gazetar, as si autor librash e si një njeri që formulën e diskreticionit e ka në lëkurë sepse siç thotë ai vetë: një njeri që është gjithë kohës në televizion, dozat e konsumit në daljet e tjera publike duhet t'i ketë shumë të moderuara që të mos e teprojë...Ai përtej të gjitha përcaktimeve ka treguar se është edhe një sipërmarrës me intuitë dhe tejet elegant në zgjedhje dhe shije kur vjen puna tek bota e pafundme e verërave.

"Il bruni dei Vespa", nuk është etiketa e një vere të zakonshme, është shija e një vere herë intensive dhe herë e lehtë, karakteristikë kjo e tokës puliane. Me origjinë nga L'Aquila, fytyra e njohur e Rait ka investuar në kantinën e tij Futura14, e vendosur në Manduria në zemër të Salentos. Vreshtat tipike janë rritur këtu, si Primitivo dhe Negroamaro, të cilat janë baza e verës Rosso Puglia, për shembull. Plantancionet ai i ka kultivuar sipas teknikës së fidanëve që gjenden në Manduria, 90 metra mbi nivelin e detit, në tokat e baltës, ndërsa hardhitë e moshës 15-20 vjeçare janë aty si dëshmi e një zgjedhjeje të mirëmenduar nga ana e Vespës dhe vreshtarëve më profesionistë të zonës.

Duke lëkundur gotën dhe duke e afruar atë tek hunda, do të perceptosh një tufë lulesh intensive dhe të dendura të përbëra jo vetëm nga rrushi, por edhe lëvozhgat e frutave, me një përmbajtje të mirë të alkoolit, aromat e balancuara ja lënë vendin "takimit" me lulet e qershisë, rrushit pa fara,  kumbullës së thatë, vaniljes, etj.

Përmes kësaj interviste ne do të zbulojmë më shumë për marrëdhenien e një të "Dashuruari", kështu e quan Vespa raportin e tij me verën! Por, edhe plot detaje të tjera nga jeta e ikonës së ekranit dhe gazetarisë italiane.

- Të kuptosh verën, çfarë do të thotë për ju?

Do të thotë t’i njohësh shpirtin, pasi vera është një krijesë e gjallë.

- Giacomo Tachis thoshte ,"Vera e do frymën e detit". Si lindi ky pasion dhe përse Pulia?

Tachis ishte një mik i imi dhe ai ishte i pari që bëri verëra të shkëlqyera në det. Edhe vreshti im më i rëndësishëm i Primitivo-s në Pulia është gjithashtu afër detit. Pasioni im është i hershëm, gjatë dyzet viteve të fundit kam ndjekur historinë e verës italiane nëpër periudha të mira dhe në kohë të këqija. Kur u bëra prodhues i verës, zgjodha Pulian sepse ende nuk ka marrë të gjitha çmimet që meriton për verërat e saj të shkëlqyera.

- Mentori juaj në enologji është një emër i shkëlqyer i kulturës së verës në Itali, mjeshtri i gotës, Luigi Veronelli. Tri gjëra që ju ka mësuar për verërat?

Ta duash CRU-në, pra vendin ku ekzaktësisht zhvillohet një vresht. Rëndësia e barrique-ve (fuçi druri). Mundësia që verërat e shkëlqyera të mund të vijnë nga jashtë DOC (Denominazione di Origine Conrollata/Përcaktim i Origjinës së Kontrolluar)Antinori ishte e dëshpëruar sepse “Tignanello” nuk kishte përcaktimin e origjinës. Veronelli i tha: Ç’të intereson? Quaje verë tryeze, është kaq e shijshme...

- Përveç etiketës suaj, për të cilën është e ligjshme të jesh krenar, cili është vera më e mirë italiane?

Nuk ekziston më e mira. Gishtat e duarve nuk mjaftojnë për të numëruar ekselencat.

- Të kuqe apo të bardhë për Dr. Vespën?

E pse jo rosé? Çdo verë ka pjatën e saj...

- Gjithmonë ka pasur një konkurrencë të madhe midis Francës dhe Italisë për verën. Si do t’i përshkruanit të dyja?

