Titulli: Ferma e kafshëve                                                                                                                      

Titulli në origjinal: Animal Farm

Autori: George Orwell

Përktheu: Sokol Çunga

Zhanri: Roman 

Data e botimit: janar, 2021

Numri i faqeve: 126

Çmimi: 800 lekë

Libri me një fjali
Ferma e kafshëve është shembulli i përkryer se si ideja e një socializmi sipas volisë së dikujt fillon të hedhë rrënjë për t’u shndërruar në një diktaturë komuniste. 

Informacion i përgjithshëm rreth librit 
Pas vitesh të tëra shtypjeje e shfrytëzimi, kafshët e një ferme, të lodhura nga mujshitë e vazhdueshme të qenieve njerëzore, vendosin të ngrenë krye dhe, pasi dëbojnë pronarin, orvaten të krijojnë një rend të ri, të themeluar mbi një koncept utopik barazie. Megjithatë, shumë shpejt, mes tyre lind një klasë e re burokratësh, derrat, të cilët me dinakërinë, makutërinë dhe egoizmin që i karakterizojnë u imponohen në mënyrë arrogante dhe tiranike kafshëve të tjera më të buta dhe shpirtmira. 

Thellësisht aktual dhe po aq i freskët sa ç’ka qenë më shumë se gjysmë shekulli më parë, “Ferma e kafshëve” është një përrallë për ata që mëtojnë të jenë çlirimtarë kudo në botë. Teksa dëshmohet, përmes thjerrës së historisë, ngritja dhe rënia e përgjakshme e kafshëve revolucionare, dallohen farat e totalitarizmit në sistemet më ideale, si dhe shpirtrat e shtypësve më të egër te udhëheqësit tanë më karizmatikë.

“Përrallë” e ka quajtur vetë Orwelli, teksa derrat zënë e marrin gjithnjë e më tepër tipare njerëzore, por ndërkaq është një alegori e thellë jo vetëm ndaj sistemit komunist të ish-Bashkimit Sovjetik, por ndaj të gjitha diktaturave njerëzore. Satira e mprehtë oruelliane ndaj totalitarizmit bashkohet me gjeninë krijuese dhe një energji stilistikore që e vendosin “Fermën e kafshëve” mes veprave më të njohura letrare të shekullit XX. 

Në shekullin XXI, kur besojmë se çdo gjë rreth nesh po zhvillohet dhe të gjitha vendet po ecin përpara, kuptojmë papritmas se ka ende parazitë që është vështirë për t’i hequr qafe. Vendet që kanë pasur mundësi të zhvillohen, kanë kapërcyer sprovën e vështirë për të mos rënë në totalitarizëm.  

Kritika

Shumë shpejt, libri hyri në imagjinatën politike si një fabul morale që tregoi se edhe idealet më të larta shoqërore degradojnë, kur pushteti i egër vijon të flasë me gjuhën e vëllazërisë, dhe kjo sjell zvetënimin e së vërtetës.

The New York Times

Orwell-i nuk e donte komunizmin, por as kapitalizmin, prandaj “Ferma e kafshëve” u shndërrua në një paralajmërim kundër ndryshimeve politike në vetvete.

The New Yorker

Një klasik i vërtetë dhe i pakohë që flet kaq qartë për natyrën njerëzore.

The Guardian

Ferma e kafshëve mbetet satira më e madhe përpara fytyrës së errët të historisë moderne. 

Malcom Bradbury

Një përrallë e mençur, plot dhembshuri dhe përndritëse për kohërat që jetojmë. 

The New York Times

Mbi autorin
George Orwell, emri i vërtetë i të cilit ishte Eric Arthur Blair, ishte shkrimtar, eseist, gazetar, aktivist dhe kritik letrar britanik. 

Ai ishte një prej eseistëve më të ndritur të kohës së vet dhe kundërshtar i çdo forme totalitarizmi. U bë i njohur kryesisht për dy romane, në të cilat shkrihet angazhimi politik dhe pasioni letrar: “Ferma e kafshëve”, një satirë therëse e retorikës sovjetike për barazinë; dhe “1984”, roman që përshkruan me tone apokaliptike një botë imagjinare në një të ardhme jo të largët, një roman fantastiko-politik, prej të cilit lindi dhe cilësimi “oruellian”, që sot përdoret gjerësisht për të përshkruar mekanizma të ndryshme totalitare të kontrollit të mendimit.

