Alesia Balliu është një emër i dëgjuar në fushën e drejtësisë, po edhe në atë të medias, duke qenë se ka qenë shpesh prezente me trajtimin e tematikave të caktuara dhe publikimin e opinioneve të ndryshme në mediat e shkruara. Drejtësia për të nuk është thjesht një profesion që e ushtron prej kohësh, por është shumë më shumë se kaq. E ndodhur jo rastësisht në këtë fushë, sepse që në adoleshencë i pëlqente gjithçka që kishte të bënte me ligjin, Alesia nuk e ka menduar kurrë të merrej me diçka tjetër.

Tani ajo e ka shtrirë pasionin e saj për drejtësinë përtej ushtrimit të profesionit dhe publikimit të shkrimeve dhe opinioneve, duke botuar librin e saj të parë, “Tabula Rasa si metodë e ligjvënësit shqiptar”, ku trajton tematika për institucionet dhe paqëndrueshmërinë që kanë pasur ndër vite.

Profesionin e saj, Alesia e krahason me atë të mjekut; sepse sipas saj, siç ështe jetik shëndeti, ashtu është dhe rivendosja e të drejtave të shkelura. Është pikërisht kjo gjë që e frymëzon dhe i jep kurajë të ecë përpara në rrugën që ka zgjedhur.

Në këtë intervistë për Class, Alesian e shohim në një prizëm tjetër. Jo vetëm si një avokate që e dashuron atë që bën, por edhe si një grua në karrierë që nuk dorëzohet para sfidave të vështira që vijnë me drejtësinë.

Sa i takon juristëve të rinj dhe studentëve të rinj, ekziston një nivel i lartë pesimizmi. Ju jeni një shembull komplet i kundërt i juristit të ri. Cilat do ishin këshillat tuaja për gjeneratën e re?

Së pari, dëshiroj të theksoj se personalisht nuk më pëlqen ta shoh apo ta evidentoj si pesimizëm. Më pëlqen të shoh anën pozitive të çdo situate dhe përpiqem të jem shpresëplotë se rinia është katalizatori më i mirë i ndryshimeve, inovacionit dhe frymës së re; që ashtu si në çdo fushë, edhe në atë ligjore, është jetike. Megjithatë, ekziston ende miti se fusha ligjore tashmë është një treg i ngarkuar, si dhe ideja se shumë të rinj zgjedhin këtë drejtim si një mjet katapultimi drejt një pozicioni të favorshëm në administratën publike, detyra drejtuese, apo përfitime personale.

Theksoj se janë mite, pasi në këtë rrugë që ne juristët zgjedhim ka vetëm dije të vazhdueshme, punë të palodhur, zhvillim të vetvetes dhe përballje ditore me dinamika komplekse. Kur e sheh në këtë këndvështrim është sa sfiduese, aq edhe tërheqëse. Krahas këshillës për ta trajtuar kështu këtë karrierë, do t’i nxisja të gjithë juristët e rinj të kanalizojnë dijet dhe energjitë e tyre për t’u treguar altruistë. Njohuritë dhe ekspertiza ligjore janë një armë shumë e fortë, e cila kur përdoret për të ndihmuar në vënien e drejtësisë, të mbush me një kënaqësi të paçmueshme.

Kur e kuptove që drejtësia ishte ajo me të cilën do të merreshe në jetë?

Nuk mendoj që ka patur një moment kyç në të cilin unë kam marrë vendimin se rruga ime ishte drejtësia. Besoj së është një ndjenjë, dëshirë, a energji, që është rritur dhe zhvilluar me mua. Kur kthej kokën pas, reflektoj shpesh mbi faktin se që në adoleshencë më pëlqenin tematikat që kishin të bënin me ligjin, ndiqja seriale e emisione televizive me profil të tillë, qoftë edhe “fiction”. Në shkollë shfaqja interes të veçantë për lëndë që preknin këto tema dhe përpiqesha të hulumtoja edhe vetë në mënyrë të pavarur për t’u bërë gati për karrierën time në drejtësi. E thënë thjesht, nuk kam menduar kurrë se do të zgjidhja ndryshe!

Çfarë të frymëzoi të ndiqje këtë rrugë?

Siç e shpjegova më sipër, e kam të pamundur të identifikoj një moment. Unë jam rritur e zhvilluar me dashurinë për ligjin dhe dëshirën për të qenë një profesioniste në këtë fushë, e kësisoj vazhdoj edhe sot. Por, kur vjen fjala për frymëzimin besoj se ka të bëjë me ndjesinë që rritet brenda meje për të sjellë ndryshime. Të qenit profesioniste e ligjit të ndihmon të lësh gjurmë dhe lehtëson rrugëtimin e përkthimit të ideve në nisma konkrete.

Çfarë të shtyu për të shkruar një libër?

Dëshira ime për të shkruar është analoge me atë për ligjin. Janë njësoj pjesë e imja dhe mendova se mënyra më e mirë për t’i bërë bashkë këto të dyja ishte një libër. Sidomos, duke menduar orientimin që gjithnjë e më shumë po marrim drejt virtuales dhe teknologjisë, mendoj se do të jetë inspiruese dhe për bashkëmoshatarët e mi një orientim drejt tradicionales, por me një perspektivë të re.

Kush të ka mbështetur më shumë në shkrimin dhe publikimin e librit?

