Një fëmijë 11-vjeçar në Napoli ka rënë pre e lojës Jonathan Galindo. Emri i këtij personazhi u bë i njohur, pasi një sfidë e re si Balena Blu, u bë virale në mediat sociale. Kjo lojë nxit të rinj të pafajshëm për të kryer vetëvrasje.

Jonathan Galindo është një lojë që shfaqet në internet si një njeri me kapuç të zi, i ngjashëm me personazhin Goofy të Disney-t. Ky personazh u dërgon fëmijëve kërkesa për miqësi në çdo kanal të mundshëm social, nga Facebook, në Instagram, Tik Tok apo Twitter. Preja e saj janë fëmijë ose adoleshentë, të cilëve u kërkon të bëhen pjesë e sfidave vdekjeprurëse.

Pikërisht kjo lojë e shtyu fëmijën nga Napoli të hidhej nga ballkoni. Sipas mediave italiane, fëmija nuk kishte ndonjë problem të veçantë, ai ishte i shëndetshëm dhe i lumtur, merrej me sport dhe ishte i integruar në mënyrë perfekte në shoqëri.

Para se të hidhej, fëmija la një letër për prindërit e tij, duke shkruar:

“Mami, babi ju dua shumë, por duhet të ndjek burrin me kapuç.”

Në korrik të këtij viti Policia e Shtetit ngriti alarmin se ishte rishfaqur një tjetër lojë e rrezikshme në internet, njëlloj si Balena Blu dhe Momo, lojëra të cilat kanë çuar drejt vetëvrasjes fëmijë dhe adoleshentë.

Pas njoftimit pati denoncime edhe në vendin tonë, ku brenda një jave në Linjën Kombëtare të Ndihmës për Fëmijë, “Alo 116”, mbërritën 5 sinjalizime.

Psikologët u bëjnë thirrje prindërve të jenë të vëmendshëm ndaj faqeve që fëmijët eksplorojnë në internet. Gjithashtu ata duhet t'u kushtojnë rëndësi fëmijëve, nëse ndryshon diçka në humorin e tyre, në rutinën ditore, në higjienën personale apo nëse nuk janë më të komunikueshëm si më parë.

Lexo edhe:

Loja e rrezikshme mbërrin në Shqipëri, fëmijët kontaktohen nga ‘Jonathan Galindo’