- 27-vjeçar?

- Po!

- Sipërmarrës?

- Po!

- Italian?

- Po!

- Simpatik?

- Shumë…

- Çfarë po pret?

- Prit, prit, nuk është gjithmonë ashtu siç duket.

… Historia e tij është tjetër, krejt tjetër nga ajo që të gjithë ne kemi krijuar, njohur apo ëndërruar për “princin e kaltër”. Dhe, për më tepër, Pasquale është një “princ i kaltër”, por në një kuptim tjetër, ndryshe nga identifikimi i zakonshëm që i bëjmë ne këtij togfjalëshi. Është princ për t’u adhuruar për guximin, kurajën dhe dëshirën për të arritur çdo ëndërr, pavarësisht pengesave. Është princi i shumëndërruar i ditëve tona – për të gjithë bashkëmoshatarët, brezin e ri, për ata që mendojnë se 27 vjeç është shumë herët për të nisur një sipërmarrje, për ata që në këtë moshë vijojnë ende të shijojnë kafet e prindërve, për skeptikët që mendojnë se ëndrrat mbeten thjesht të tilla, por edhe për vajzat… Pa dyshim, edhe për ato. 

Jeta e vërtetë për Pasquale Minasi-n, themeluesin e kompanisë “BlueMagic Group” do të niste në moshën 20-vjeçare, 7 vjet më parë, kur e gjeti veten në mes të Londrës, pa ditur asnjë fjalë anglisht dhe vetëm në kërkim të një pune për të mbajtur veten. Djaloshi nga Napoli nuk e kishte menduar se ishte kohë e shkurtër ajo që i duhej të kapërcente derisa të bënte gjërat që donte, por ishte ende i pasigurt dhe në pritje të ditëve më të mira. Dhe, derisa të vinin ato, Pasquale vendosi të niste nga e para…

Pak para organizimit të një eventi mjaft të rëndësishëm në Tiranë, ku “BlueMagic Group” do të rekrutojë dhjetëra të rinj për t’u dhënë mundësi të reja në Britani, ne përfituam nga rasti për ta ‘rrëmbyer’ për pak protagonistin, i cili u tregua i gatshëm për të qenë pjesë e publikut shqiptar dhe për të ndarë me të gjithë historinë e tij, e cila, për hir të së vërtetës, nuk është vetëm frymëzuese… Është më shumë ëndërrimtare.  

Si lindi e gjithë kjo industri, pse një sipërmarrje si transplanti i flokëve?

Gjithçka lindi 9 vjet më parë, kur unë takova atë që sot e kam partner në biznes, Hazem Altal, në Stamboll. Kishim parë që ndërhyrjet plastike kishin mjaft interes, ky biznes po rritej shumë shpejt, madje ishte numri një në botë në atë moment. Më shumë se 2 milionë njerëz, në vitin 2018, vinin në Stamboll nga e gjithë bota. Edhe transplanti i flokëve ishte po ashtu një nga ndërhyrjet që po zgjonte gjithmonë e më shumë interes. Kisha parë që shumë njerëz në Stamboll vinin për të kryer transplant flokësh. 3 vjet më parë, unë kam kryer vetë transplant flokësh dhe pas kësaj mund të flisja me bindje të plotë për cilësinë e një ndërhyrjeje të tillë. Gjithçka është çështje besimi dhe unë këtë po kërkoja deri në atë kohë.

Hazem Altal është ai që të nxiti të kryesh transplantin?

Sot, atë nuk e kam vetëm partner në biznes, por e kam edhe shok, edhe vëlla. Jemi shumë të ndryshëm nga njëri-tjetri, ai është më i qetë, është vërtet shumë ndryshe nga unë. E takova Hazem në Stamboll rreth 9 vjet më parë. Asokohe, ai punonte në këtë treg, pra në kirurgjinë plastike dhe në transplantin e flokëve. Që kur e takova, ai kishte dëshirë për ta zgjeruar biznesin, të bëhej dikush në këtë treg. Por edhe unë kisha të njëjtën dëshirë, sepse po më pëlqente gjithçka nga ky treg. Kështu folëm dhe vendosëm të bëjmë diçka bashkë, filluam, nisëm punën dhe pas disa vjetësh, unë bëra edhe transplantin tim të flokëve. Ndërkohë, themeluam edhe “BlueMagic Group” në Stamboll. Kështu, unë jam pacient. Po kush më shumë se unë mund ta promovojë një punë të tillë dhe një sukses të tillë? Nuk po them diçka që nuk e kam provuar. Unë e kam provuar, e kam bërë vetë dhe e kuptoni që është ndërhyrje, nuk është thjesht një gotë ujë që pi.

