Një aksident në orët e para të mëngjesit ka rezultuar fatal për 43 vjeçarin Ernis Xhumari në Lushnje.

Mjeti tip Benz ka qenë duke udhëtuar me shpejtësi të lartë dhe ka goditur bordurën e rrethrrotullimit më pas është përplasur me shtyllën e ndriçimit dhe ka përfunduar dhjetëra metra larg.

Fatkeqësisht 43 vjeçari ka ndërruar jetë në vendngjarje. Policia bën me dije se një “Mercedes-Benz” u pa duke kryer manovra përpara komisariatit, më pas drejtuesi ka dalë dhe ka bërtitur, një veprim ky i përsëritur disa herë.

Pasi ka parë patrullën e policisë që ishte njoftuar për të, Xhumari është larguar me shpejtësi dhe ka pësuar aksidentin.

Ai ka goditur bordurën e rrethrrotullimit, më pas është përplasur me shtyllën e ndriçimit dhe ka përfunduar disa metra larg, i përmbysur. 

Ernis Xhumari mësohet se është vëllai i zv/ministres së Mjedisit Elda Xhumari.

Njoftimi i policisë:

Lushnjë / Informacion paraprak

Rreth orës 01:45, të datës 02.06.2026, punonjësit e sallës operative të Komisariatit të Policisë Lushnjë, nëpërmjet kamerave të sigurisë, kanë konstatuar përpara Komisariatit, një automjet tip “Mercedes-Benz”, duke kryer manovra të çrregullta, dhe më pas drejtuesi i automjetit ka dalë nga automjeti duke bërtitur para Komisariatit, veprim të cilin e ka përsëritur disa herë.

Në këto kushte, salla operative ka njoftuar Patrullën e Përgjithshme që ishte me shërbim në qytet, për t’u afruar në Komisariat, me qëllim verifikimin e drejtuesit të automjetit dhe arsyen e sjelljeve të tij.

Drejtuesi i automjetit, sapo ka parë Patrullën e Përgjithshme që vinte drejt Komisariatit, është larguar me shpejtësi të madhe dhe pas disa minutash dyshohet se për shkak të shpejtësisë së madhe dhe humbjes së kontrollit mbi drejtimin e automjetit nga ana e drejtuesit, automjeti  është përplasur me bordurat anësore të rrugës, në vendin e quajtur “Rrethrrotullimi i Plasmasit” dhe është përmbysur.

Si pasojë, drejtuesi i automjetit, shtetasi E. Xh., 43 vjeç, banues në Tiranë, ka humbur jetën. Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe shkakut të aksidentit.