… Ishte gati-gati një periudhë shoku ajo që po ndodhte – një përballje me atë që deri në atë kohë kishte qenë imagjinare, tani po i shfaqej para syve. Gjithçka që nisi për ne në fillim të këtij marsi, Albana Osmani e kishte shkruar një vit më parë në librin e saj “Çika”: “O Zot, gjithçka po ndodh si në librin tim”… mendonte ajo ditë pas dite pas çdo ngjarjeje që po merrte përmasa globale. Ishte rastësi e frikshme, por e parandier më shumë se një vit më parë… Deri sot, kur “Çika” pa dritën e botimit.

Edhe pse unë vetë e kisha shkruar këtë libër dhe dija edhe fundin, që njerëzimi shpëton dhe njeriu është i jashtëzakonshëm, nuk mposhtet kurrë, përsëri në një pjesë timen prej njeriu, nën panikun e së panjohurës, në çfarë po ndodh në realitet dhe jo në një libër, përsëritja me vete: “O Zot, po bëhet si tek libri”. Në librin tim, njerëzimi vuan, gjithsesi. Por përveç pandemisë, që është periodike, pasi gjendet kura, beteja e vërtetë është një tjetër”, - tha Albana pak kohë më parë në një intervistë ekskluzive për Class.

Pas një rrugëtimi të gjatë, me shumë ngjarje, pengesa, sfida, gëzime e trishtime, “Çika” është në duart e të gjithëve. Një ‘bebe’ aq e dashur për Albana Osmanin, e cila ‘lindi’ në kohën e duhur. Vetëm pak ditë para një panairi libri virtual, libri i parë i moderatores së njohur do të jetë në të gjitha libraritë e Tiranës dhe gjithashtu, lehtësisht i gjendshëm edhe në faqen zyrtare albana-osmani.com.

Pak para promovimit të librit, e lumtur për gjithçka që ka krijuar nga duart e saj, Albana u shpreh ekskluzivisht për revistën Class se, pavarësisht periudhës së ngjeshur dhe lodhjes, është shumë e lumtur: “Jam përtej reve e lumtur”, – thotë ajo me një frymëmarrje të gjatë duke treguar sa i thellë është gëzimi që ndien në këtë moment të jetës.

“Çika” është një libër që përballet me kohën, me ditët tona, me pandeminë, me pasigurinë për jetën, “Çika” është gjithmonë në betejë me të ardhmen.

“Çika është një një libër i zhanrit fantastiko-shkencor, i pasur edhe me shumë ilustrime, të cilat Albana i ka punuar vetë. Kjo e bën librin edhe më të veçantë.

Çika në betejë me Inteligjencën Artificiale

Një aventurë epike nga Albana Osmani, ilustruar prej saj në një formë shumë vizionare, dedikuar të rinjve dhe atyre që shohin nga e ardhmja.

Historia daton në vitin 2117... Planeti Tokë ka pësuar ndryshime të paimagjinueshme. Një rend i ri, i drejtuar nga qeveria ndërplanetare, është vënë prej kohësh në kërkim të elementit që do të sigurojë fuqinë dhe epërsinë e plotë. Pjesëza e munguar fshihet te një vajzë, i është tejçuar asaj kohë më parë, aty në cepin idilik mes maleve. 

Romani fantastiko-shkencor ndjek përballjen e paepur të një grupi të rinjsh me Inteligjencën Artificiale, që mund të cilësohet, pa dyshim, si beteja më e ashpër e kohës.

Libri gjendet fizikisht në libraritë në Shqipëri: "Adrion", "Bukinist", "Bookland" etj., si edhe në Kosovë në libraritë “Dukagjin”. Libri do të jetë së shpejti edhe në version audio. 

Gjithashtu, mund të blini online duke klikuar në linkun https://albana-osmani.com/.