
Ditën e sotme do të mbahet protesta e katërt kundër ndërtimit në zonën e mbrojtur të Zvërnecit në Vlorë. Pas protestës së djeshme, ku bulevardi “Dëshmorët e Kombit” u mbush nga qytetarë për tre orë me radhë, nga ora 18:00 në orën 21:00, qytetarët kanë vendosur që sot në orën 18:00 të mbajnë tubimin e radhës.
Ata lëshuan thirrje kundër qeverisë si dhe shpalosën një sërë kërkesash. Parrullat ishin të drejtuara kundër të dy anëve të politikës, ku nuk munguan thirrjet “Rama burg, Berisha burg”.
Protestuesit kërkojnë anulimin e projektit të ndërtimit në zonën e Zvërnecit, duke e cilësuar atë si ndërhyrje në një zonë të mbrojtur dhe duke akuzuar qeverinë për favorizim të interesave private në dëm të pronës publike.
Nga ana tjetër, ata pretendojnë se investitorë të ndryshëm po përfitojnë nga toka shtetërore në mënyrë të padrejtë.
Ndërkohë, kryeministri Edi Rama në konferencën e mbajtur ditën e djeshme së bashku me presidentin e Këshillit të Europës, u pyet lidhur me ngjarjen në Zvërnec. “Investimi nuk ndalon sa kohë unë jam këtu”, tha ai.