Ku e ke gjetur frymëzimin për ta bërë këtë gjë?

Shiko, shenja e parë është një shenjë e fortë: momenti kur kuptova atë që do të përfaqësonte të ardhmen time. Unë vendosa të bëj vetë transplant flokësh. Ju e dini, sepse edhe për vajzat është po njëlloj. Humbja e flokëve ka të bëjë me besimin. Sot, në Stamboll, ne kemi edhe 3 zonja që do të kryejnë transplant flokësh, nga Britania, Kanadaja dhe Italia. Është një biznes që po rritet edhe për gratë.

Kështu, siç e thashë, e nisa këtë, sepse kam bërë vetë transplant, pashë rezultatet dhe u ndjeva besimplotë. Pra, pashë rezultatet dhe kuptova cilësinë që ka transplanti i flokëve. Kjo është shumë e rëndësishme, sepse cilësia, eksperienca dhe mënyra se si performon transplanti i flokëve te klientët çon në rezultate të mira. Kështu që gjithçka doja të bëja është të ndërtoj këtë për të ndihmuar njerëz në të gjithë botën, në mënyrë që t’u kthej atyre besimin e humbur.

Zyra e parë e “BlueMagic Group” është hapur në Londër, pse aty dhe jo në Itali? Ju jeni italian apo jo?

Shiko, kështu ishte e thënë të niste. Unë jam italian. Shkova në Londër kur isha vetëm 20 vjeç. Kam një histori interesante kur u zhvendosa në Londër, sepse nuk dija asnjë fjalë anglisht. Vetëm 7 vjet më parë. E nisa si banakier, punoja në një bar, praktikoja anglishten pak nga pak dhe pas një viti, nisa punë në një nga kompanitë më të mira real estate në botë, me më shumë se 300 zyra në të gjithë botën. Ishte dhe është akoma edhe sot mjaft e njohur për shitje dhe qira shtëpish e pronash të tjera. Gjatë rrugëtimit dhe bashkëpunimit atje, u bëra një top negociator për dy vite me radhë. Ata më quanin “italian cowboy”. Akoma edhe sot kemi marrëdhënie shumë të mira e vijojmë të bashkëpunojmë.

Në të njëjtën kohë, po hapja zyrën “BlueMagic Group”. Hapa zyrën e parë në Londër, rreth 6 vjet më parë, por, siç ju thashë, vazhdoja të punoja ende në agjenci. Fillimisht, puna nisi me konsulta dhe disa bashkëpunime globale, që do të thotë nisëm kontaktet me mjekë, klinika, por edhe sallone barbershops në të gjithë botën që kishin interes për këtë lloj biznesi.

Dhe ja ku jemi, vitin e fundit edhe një zyrë e re në Tiranë…

Pse zgjodhët Shqipërinë për të hapur këtë biznes?

Është shumë e thjeshtë. Arsyeja e parë ka të bëjë me kushtet financiare, këtu janë më të favorshme në këtë drejtim. Por nuk është kjo arsyeja themelore. Sepse edhe Stambolli i tillë është. Arsyeja kryesore është që unë kam një marrëdhënie shumë të mirë me shqiptarët. Kam miq shumë të mirë, njerëz që i njoh. Që kur isha në Itali, por edhe në Londër. Më pëlqejnë shqiptarët, sepse më duket se ngjajmë bashkë. Unë jam nga Napoli dhe më duket se kemi të njëjtin pasion, duam të rritemi…. E shoh veten shumë këtu. Mendoj se Tirana është vend shumë i mirë, këtu gjen njerëz ambiciozë që dinë gjuhë të huaja, që kanë interes edhe për biznesin tonë. Unë dua t’i ndihmoj këta njerëz…. Ka diçka që ia them shpeshherë edhe stafit tim: "Unë dua t’ju përgatit për atë që ju do të jeni nesër, nuk po ju përgatit që ju të punoni për mua. Dua që të jeni në një pozitë më të mirë, sepse ne jemi kompani gjithmonë në rritje dhe u ofrojmë të rinjve mundësi të pafundme për të qenë pjesë e akademisë sonë".

Si ka nisur puna në Tiranë, ka këtu interes për transplant flokësh?

Deri tani po shkon mjaft mirë. Kemi mbyllur një bashkëpunim me “Tirana Bisnes University”, kemi një ekip të fortë, i cili shumë shpejt do të plotësohet edhe me anëtarë të tjerë. Deri tani, stafit i janë bashkuar shumë djem e vajza të zotë, por presim edhe të tjerë gjatë këtyre ditëve që, pa dyshim, do të ndihmohen edhe nga eventi që kemi organizuar te Plazza.

