Beqari më i lakmuar i momentit, në një rrëfim ekskluziv, zbulon më shumë për veten dhe vajzat që presin t’i fitojnë zemrën. As bukurinë, as suksesin, as pasurinë… Saimiri po kërkon diçka tjetër mes bukurosheve të spektaklit. Princi modern, në një rrëfim për të mos u humbur.

Hapni listën e kritereve që kanë shkruar të gjitha nënat për vajzat e tyre!

Beqar. Bukurosh. Biznesmen. Elegant. Xhentil… Mjaftojnë për t’i vendosur edhe një specifikë përmbyllëse – Princi i kaltër. Dhe pas kësaj, një titull: “Të gjitha në kërkim të Princit…”

Të gjithë bien dakord, pa dyshim, për të gjitha këto epitete në adresë të Saimirit, beqarit të shumëpërfolur të “Love Story”, i cili prej disa javësh, ka nisur, ndoshta, "llogarinë" më të vështirë të jetës. Jo vetëm se do të zgjedhë njeriun me të cilin mund të kalojë pjesën tjetër të jetës, por edhe sepse i duhet ta bëjë këtë para syve të të gjithëve. E vështirë? Sa të duash… As ai vetë nuk mendonte se do të ishte kaq e vështirë. Në fillim, sepse duhet të përballej me pyetjen e të gjithëve “Si ka mundësi një djalë si ty nuk e ka gjetur dot dashurinë jashtë?” dhe, së dyti, sepse vajzat konkurrente nuk janë aq të thjeshta për t’u njohur. Natyrisht, edhe ato e kanë të vështirë “garën”, por “lufta” për të fituar më shumë terren, bën konfuz edhe vetë Princin.

Gjithsesi, rrugëtimi ka nisur dhe Saimiri ka filluar të kuptojë, nga takimet e shkurtra dhe ato më të gjata, se cila është kush. Ka nisur, madje, të njohë, edhe vajzat që kanë ardhur thjesht për famë në këtë dating show, ndoshta edhe ato ambiciozet që duan një “katapultim” për të arritur qëllimet e tyre në jetë, ama ka nisur të kuptojë edhe që mes atyre 18 bukurosheve, ka disa që kanë stil, që janë fisnike në sjellje, që jo domosdoshmërisht duan të bien në sy (edhe nëse e bëjnë këtë, kanë takt) dhe që, mbi të gjitha, interesin për ta njohur Saimirin e shprehin në një mënyrë tjetër. Emra? Ah, këtu Saimiri ndalet. Nuk harron të shfaqë atë anën “e fshehtë”, për të cilën të gjitha vajzat ankohen: “Është ende herët për të zbuluar emra…”, – thotë ai dhe kjo është e kuptueshme. Megjithatë, prej 4-javësh që kur ka nisur spektakli, dalëngadalë, Princi po zhvesh karaktere për të mbërritur tek e zgjedhura e tij – një lady me stil, siç e do dhe siç e meriton ai ta ketë në krah.  

Në një rrëfim ekskluziv për revistën Class, Saimiri tregon më shumë për veten jashtë “Love Story”, për qëllimet që i ka vënë vetes në jetë, çfarë pret të arrijë përmes këtij spektakli dhe, pa dyshim, hetimin e përditshëm që po bën për të gjetur konkurrenten e mamit – atë që mund ta bëjë gati valixhen e tij më mirë se e ëma – për udhëtimin më të bukur deri në fund të jetës.

Një djalë i suksesshëm në moshë të re, si ia del të ruajë balancën mes dashurisë dhe biznesit?

Unë jam rritur në Gjermani, siç e dini. Kam shkuar që në moshën 8-vjeçare me familjen dhe kam ndjekur atje studimet për financë. Që në adoleshencë kam pasur dëshirë të krijoj gjërat e mia dhe një ditë të kisha biznesin tim. Gjithmonë kisha dëshirë të provoja gjëra të reja dhe sidomos të isha një krah i fortë për tim atë. Sot zotëroj disa biznese në Gjermani, të cilat janë fryt i punës sonë të palodhur. Por kemi ditur t’i ruajmë mirë balancat. Çdo gjë në jetë ka vendin e vet. Për mendimin tim, dashuria është një nga gjërat më të bukura që mund t’i ndodhë kujtdo. Unë nuk do ta ngatërroja kurrë me biznesin. Pavarësisht se i përkushtohem punës dhe ngritjes së biznesit, gjithmonë e gjej kohën për njeriun që dua dhe për familjen time.

