Ambra Hysa, autorja e librit “Dashuri në kohë Koronavirusi”, vjen tani me një tjetër roman, “Lady D.”.

Me “Lady D.”, një roman mjaft interesant, Ambra ka ngjitur bindshëm shkallët e krijimtarisë letrare, duke u afirmuar si një shkrimtare e re, e talentuar. Autores i burojnë natyrshëm ndjesitë, përshkrimet, çdo fjalë e veprim; çdo ngjarje e heronjve të saj, me një përjetim real dashurie, shumë speciale.

Kur dashuria, kuptohet, ndihet dhe mëshirohet te secili prej nesh, si forca më e fuqishme që mban ekuilibrin social; që sjell paqen, lumturinë, progresin, është një vlerë e madhe për cilindo. Me Lady “D.”, Ambra, na e sjell në vëmendje këtë. Ajo e vendos dashurinë në epiqendër, ndriçuar fuqishëm nga projektorët më të besueshëm, ato të shpirtit...

"Lexuesit e shkrimeve të mia e dinë, gratë dhe vajzat i kam kryefjalë të mendimit, më frymëzojnë e do t’i mbështes gjithmonë, me të vetmen mënyrë që unë njoh dhe atë që di të bëj më mirë, shkrimin. Kisha kohë që gërmoja për pak gjurmë frymëzimi, prisja për diçka apo për dikë që të më frymëzonte, aq sa të ulesha dhe të mos i ndahesha për disa javë me radhë makinës së shkrimit. Dhe kështu ndodhi. Ajo, "Lady D", është zonjusha inspiruese që e jeton jetën e saj si një vepër arti, mbi të cilën, ka të gjitha të drejtat autoriale.

Uroj me zemër, që 'Lady D.' t’ju frymëzojë, ashtu siç mua më ka frymëzuar, për të qenë version më i mirë i vetes. Si vajza, uroj të zgjojë brenda jush dëshirën për të rrezatuar forcë, autencitet, pavarësi, liri dhe njëkohësisht të jepni dashurinë tuaj pa kursim dhe pa kushte, në një histori dashurie të kohëve moderne.

"Lady D" i dedikohet vajzave, vajzave që punojnë fort dhe kanë një shpirt të bukur, janë frymëzuese, janë autentike, janë të pavarura, por dashurojnë me shpirt të lirë dhe pa kursim, pa kushte!

Ka një sekret që fshihet në labirintin e shpirtit të vajzave të suksesshme, ato nuk janë thjesht të bukura, ato mund të mos jenë fare të bukura, por janë të mahnitshme.

E ëmbël dhe e fortë; e pathyeshme, por delikate; lehtësisht e lexueshme, por e padeshifrueshme; mëngjes i butë pranvere kombinuar me stuhi të acartë; të gjitha aksidente, brenda një zemre të vetme!

Kjo është Lady, dhe copëzat e saj mund t’i lexojë secila vajzë brenda vetes”, -tregon Ambra.

Ky libër u shkrua si një himn i dashurisë, jo vetëm një histori reale, frymëzuar nga karaktere të vërteta, por një tentativë për të vendosur të gjitha dritat e skenës sërish aty, mbi dashurinë. Ndjesinë që nuk del asnjëherë nga moda...

LEXONI EDHE:

'Dashuri në kohë Koronavirusi' - libri i karantinës, nga Ambra Hysa