Ndihem krenare dhe me fat të them se mbështetja është e vetmja gjë e patundur në punën time, në tërësinë e saj. E njëjta situatë vlen dhe në procesin e shkrimit të librit. E konsideroj veten të privilegjuar që kam patur mundësinë të konsultohem dhe këshillohem me profesionistë të fushës e profesorë të mi. Njëkohësisht suporti i miqve dhe familjes sime ka qenë i patundur dhe është kthyer në motorin e energjisë sime.

Ku e gjen frymëzimin në punën tënde?

Frymëzimin në punën time e gjej së pari tek fakti që kemi të bëjmë me një profesion sfidues, i cili çdo ditë të përball me dinamika të reja, dhe për këtë arsye duhet të jesh çdo ditë në rritje dhe në informim të vazhdueshëm. Megjithatë, kënaqësinë më të madhe dhe frymëzimin për të vazhduar edhe më të palodhur, e marr nga klientët e mi. Të ndash çdo ditë me njerëz të thjeshtë shqetësimet e brengat e tyre dhe të punosh bashkë me ta për t’u sjellë drejtësinë kaq shumë të kërkuar, është një kënaqësi që nuk mund të krahasohet as me pagë e as me shpërblime. Profesioni ynë ngjason pak me të mjekut; ashtu siç është jetik shëndeti, ashtu është dhe rivendosja e të drejtave të shkelura. A mund të ketë frymëzim më të madh se kaq?!

Çfarë do të ndryshoje në fushën e drejtësisë nëse do ta kishe në dorë?

Nëse do të mundesha, do të ndryshoja ngërçin që për momentin ka kapluar gjykatat e vendit tonë si një rrjedhojë e pashmangshme e procesit të vetingut. Gjykatat janë tej mase të ngarkuara dhe për këtë arsye çështjet zgjaten në kohë, duke shkaktuar një kalvar pritjesh, lodhjesh, vonesash... “Drejtësi e vonuar është drejtësi e mohuar!”. Megjithatë kjo është një situatë që nuk mund ta ndryshojmë aq thjeshtë dhe që me durim e profesionalizëm duhet të përpiqemi ta kalojmë me shpresën dhe besimin se rezultatet e këtij procesi do të kompensojnë sfidat me të cilat po përballemi për momentin.

Nëse s’do ishe avokate, cili do të ishte profesioni të cilit do t’i ishe përkushtuar?

Nëse nuk do të isha avokate, nuk do të isha unë. Nuk kam një profesion të dytë në mendje pasi kurrë nuk kam konsideruar një zgjedhje tjetër. Në këto kushte, çdo aludim do të ishte me bindje i pavërtetë...

Ka pasur ndonjë moment në jetën tënde që je penduar për zgjedhjet profesionale?

Kurrsesi jo. Për më tepër e ndiej veten të lumtur, krenare dhe me shumë fat.

Po ato personale?

Në planin personal, secili prej nesh në refleksionet që bën me vetveten mund të donte të ndryshonte ngjarje, ndodhi, sjellje, reagime, veprime. Megjithatë, nuk mund të them se jam penduar për diçka. Dhe në ato raste kur rezultati është zhgënjyes, përfundojmë me një mësim, nxjerrim një mesazh dhe reflektojmë mbi të ardhmen. Procesi i rritjes dhe zhvillimit nuk mund të konceptohet pa rrëzime; dhe këto të fundit janë aq të rëndësishme në formimin e karakterit të individit, sa duhen trajtuar me shumë krenari.

Cilën nga gratë dhe vajzat e fushës së drejtësisë do të veçoje?

Pa dyshim, Ruth Bader Ginsburg, ikona e gjyqësorit amerikan. Arsyet janë evidente, zëri i saj ishte jo vetëm i fuqishëm në mendimin juridik, por edhe në mbrojtjen e të drejtave politike e civile duke lënë gjurmë të thella në shoqërinë amerikane dhe duke u kthyer në një model frymëzimi për çdo jurist të ri, veçanërisht ato gra.

Çfarë do të doje të kishe arritur pas 10 vitesh? Ku e shikon veten?

Planet në terma afatgjatë janë të shumtë dhe sigurisht shtrihen nëpërmjet objektivave e qëllimeve që presin të konkretizohen edhe në më shumë se 10 vite. Megjithatë, më e rëndësishmja për mua është që në 10 vitet që do të vijnë, të kem shtuar kontributin tim së pari në fushën e literaturës juridike dhe të vazhdoj të qenit e pareshtur në kontributin tim si avokate, veçanërisht ndaj atyre që kanë më shumë nevojë. Fushën e të drejtave të njeriut e kam veçanërisht përzemër dhe në 10 vite pres ta kem konkretizuar këtë ndjesi në një formë konkrete entiteti, kontributi për komunitetin. Megjithatë mbetet të presim; pa harruar se duhet të bëjmë më të mirën!

Çfarë i trembesh më shumë?

Në fushën tonë kupton se nuk mund të jetosh me frikë dhe se si avokatë jemi të programuar dhe trajnuar për t’iu përshtatur çdo të papriture. I trembem vetëm mirëqenies së familjarëve e miqve të mi, njerëzve që unë dua dhe që janë pjesë e pandarë e imja. Çdo gjë tjetër është e përballueshme.

Credits

Fotot: Class Photography

Grimi dhe Flokët: Class Hair & Make Up

Dizajni: Xhesika Berisha