Mendon se je në një fazë të jetës që ke arritur çdo gjë dhe të mungon veç dashuria?

"Çdo gjë" është një fjalë shumë e madhe. Ëndrrat për njeriun nuk kanë fund asnjëherë. Kur kam sukses diku, nga ai moment jam në kërkim të diçkaje tjetër. Por mund të them vetëm që çfarë kam pasur dëshirë, e kam arritur deri më sot. Pjesën tjetër, po e pres…

Je një djalë që ke shumë pasione, veç punës…

Është e vërtetë. Hobi më i madh i jetës sime ka qenë futbolli. Që i vogël kam luajtur me ekipe dhe skuadra të ndryshme në Gjermani. Po ashtu, për një periudhë kohe kam qenë dhe lojtar i ekipit të Tiranës. Për shkak të disa lëndimeve që pësova, m’u desh ta mbyllja këtë kapitull. Por kam shumë pasion edhe udhëtimet. Kam pasur fatin të vizitoj shumë vende të botës. Mendoj se kulturat e ndryshme e bëjnë njeriun të kuptojë shumë gjëra. Gjithmonë kam pasur dëshirë të njoh sa më shumë nga bota, sepse, në këtë mënyrë njeh më mirë edhe veten. Udhëtimet të falin gjithmonë një kënaqësi të pamatshme.

Zakonisht, djemtë me këto cilësi si tuat, dhe të suksesshëm në karrierë, kanë frikë se vajzat i dashurojnë për atë që kanë dhe jo për atë që janë. E ke provuar ti këtë ndjesi?

Jo, nuk e kam pasur kurrë këtë frikë. Unë nuk jam një djalë i suksesshëm që t’i plotësoj gjërat që më mungojnë me suksesin apo me paratë. Unë e shoh veten të kompletuar dhe kam shumë besim te vetja. Kur një vajzë do të ketë mundësinë të njihet me mua, pa dyshim, do dashurohet me atë që jam dhe do harrojë atë që kam.

Dukesh sikur e shikon gotën gjysmë plot… Po kur merr vendime, çfarë priresh të besosh më shumë?

E shoh gjithmonë gjysmë plot. Kam besim, guxim, durim dhe vullnet. Gjithmonë kur nis diçka, përpiqem të heq çdo gjë negative nga mendja dhe mos të bie pre e pesimizmit.

Më ndodh që para se të marr një vendim, i mendoj dhe i analizoj shumë gjërat, por normalisht që ndjek dhe zemrën. Duhet të bashkëveprojnë bashkë, mendja me zemrën, në mënyrë që të arrijmë në vendimin e duhur.

Në “Love Story” po kërkon dashurinë e vërtetë apo e ke përjetuar atë para se të ishe pjesë e këtij spektakli?

Unë kam pasur disa histori dashurie, edhe dashurinë e vërtetë e kam përjetuar. Këtë herë në “Love Story” dua të provoj një ndjenjë ndryshe. Nuk e përjashtoj mundësinë që edhe këtu mund ta gjej dashurinë e vërtetë. Në fund të fundit, për këtë kam ardhur, për ndjenja që i përjetojmë shumë rrallë një jetë. Shprehja ime tani duhet të jetë “dashuria i pushton të gjitha”.

Është lojë “Love Story” apo ti vërtet do të kthehesh në Gjermani me një nuse në krah siç ta kërkuan prindërit?

Unë nuk kam ardhur për të bërë lojëra, kështu që, në qoftë se ma bën zemra “tak” për njërën nga vajzat, sigurisht që do kthehen me të në Gjermani.

Çfarë ndjesish ke pasur gjatë takimeve me vajzat, ke shpresë se do ta gjesh këtu brenda nusen ideale për të paketuar valixhen si mami (që do t’i pëlqejë asaj)?

