Jo të gjithë mund ta ndjekim, por thuajse të gjithë kemi kaluar të paktën një herë në profilin e saj në Instagram dhe jemi mrekulluar me fotot e kuruara, në harmoni me njëra-tjetrën dhe aq shprehëse. Aureta Thomollari është një ndër influencer-et e para shqiptare, nga e cila janë frymëzuar edhe shumë të tjera dhe vazhdojnë e frymëzohen pafund vajza në përditshmërinë e tyre. Nëse ka diçka për të cilën të gjithë e pëlqejnë Auretën, ai është stili i saj. Mënyra si arrin ta bëjë një foto a veshje të thjeshtë të duket e veçantë, është aq frymëzuese.
Fillimisht postonte foto për pasion, ndërsa tanimë një influencere e vërtetë me më shumë se gjysmë milioni ndjekës nga e gjithë bota, Aureta di si të tërheqë vëmendje. E veshur me markat më luksoze dhe koleksionet e fundit, ajo ka gardërobën që çdo vajzë do ëndërronte. Megjithatë, i gjithë sekreti është te stili dhe mënyra si e mban një veshje. Ajo tregon se në gardërobën e saj nuk ka vetëm gjëra të shtrenjta. Në vendet që udhëton, blen shpesh në tregjet lokale dhe kjo është diçka që i pëlqen. Siç thotë edhe vetë Aureta në këtë intervistë: “Nuk ka të bëjë me sa shpenzoni, por për mënyrën se si i kombinoni të gjitha bashkë”.
Aureta është shembulli perfekt si të kthesh pasionin në profesion dhe të fitosh përmes kësaj gjëje. A nuk është puna perfekte që të gjithë do të donin? Por të mbërrinte deri këtu nuk ka qenë aq e thjeshtë për të. Ka qenë një rrugë e vështirë, e mbushur me pengesa, mirëpo dëshira e saj për biznes, aftësitë dhe pak fati kontribuan për t’ia lehtësuar paksa gjërat.
Vite më parë, kur Aureta krijoi profilin e saj në Instagram, pa se njerëzit e pëlqenin atë që ajo shprehte përmes fotove. Motra e saj vuri re se Auretën e ndiqnin mijëra njerëz, ndërsa ajo nuk ndiqte ende askënd, pasi nuk ishte shumë e dhënë pas teknologjisë. Ishte pikërisht ky momenti kur ajo e mori Instagramin seriozisht. Me një sy të mprehtë për estetikën, profili i saj nuk mund të mos të bënte për vete njerëzit që e duan të bukurën. Fillimisht i shihte rrjetet sociale si një vend ku shprehte pasionin e saj për fotografinë dhe ku ndante shkrepje nga vendet me peizazhe mbresëlënëse, ndërsa më vonë e lidhi këtë pasion me profesionin e saj. E diplomuar për biznes, Aureta pa se mund ta kthente edhe median e saj sociale në biznes dhe kështu bëri.
Në një intervistë për “Opinion” vitin e kaluar, ajo ka treguar se ka shkuar në Amerikë pasi i ati fitoi lotarinë amerikane në vitin 1994 dhe se ishte pikërisht ajo që e bindi të shkonin në minutën e fundit, pasi ai nuk dëshironte. Në moshën 20-vjeçare u transferua në Los Anxhelos dhe hapi një dyqan bizhuterish artizanale me origjinë meksikane. Pas një udhëtimi në Meksikë, këto bizhuteri i kishin bërë shumë përshtypje dhe iu deshën 6 muaj këmbëngulje që të arrinte të merrte një përgjigje pozitive për bashkëpunim me këtë markë. Pas dy vitesh, e shiti përqindjen e saj për 350,000 dollarë. Kështu ajo filloi të hynte me sukses në botën e biznesit për t’u përfshirë në sipërmarrje të ndryshme. Por duket se Instagrami dhe magjia e tij e kanë mbërthyer fort Auretën.
Në këtë intervistë ekskluzive për revistën Class, Aureta tregon se çfarë fshihet përtej perfeksionit të mediave sociale, jep këshilla për vajzat që duan të krijojnë një stil personal dhe zbulon se cilat janë ikonat prej së cilave frymëzohet në përditshmërinë apo punën e saj.
Aureta, kur e kuptove që kjo ishte industria ku doje të investoje imazhin dhe karrierën tënde?
Unë gjithmonë kam pasur një mendësi biznesi, pasi jam diplomuar për biznes. Pra, ka qenë një trajektore e natyrshme për mua, në mënyrë progresive duke përfshirë pasionet e mia, të cilat tani kam aftësinë t’i kthej në vlerë monetare.
Nëse nuk do ishe një influencuese dhe biznesmene, çfarë rruge do të kishe zgjedhur?
Mund të ishte çfarëdo, mjafton që në fund, qëllimi është të bëj gjithmonë atë që dua.
Mendon se puna e influencueseve është e nënvlerësuar?
Në të vërtetë, ne jemi në epokën e influencer-ave: mediat sociale do të jenë mes nesh përgjithmonë dhe çdo markë e kupton se duhet të formojë një strategji që i përfshin ato.
