Me siguri emri i saj ju tingëllon i njohur, edhe pse ajo është vetëm 19 vjeç. Amela Agastra është një artiste shqiptare që sapo ka nisur edhe karrierën e saj ndërkombëtare. E lindur në Tiranë, Amela studion për arkitekturë në Newcastle University, SHBA dhe ka përfaqësuar Shqipërinë në Miss World 2021 në Porto Riko. Prej vitesh ajo ka qenë gjithashtu pjesë e botës së modelingut dhe asaj të muzikës.
E rritur me një dashuri të madhe për këngën, Amela është gati të pushtojë edhe skenat e mëdha botërore dhe është në rrugë të mbarë, sepse së fundmi “ka pushtuar” revistën Harper’s Bazaar Vietnam.
Revista prestigjioze i ka kushtuar një vëmendje të veçantë Amela Agastrës, duke na njohur më shumë me pasionet dhe talentet e saj.
“Unë jam duke punuar gjithmonë për muzikë të re. Nuk i publikoj shpesh ato vepra, por do të punoja për të marrë produktin që dua të publikoj më vonë. Unë po e publikoj përmbajtjen time më shumë në mediat sociale sesa duke marrë pjesë në gara apo ngjarje. Unë e dua muzikën dhe jeta ime është e rrethuar nga ajo. Industria e muzikës është shumë sfiduese. Është e vështirë të gjesh njerëzit e duhur për të arritur sukses,” -shprehet Amela për revistën.
Por muzika për të nuk është vetëm një pasion i momentit, pasi i është përkushtuar prej kohësh dhe ka filluar të luajë në piano që në moshën 8-vjeçare. Amela ka marrë mësime private të këndimit që në fëmijëri dhe ka qenë pjesë e shumë kompeticioneve muzikore.
“Kënga e parë që më pëlqente të këndoja ishte ‘Valsi i Lumturisë’ nga Vaçe Zela, një ikonë e muzikës shqiptare. Isha shumë e vogël, kështu që nuk e vrisja mendjen se çfarë do të thoshte në të vërtetë teksti. Më pëlqente vetëm melodia. Mbaj mend që e këndova me gjyshen. Dikur këndonim shumë, sepse familja ime e do muzikën dhe artin”, -thotë ajo.
Idhulli i saj në muzikë është Dua Lipa, ndërsa në botën e artit dhe arkitekturës, Amela Agastra adhuron shumë artistë, por ajo që ka një ndikim të fortë tek ajo është Frida Kahlo.
Për intervistën e plotë të Amela Agastrës për Harper’s Bazaar Vietnam klikoni këtu.