
Gjykata e Lartë rrëzoi sot rekursin e kryebashkiakut Erion Veliaj për masën e sigurisë, duke e lënë atë në burg.
Rekursi i Veliajt ishte depozituar më 6 maj, vetëm 2 ditë pas vendimit të marrë nga Kolegjet e Bashkuara të GJL, ku u ndryshuar pjesërisht praktika për masën e arrestit.
Ishte treshja e gjyqtarëve Albana Boksi, Sokol Binaj dhe Genti Shala që vendosën të lënë në fuqi vendimmarrjen e 24 shkurtit të Apelit të GJKKO-së, ku Veliaj kishte kërkuar zëvendësimin e masës “arrest me burg” me një masë tjetër alternative kundrejt garancisë pasurore, ose masë detyrim paraqitjeje.
Kërkesa e tij u bë pasi çështja kaloi për gjykim, çka sipas mbrojtjes nuk ka më mundësi të prishen provat. Veliaj ndodhet në paraburgim që prej 10 shkurtit 2025.