Cila është veshja më e shtrenjtë që ke blerë ndonjëherë?
Veshjet më të shtrenjta janë zakonisht ato të bëra me porosi nga stilistët.
Po veshje të lira blen?
Sigurisht, një pjesë e gëzimit të udhëtimit është vizita në tregjet lokale dhe në gjetjen e produkteve të bukura, të bëra në mënyrë artizanale.
View this post on Instagram
Ka diçka që një vajzë duhet ta ketë patjetër?
Një aromë për të cilën dallohesh. Aroma është një prej gjërave që të identifikon.
Po diçka që mendon se bën diferencën në pamjen e një gruaje/vajze?
Ato që bëjnë diferencën janë ato gra/vajza që kanë një gëzim të vërtetë, që u buron nga brenda.
Të shkruajnë shpesh vajzat për të të kërkuar këshilla mode?
Po. Më ndodh shpesh të më pyesin vajzat, mundohem t'u kthej përgjigje sa herë mundem.
Cila është këshilla që do t’i jepje një vajze në lidhje me stilin/veshjen?
Këshilla ime është që të jeni vetvetja, të përcaktoni se çfarë ju bën të ndiheni rehat, të keni një stil personal dhe të bëni shopping duke u bazuar në këtë identitet.
View this post on Instagram
Cili është "sekreti" i njerëzve që vishen mirë?
Njerëzit e veshur mirë zakonisht kanë një sens stili. Nuk ka të bëjë me sa shpenzoni, por për mënyrën se si i kombinoni të gjitha bashkë.
Për çfarë mendon se ia vlen që vajzat të shpenzojnë më shumë?
U them vetëm kurseni dhe blini diçka ari, ajo do të rritet në vlerë. Një palë këpucë të mira gjithashtu e çojnë pamjen në një tjetër nivel.
Për çfarë nuk duhet të shpenzojnë?
Për imitime.
Moda e cilave vite të frymëzon më shumë?
Moda e viteve ‘70.
Çfarë nuk do të doje të rikthehej më kurrë në modë?
Unë, në të vërtetë, nuk përqendrohem në atë që është në trend. Ti thjesht duhet të veshësh atë që të duket më mirë.
Diçka që nuk mungon kurrë në çantën tënde?
Celulari im.
Çfarë nuk duhet të veshë kurrë një vajzë në takimin e parë me një djalë?
Po them atë që duhet të veshë: çdo gjë që i jep besim.
Si do ta përkufizoje stilin tënd?
Unë vishem në varësi të humorit tim dhe për pasojë, stili im ka një diapazon të gjerë që nuk mund të ketë një përkufizim.
View this post on Instagram
Ke menduar ndonjëherë të krijosh një markë tënden?
Tani për tani, jam duke e shijuar krijimin e disa koleksioneve kapsulë me disa nga markat e mia të preferuara, që do të dalin në treg shumë shpejt këtë vit. Qëndroni të vëmendshëm!
A është jeta jote aq perfekte sa ajo që shohim në Instagram?
Jeta e askujt nuk është perfekte. Unë e dashuroj jetën dhe kjo është ajo që përpiqem të përfaqësoj. Përsosmëria do të thotë se jeta ka mbaruar, sepse nuk ka asgjë tjetër për të cilën duhet të përpiqesh.
Mund të na përmendësh një personazh që të pëlqen për stilin dhe dikë që nuk të pëlqen shumë?
Ka bukuri te të gjithë, nuk duhet ta marrim modën dhe stilin kaq seriozisht.
Ikona e patjetërsueshme e modës në botë, kush është sipas teje?
Grace Jones dhe Maria Felix.
Jeta jote është me valixhe në dorë, nga njëri destinacion në tjetrin. Cilën përvojë (cilin vend) do ta veçoje si fantastiken e jetës sate? Pse?
Japonia. Unë e dashuroj gjithçka që ka lidhje me Japoninë. Edhe Butani, sepse ata e matin mirëqenien me "lumturinë e përgjithshme kombëtare" dhe njerëzit vërtet jetojnë atë gjë.
Si një “qytetare e përjetshme e botës”, nëse nuk do të jetoje në Amerikë, cilin vend do kishte zgjedhur për të qëndruar përfundimisht?
Pas të gjitha udhëtimeve të mia, Amerika është ende vendi ku më pëlqen më shumë të jetoj.
Ka ndodhur të të bëjnë kritika për stilin e veshjes?
Jo në fytyrë, por jam e sigurt në heshtje. Në fund të fundit, është mendimi për veten ai që ka rëndësi.
Një ditë tipike e jotja, si fillon dhe si mbyllet?
Asnjë ditë nuk është tipike: Zgjohem falënderuese dhe shkoj në shtrat mirënjohëse.
Si i ke punët me çështjet e zemrës? Je e dashuruar?
Po, dashuria është pjesa më e rëndësishme e jetës. Zemra ime është e mbushur me të.
Për shkak dhe të angazhimit tënd si sipërmarrëse dhe si konsulente, a ka një “varkë shpëtimi” në “normalitetin e ri” që po jetojmë të gjithë për shkak të Covid-19?
Të humb në artin e gatimit.
View this post on Instagram