Takimet me vajzat kanë pasur shumë momente të veçanta dhe shumë emocionuese. Ndoshta reagimet e mia duken në sytë tuaj të njëjta për të gjitha vajzat, por jua siguroj që nuk është kështu. Disa nga vajzat më kanë dhuruar emocione më të forta se të tjerat. Me kalimin e kohës, do e shohim a do kthehen këto emocione në ndjenja të forta. Sigurisht që ka dhe vajza shumë familjare që mendoj se mund t‘i bënin konkurrencë mamit me valixhen.

A është ajo ‘lady me stil’ që po kërkon në këtë dating show, ke arritur ta kuptosh?

Unë preferoj më shumë që vajzat që sillen si një ‘lady’, ato që kanë sjellje delikate dhe fisnike. Në momentin që një vajzë sillet në mënyrë banale dhe të ulët, për mua e humbet vlerën tërësisht. Nuk ka fare rëndësi bukuria.

Po, mendoj se kemi disa vajza që kanë vërtet një sjellje ‘lady like’.

Ka vajza materialiste në “Love Story”, ke arritur t’i njohësh?

Nuk dua të përmend emra, por sigurisht që kam vënë se ka edhe vajza materialiste që kanë ardhur në këtë spektakël për të bërë famë. Megjithatë, rrini të qetë, se nuk e kanë të gjatë.

Të pëlqen kur ato bëhen xheloze për ty? Po gjëja që të bezdis më shumë tek ato cila është?

Sigurisht që më pëlqen kur bëhen xheloze, se më tregon që kanë filluar të më pëlqejnë ose edhe të kenë ndjenja. Ndërsa bezdi më jep më shumë fakti që flasin keq për njëra-tjetrën. Sinqerisht, nuk i kam qejf fare prapaskenat.

Vajzat ankohen çdo javë që ti ‘nuk je aq i hapur’ sa duhet, çfarë kundërpërgjigje ke për këtë?

Unë jam nga ata që veprojnë në heshtje, nuk e shpreh menjëherë dhe kaq direkt pëlqimin tim, për të mos i dhënë asnjërës rolin e favorites.

Si po shkon puna me binjaket, Silvana duket se po të pëlqen më shumë…

Binjaket janë shumë të veçanta, por sigurisht që njëra do më pëlqente më shumë, se nuk i marr dot të dyja.

Si e përshkruan ‘një partnere të keqe’?

‘Partnere e keqe’ për mua është një vajzë egoiste, që nuk të jep mbështetje. Kur ti je në një lidhje, nuk duhet të ndihesh vetëm. Nëse ndihesh vetëm, do të thotë që ke një partnere të keqe në krah.

Na e përshkruaj me tri fjalë ‘Princin Modern’…

I përkushtuar, ambicioz dhe me shumë ndjenja.

Çfarë i premton publikisht vajzës që do ta kalojë pjesën tjetër të jetës me ty?

I premtoj që do ta bëj vajzën më të lumtur në botë.

Dashuria nuk i respekton asnjëherë planet që kemi ne, as kriteret, as listën e gjatë me kushtet që duhet të përmbushë Princi i kaltër. Ajo nuk planifikohet, shfaqet atje ku s’e pret, nuk i gjendet adresa – mund të jetë në market, kur ti je veshur me tuta dhe, ndoshta, në ditën më të keqe të pamjes, mund të jetë në palestër, në lokal… kudo.

Por mund ta gjesh edhe në televizion. Para syve të të gjithë publikut. Ky i fundit, është edhe “juria” më e mirë për të aprovuar zgjedhjen, shikon me sy të ftohtë, komenton e analizon çdo veprim të të gjitha vajzave. Në fund, nëse Saimiri do të jetë në mëdyshje për zgjedhjen, sigurisht publiku do të japë ndihmën e tij, me sugjerime e propozime.

Ama një gjë Saimiri e ka kuptuar që në fillim të këtij rrugëtimi relativisht të gjatë, të vështirë, por shumë të bukur. Publikun e ka në krah të vetes… Sepse, le ta themi, është dhëndri që çdo nënë do ta lakmonte për vajzën e vet. Për atë që është, jo për atë që ka. Ose edhe për atë që ka… Mirësinë dhe zemrën e madhe.

Credits:

Foto: Orsola Mema

Design: Xhesika Berisha