Të kuqtë e mëdhenj italianë ndonjëherë i mundin ata francezë. Francezët janë të pakapërcyeshëm në komunikim. Ata refuzojnë të marrin pjesë në degustacione të verbëra me verërat tona. Kanë frikë se humbasin dhe me të drejtë thonë: Ne nuk shesim një verë, ne shesim Francën.

- Me pak fjalë, si do ta përcaktonit marrëdhënien tuaj me verën?

Prej të dashuruari.

- Në ndërmarrjen Vespa Vignaioli, ju punoni si zhvillues i markës apo ju pëlqen më shumë toka dhe ndiqni proceset në vreshta?

Secili është Zot në zanatin e vet. Unë ndjek gjithçka, nga A-ja në Zh: ndonjëherë sugjeroj, por nuk ndërhyj.

- Kush prodhon pi dhe i shijon shumë, apo jo? Vera bëhet në vresht!  Një slogan romantik që synon të tregojë rëndësinë e punës në vresht. Çfarë do t'i shtonit kësaj thënieje?

Vera bëhet në vresht, por kontributi i verëtarëve është gjithnjë e më i rëndësishëm.

- Ju nuk prodhoni verëra për biznes, por për pasion. A shkojnë mirë shitjet?

Pasioni ka qënë thelbësor, por do të isha i çmendur nëse nuk do të shikoja llogaritë, duke pasur parasysh investimet që kemi bërë.

- Në cilin treg shisni më shumë?

Shtetet e Bashkuara, por me sasi të vogla jemi të pranishëm në rreth njëzet vende.

- Enologu duhet të jetë i zoti, në mënyrë që të mos shkatërrojë atë që ka krijuar natyra! Çdo të thotë respekti për natyrën kur prodhon verë?

Vreshtari i mirë mund të shpëtojë një të korrë të keqe. Vreshtari i keq mund të prishë një të mirë.

-Cilin mjet komunikimi mendoni si ideal për promovimin e kompanisë suaj?

Komunikimi tani është global. Në Shqipëri, dhe më gjerë, është thelbësore çdo gjë që bëj…

- A preferoni të qëndroni më shumë në vresht apo në kantinë?

Në vresht për të përkëdhelur fidanët, në kantinë për t’i ndjerë frytet.

- Është më e vështirë të prodhosh verë të bardhë apo të kuqe?

Çdo verë ka nuancat e veta të vështirësisë.

- Eksportoni verë Vespa në 22 vende të botës! A është Shqipëria një treg interesant?

Shumë interesant. Është një vend me zhvillim të shpejtë me një dëshirë të fortë për të jetuar.

- Ku mund të blihet vera tuaj në Shqipëri?

Në enotekat dhe restorantet e Tiranës. Por, do të donim të zgjeroheshim edhe në zona të tjera.

-Si do ta përshkruanit Italinë e verës? Nga Jugu në Veri?

Veriu ka një traditë të konsoliduar të verërave. Jugu është një surprizë e vazhdueshme.

- Verë e mirë, me miq të mirë, thonë ... Kush janë njerëzit me të cilët ndani gjithmonë me kënaqësi një gllënjkë verë? (Një marrëdhënie e pathyeshme ajo mes jush dhe bashkëshortes suaj, 40 vjet histori dashurie. Sfida më e rëndësishme e një martese të gjatë si e juaja?)

Bashkëshortja ime është tërësisht e përfshirë në projekt. Ajo mbikëqyri rinovimin e fermës tonë“Ferma Li Reni” (www.masserialireni.com) një fermë e 1500-ës. Vitin tjetër, do të dalë një verë e bardhë e shkëlqyer që do të mbajë emrin e saj, Donna Augusta.

- Si e përkufizoni veten si baba? Çfarë ju kanë mësuan fëmijët?

Unë besoj se jam një baba i mirë në përgjithësi. Fëmijët përpiqen të më përmirësojnë...

- Kush është Bruno Vespa?

Një burrë me fat.

*****************************************

-Etiketoheni përgjithësisht si një person diskret në lidhje me paraqitjet publike dhe mediat. A është e diktuar zgjedhja juaj nga fakti që jeni çdo javë protagonist në ekran me programin tuaj apo ka faktorë të tjerë që ndikojnë?

Ata që shfaqen shumë në ekran nuk duhet ta teprojnë me paraqitjet e tjera publike.