Si polemist i kthjellët dhe antikonformist që ishte, Orwell-i nuk i kurseu kritikat as ndaj inteligjencies socialiste angleze, përballë së cilës ndihej krejt i huaj. Ai ishte dhe mbeti deri në fund socialist i bindur, por ndërgjegjësimi, edhe për shkak të përvojave tragjike personale, për kontradiktat e thella dhe gabimet fatale të vijës së ndjekur në Bashkimin Sovjetik, nën drejtimin e Josif Stalinit, e nxiti që të përqafonte një antisovjetizëm të flaktë, duke u përplasur kështu me një pjesë të rëndësishme së të majtës europiane të asaj kohe. Në 1946, shkroi: “Çdo rresht të çdo vepre serioze që kam shkruar nga 1936 e këtej, e kam shkruar direkt ose indirekt kundër totalitarizmit dhe pro socializmit demokratik, ashtu siç e mendoj unë.” 

Fragmente nga libri

1) Tani, shokë, çfarë kuptimi ka jeta jonë? Le ta pranojmë: jeta jonë është e mjeruar, rraskapitëse dhe e shkurtër. Lindim, na japin aq ushqim sa të mbajmë frymën gjallë, dhe ata që ia dalin të jetojnë, detyrohen të punojnë deri në grimën e mbrame të fuqisë. Dhe kur nuk jemi më të dobishëm, na therin me një mizori të llahtarshme. Asnjë kafshë në Angli, pas moshës njëvjeçare, s’e njeh kuptimin e gëzimit apo të pushimit. Asnjë kafshë në Angli nuk është e lirë. Jeta e kafshës është mjerimi dhe skllavëria, kjo është e vërteta lakuriqe!

2) Njeriu është e vetmja krijesë që konsumon pa prodhuar. Njeriu nuk jep qumësht, as ngroh vezë, nuk ka fuqi të tërheqë plugun, nuk vrapon dot aq shpejt sa të kapë lepujt. Megjithatë, është zot mbi të gjitha kafshët. Njeriu i vë kafshët në punë, u kthen pas më të paktën e mundshme, aq sa ato të mos ngordhin urie, kurse pjesën tjetër e mban për vete. 

3) Mes derrave shquheshin më shumë dy harçë të rinj, që quheshin Topdëbore dhe Napoleon, të cilët zoti Xhons i mbante për t’i shitur. Napoleoni ishte trupmadh me pamjen e ashpër të një derri nga Berkshajëri, i vetmi berkshajërs i fermës. Nuk fliste shumë, por kishte namin se u shkonte punëve deri në fund. Topdëbora ishte derr më i gjallë se Napoleoni, i shkathët nga goja dhe shumë krijues, por nuk kishte po atë karakter të fortë.

4) Katër këmbë mirë, dy këmbë keq.

5) Pas kësaj, përjashta iu përgjigjën ca lehje të frikshme dhe nëntë qen të stërmëdhenj me qafore plot gjilpëra bronzi, hynë në hangar duke hovur. U lëshuan drejt e te Topdëbora, i cili brofi nga vendi, bash në kohë për t’u shpëtuar nofullave të tyre kërcëllitëse. Sa hap e mbyll sytë, Topdëbora doli nga dera dhe qentë iu qepën pas.

6) TË GJITHA KAFSHËT JANË TË BARABARTA, POR CA KAFSHË JANË MË TË BARABARTA SE TË TJERAT. 

7) SHTATË URDHËRESAT 

1. Gjithçka që ecën mbi dy këmbë është armik.

2. Gjithçka që ecën mbi katër këmbë apo ka flatra, është mik.

3. Asnjë kafshë nuk do të veshë rroba.

4. Asnjë kafshë nuk do të flejë në shtrat.

5. Asnjë kafshë nuk do të pijë alkool.

6. Asnjë kafshë nuk do të vrasë kafshën tjetër.

7. Të gjitha kafshët janë të barabarta mes tyre.

8) Nëse ju debatet i keni me kafshët e sërës së ulët, edhe ne kemi klasat e ulëta!