Në fakt, ka nisur nga diçka që kemi bërë vitin e kaluar. Kemi bashkëpunuar me disa agjenci rekrutimi, kemi zgjedhur kandidatët më të mirë për akademinë “BlueMagic Group”. Presim të zgjedhim njerëzit më të fortë dhe më ambiciozë. Deri tani kemi bërë shumë intervista, por deri në fund do të ketë disa procese përzgjedhjeje.

Gjithçka po ecën me ritme të shpejta dhe jemi optimistë. Natyrisht, presim që gjithçka për akademinë “BlueMagic Group” të rritet sidomos pas rekrutimit 1-javor në të cilin do të shfaqim një tablo më të qartë të akademisë dhe të rinjve që do të bëhen pjesë e saj.

Çfarë do të ndodhë në Plazza?

Që t’ju bëj ta kuptoni më mirë. Akademia “BlueMagic Group” ka për qëllim të zgjedhë njerëzit më të zotë për t’u bashkuar me ne e për t’u bërë pjesë e jona. Rekrutimi nis kështu: ti aplikon me një CV, në të cilën kërkon që të punosh me ne, testohesh në aftësitë e gjuhës së huaj, pastaj bën një intervistë ballë për ballë me menaxherin. Nëse i kalon këto faza, intervista e fundit është me themeluesin e akademisë. Pastaj unë zgjedh kandidatët më të mirë që i ftoj të kenë mundësinë të ndjekin akademinë. Akademia është intervista finale dhe është mjaft impenjative. Kemi një trajnim që nis nga ora 9.00 në 17.00 për “BlueMagic Group”, pra flasim për çfarë bëjmë dhe si e bëjmë. Janë 7 ditë intensive për të treguar gjithçka ndodh me kompaninë tonë, në fund të të cilave ne zgjedhim kandidatët më të mirë që do të bashkohen me ne.

Sa do të pranohen gjithsej në Akademi?

Do të pranohen 20 – 25 persona, më të mirët. Por aplikimet deri tani kanë qenë me qindra, pra, siç e kuptoni, është shumë intensive. Ka njerëz që më thonë “je i çmendur, je bërë si call center”. Por unë nuk mendoj kështu. Unë nuk jam call center, por thjesht dua t’u jap mundësi të gjithëve për të qenë liderët më të mirë. Dhe po shikoj për njerëz të fortë që dua t’i kem pas vetes.

Domethënë, diçka e madhe po vjen…

Po, diçka e madhe po vjen dhe kjo është edhe arsyeja pse është zgjedhur Alketa si bashkëpunëtorja më e mirë…

Po, si lindi bashkëpunimi me Alketa Vejsiun?

Alketën e kam njohur nga një miku im, Lamberto. Ishte ai që më tha se ishte personazhi më i mirë që duhet të ishte në një event me përmasa të tilla. Alketa është, sepse është më e mira në treg, por nuk është thjesht sepse është më e mira dhe sepse është prestigj… Është njeriu i duhur në kohën e duhur. Ajo është një sipërmarrëse e suksesshme që menaxhon shumë njerëz, drejton një kompani ndër më të mirat në treg dhe gjithçka rreth e rrotull saj trajtohet me shumë class.

Pasquale Minasi dhe “BlueMagic Group” do të jenë ekskluzivisht në Tiranë, më 28 shtator deri më 2 tetor, në Plazza, në Tiranë, për të prezantuar një program të gjatë që ka në fokus akademinë. Në fund të këtij takimi 1-javor, do të rekrutohen kandidatët më të mirë që do t’i bashkohen “BlueMagic Group”. Janë ata që do të nisin një rrugë të gjatë e cila ka si definicion ëndrrën. Pavarësisht eksperiencës së gjatë në këtë fushë, Pasquale është gjithmonë në kërkim të metodave bashkëkohore dhe atyre që janë përputhje me interesat e klientëve. Raporti “pasion – cilësi – sukses” është përkthyer mjaft mirë në "BlueMagic Group", ndaj edhe për vetë themeluesin e saj, asgjë nuk është më e pamundur. Megjithatë, vizioni nuk mund të ndalet…. Pasquale vazhdon të investojë dhe të jetë në kërkim të ideve të reja që ky biznes të sjellë sa më shumë fryte edhe në Shqipëri.

Pasquale e nisi nga banaku i një bari në Londër… Por ëndërronte të shkonte më lart. Dhe ia arriti. Sepse besoi dhe beson akoma se, nëse punon fort për të arritur ëndrrën, asgjë në botë nuk mund të të pengojë ta prekësh: "Çdo ëndërr e madhe fillon me një ëndërrimtar. Mos e harroni asnjëherë që brenda vetes keni forcën, durimin dhe pasionin për të arritur qëllimet tuaja”.