-Cila është situata aktuale në Itali? Programi “Porta a Porta” u pezullua pak ditë për shkak të pandemisë globale! A ju mungoi ekrani, studio televizive, audienca, marrëdhënia me publikun, çfarë tjetër? Si ishte karantina juaj?

“Porta a Porta” u pezullua vetëm për tre ditë për shkak të një gabimi nga Rai. Për pjesën tjetër të kohës ishim në transmetim rregullisht. Prandaj, karantina ime personale ishte e pjesshme dhe shumë më e rehatshme se ajo e shumicës së njerëzve.

-Kush është kritiku juaj më i madh për sa i përket karrierës tuaj profesionale? Keni pasur një mentor në TV?

Kam mësuar ndërtimin e shërbimeve nga Sergio Zavoli, saktësinë e informacionit nga Emilio Rossi dhe aftësitë organizative nga Biagio Agnes.

-Italia po kalon një periudhë të vështirë; u preken turizmi, tregtia, dhe të tjerë sektorëtë ekonomisë. A do të ndikojë e gjithë kjo drejtpërdrejt në "xhepat" e italianëve? Sipas mendimit tuaj, cilat janë skenarët e mundshëm për të dalë nga kjo krizë?

Qeveria ka ndërmarrë shumë masa ndihmëse. Por Italisë i duhen reforma të mëdha. Shpresoj që t’i bëjnë.

-Media dhe gazetaria janë goditur shumë nga kjo pandemi! Si e shihni të ardhmen e televizionit Post Corona?

E gjithë bota e informacionit, duke filluar nga televizioni, kërkohet të jetë gjithnjë e më e saktë.

-Dr. Vespa, programi juaj "Porta a Porta" është shumë i ngjashëm me programin "Opinion" të Blendi Fevziut këtu në Shqipëri. Ju jeni intervistuar nga Fevziu 11 vjet më parë, me rastin e vizitës suaj të parë në Shqipëri. Çfarë përshtypje ju la ajo intervistë, po Shqipëria, drejtuesit politikë që keni pasur mundësinë të takoni në atë kohë?

Blendi është një profesionist ekselent dhe një mik. Më bëri një përshtypje të shkëlqyer. Kur vij në Shqipëri takoj si liderët e mazhorancës ashtu edhe ata të opozitës. Niveli i klasës politike më duket i mirë dhe ju keni një kastë shumë të mirë politikanësh të rinj.

-Cila është dita juaj e zakonshme tani që jetoni larg televizionit? A jeni duke shkruar një libër të ri?

Pushoj, merrem me verërat dhe fermën e bukur Li Reni që kemi në Pulia, si dhe po përgatis librin që do të dalë në treg në fund të tetorit. Krahasimi i dy diktaturave: fashizmi dhe Covid...

-Dimë që lexoni shumë, çfarë libri keni aktualisht në duar?

Unë kurrë nuk kam lexuar një libër të vetëm. Zgjedhja varet nga humori dhe koha e disponueshme. Aktualisht, përveç librave mbi fashizmin dhe ato mbi Covidin,  po lexoj "Annali" të Tacito-s, "Lufta dhe Paqja" e Tolstoit, “Perturbamento” i Bernhard, “Versioni i Barney-t” i Richler dhe po rilexoj përsëri Princin e Machiavelli.

-Një autor që do të këshillonit pa u menduar fare?

Anna Karenina nga Tolstoi në përkthimin e ri, të shkëlqyeshëm nga Einaudi.

-Një betejë në Itali ligji për Fake News. Sa i rëndësishëm është ky hap për demokracinë në media?

Lajmet e rreme janë shkatërruese sepse duke përfituar nga kultura bazë modeste e shumë njerëzve ata insinuojnë informacione shumë të rrezikshme.

-Mungon në mediat sociale ?! Çfarë mendoni për botën që po bëhet gjithnjë e më shumë dixhitale?

Nuk më pëlqejnë mediat sociale. Unë besoj se ato janë më shumë të rrezikshme sesa të dobishme.

-Në përvojën tuaj, a do të ekzistonte një parim i gazetarisë për të ndarë me gjeneratën e ardhshme të gazetarëve të rinj?

Gjithmonë kontrolloni burimet tuaja me shumë kujdes përpara se të transmetoni ose shkruani ndonjë lajm.

Credits:

Design: Xhesika Berisha