Pak ditë më parë, Policia e Shtetit njoftoi për një lojë të rrezikshme, të quajtur “Jonathan Galindo”, njohur edhe si “Cursed Goofy”, që po qarkullonte online dhe u bëri thirrje prindërve për kujdes.

Njerëz anonimë që fshihen pas personazhit “Jonathan Galindo” i nxisin fëmijët të bëhen pjesë e një loje që mund t’i çojë deri në vetëvrasje.

Së fundmi janë denoncuar edhe rastet e para në Shqipëri.

TV Klan raporton se në Linjën Kombëtare të Ndihmës për Fëmijë, “Alo 116”, kanë mbërritur 5 sinjalizime brenda 1 jave.

“Bëhet fjalë për një adresë, që është në Instagram, fëmijët janë kontaktuar nga e njëjta adresë. Disa biseda janë bërë në shqip, disa biseda janë bërë në anglisht. Pra akoma duhet parë se kush është personi që fshihet pas asaj adrese. Janë të grupmoshës 10 deri 16 vjeç që na kanë sinjalizuar”, -thotë për Tv Klan, Mirgit Vata nga “Alo 116”.

Faqja e denoncuar është mbyllur, por ende nuk është bërë i mundur identifikimi i personit. Sipas psikologes Moza Sula, më të rrezikuar janë fëmijët që kalojnë shumë kohë në internet apo ata që bëjnë një jetë të varfër sociale.

“Nëse ndryshon diçka në humorin e fëmijës, në rutinën ditore, në higjienën personale, nëse nuk është më i komunikueshëm si më parë... Eksplorimi në faqe të pakontrolluara mund ta bëjë fëmijën burim viktimizimi në çdo moment prandaj është shumë e rëndësishme të bëhet kontrolli nga ana e prindërve”, -shprehet ajo.

Loja është e ngjashme me “Balenën Blu”. Nëse fëmijët e kontaktuar nga “Jonathan Galindo” do të pranojnë të luajnë, sfida mund të zgjasë 50 ditë, me 50 sfida të ndryshme dhe sfida e fundit mund t’i çojë fëmijët deri në vetëvrasje.

Lexoni edhe:

Policia e Shtetit thirrje prindërve! Kujdes, kjo lojë virtuale po i çon fëmijët drejt vetëvrasjes