Pak ditë më parë u zhvillua një nga eventet më të mëdha, të personazheve të njohur të kinematografisë dhe muzikës, siç është Met Gala.

Një ditë pas eventit, e gjithë vëmendja është tek veshjet më të spikatura, nga emra të njohur stilistësh.

Në Met Gala 2021, është lakuar një tjetër emër, që nuk është i njohur aq sa të tjerët, por për ne ka një rëndësi të veçantë.

Bëhet fjalë për Ornela Flamurin, një vajzë nga Shqipëria, që e ktheu pasionin e saj në një biznes, që po korr sukses hap pas hapi.

Me një dashuri për profesionin si rrobaqepëse që në moshën 6-vjeçare, Ornela frymëzohej nga gjyshja e saj, e cila e ushtronte këtë profesion. Më pas kur ishte 15 vjeç, ajo ishte e aftë të qepte rroba për shoqet dhe motrat e saj.

“Në moshën 23-vjeçare, u martova në Tiranë, ku hapa një rrobaqepësi me motrën time. Tani kam 8 vite që jetoj në Amerik. Dy vitet e para qendrova në Phlidelphia, më pas në New York. Fillimet e mia kanë qenë shumë të vështira. Kujdesesha e vetme për dy vajzat e mia, pasi bashkëshorti ishte ende në Shqipëri…”- ka rrëfyer së fundmi Ornela, në një intervistë për revistën Class.

“Si fillim aplikova në një kompani të fuqishme, ku shumë shpejt u bëra menaxhere kryesore. Aty m’u dha mundësia të punoja me figura të njohura të modës dhe show-bizit, veshjet e të cilëve ishin nga më të shtrenjtat. Tani kam një vit që zotëroj biznesin tim Tailoredbyornela ne Manhattan.”

Por çfarë lidhje ka Ornela Flamuri me Met Gala?!

Ajo pati mundësinë të qepte fustanin magjepsës të aktores amerikane, Keke Palmer, i dizejnuar nga stilisti i njohur Sergio Hudson.

Mediat e njohura si Vogue, Elle, Glamour, e të tjera, folën për fustanin e aktores, si një nga më të spikaturit, dhe ndër rreshta nuk mungon as emri i Ornelës.

“Gjithmon e kam pasur ëndërr të punoja me emra të njohur, por këtë mundësi ma dha Vogue. Nëpërmjet Vogue, unë po arrij të bashkëpunoj me emra të njohur në botën e modës. Së fundmi unë bashkëpunova me Ana Wintour, një nga figurat më të fuqishme të modës, e cila organizon dhe Met Gala. Ishte kënaqësi për mua të rregulloja fustanin e Keke Palmer, i dizenjuar nga stilisti Sergio Hudson.”

Në vitin 2019, gazetarja e medias prestigjioze Vogue, LIANA SATENSTEIN, ka shkruar rreth takimit të saj me Ornelën, duke shfaqur admirim mbi punën e saj.

Ornela Flamuri, një emër jo shumë i njohur, që ka një numër modest ndjekësish në Instagram, me heshtje por me pasion, ka arritur sot të bashkëpunojë me emra që për shumë të tjerë janë idhuj.

Një histori frymëzimi, ku puna, këmbngulja dhe pasioni, janë tregues të suksesit.

“Synimi im është të hap një zinxhir dyqanesh të Tailoredbyornela. Mua më pëlqejnë njerëzit që punojnë, dhe çdo gjë e kam arritur me forcat e mia.”

Edhe pse Ornela është në rrugën e saj të mbarë të suksesit në SHBA, sërish një nga dëshirat e saj është dhe hapja e një dyqani në Tiranë.

“I drejtohem të gjitha vajzave, jo vetëm atyre të profesionit tim, vullneti, durimi dhe përkushtimi, hapin çdo portë të suksesit.”