Ishte fare rastësi që të dyja vajzave të edicionit të dytë të ‘Love Story’ t’u fillonte emri me D, po aq sa ishte rastësi që të dyja, nga destinacione të ndryshme, të takoheshin në të njëjtën rrugë - në kërkim të Dashurisë. Biondja dhe brunia e ‘Love Story’, prej disa muajsh protagoniste, kanë një fokus më të qartë tani që spektakli e ka kaluar gjysmën e tij. Nga java në javë kanë prodhuar debate pafund, jo vetëm të hënave, por edhe çdo ditë pasditeve në ‘Love Story Talk’, por askush nuk mund të mohojë që publikut i kanë dhuruar edhe shumë emocione të bukura.
Vendimi për të qenë pjesë e një spektakli që ndiqet nga e gjithë familja s’mund të ishte aq i thjeshtë. Në mënyrë sporadike, por ndonjëherë edhe drejtpërdrejt, të dyja vajzat e kanë pohuar që nuk ka qenë e thjeshtë të bindnin si fillim familjet e tyre e pastaj të gjithë pjesën tjetër; shoqërinë apo publikun e gjerë, i cili, me gjithë përpjekjet për të qenë sa më i hapur, ndonjëherë e ka të vështirë të pranojë dashurinë në sytë e të gjithëve, madje jo pak herë edhe çastet intime me dritat e ndezura.
Megjithatë, kjo faqe tashmë është kaluar për Dean dhe Danielën, profili i dy vajzave moderne, që jo vetëm pranuan të jenë pjesë e një 'dating show' për të gjetur dashurinë, por njëkohësisht pranuan për t’u bërë zëri i çdo vajze të re, guximtare, që i thotë hapur mendimet e veta, cilatdo qofshin ato, dhe po ashtu, i thotë hapur ëndrrat edhe në lidhje me meshkujt. Në fund të fundit, nëse ato (ëndrrat) mbeten të ndrydhura, si mund të përjetohen, realizohen a shpirtëzohen?
Në një rrëfim ekskluziv për revistën Class, për të thënë e zbuluar të tjera të pathëna për veten, Dea dhe Daniela flasin me gjuhën e zemrës.
Dea, biondja e ëmbël e ‘Love Story’*
- Çfarë e shtyn më shumë një 24-vjeçare të kërkojë dashurinë në televizion?
Dëshira për të provuar gjëra të reja, patjetër. Kërkimi i dashurisë në vetvete është aventurë, por në televizon, pa dyshim, ka më tepër emocione dhe risi.
- Javë pas jave, po i afrohemi fundit të spektaklit, e shikon dritën e dashurisë në fund të tunelit?
Sigurisht. Ndjenjat e para sapo kanë nisur të çelin.
- Si ka qenë i gjithë ky rrugëtim për ty, kur të është dashur të vendosësh për dashurinë ‘me drita ndezur’?
Ka qenë një rrugëtim më i komplikuar nga sa e mendoja. Ka qenë, pa diskutim një ‘rollercoaster’. E pahasur më parë me televizionin ka qenë një sfidë për mua, megjithatë tashmë më duket sikur e kam stabilizuar sadopak situatën.
- Rrjeti, përveçse një vajzë shumë të bukur, të ka komplimentuar shpesh edhe për vajzë të zgjuar. Je krenare për zgjedhjen/t që ke bërë me zgjuarsi?
Ndihem vërtet mirë dhe e vlerësuar nga publiku kur dëgjoj fjalë pozitive kundrejt meje. çdo zgjedhje ka qenë si pasojë e dëshirës sime, ndonëse ka pasur edhe të tilla që mund të kenë rezultuar të gabuara.
- Cili prej djemve të ka zhgënjyer më shumë?
Nuk dua të përmend emra konkret, por patjetër ka pasur edhe djem që më kanë zhgënjyer me sjelljen e tyre, po njësoj siç ndodh edhe në jetën jashtë kamerave.
- Çfarë të bëri ‘efekti i rrjeteve sociale’ pas asaj deklarate në spektakël?
Jam e vetedijshme që në televizion, çdo fjalë e thënë amplifikohet dhe ndonjëherë keqpërdoret. Por unë e di shumë mirë çfarë kam thënë e kush jam, ndaj nuk më shqetëson çfarë thuhet. Fundja, fjalët kanë impakte të ndryshme te njerëzit.
- Personazhet që ndajnë pjesë nga jeta personale ‘fitojnë pikë’ më shumë në publik. Mendon se ka ndikuar edhe tek ty kjo?
Nuk do thoja që fitojnë pikë, por, pa dyshim, jeta personale tërheq vërtet shumë interes për publikun. Personalisht, jam përpjekur të jem e rezervuar përsa i përket jetës sime jashtë ekranit dhe dëshiroj që çdokush të më njohë për çka unë shfaq në ekran.
- A ka pasur ndonjë rast kur ke menduar “ç’m’u desh mua kjo punë”?
‘Love Story’ është eksperienca ime e parë televizive, dhe sigurisht në disa raste e kam ndier presionin dhe përgjegjësinë e ngarkuar, por kjo nuk më ka vënë përpara pendesës për zgjedhjen që kam bërë, sepse për çdo vendim që ndërmarr, jam e ndërgjegjshme për atë që më pret.
- Ke fluturuar në ajër për një kohë të gjatë me profesionin (aq sa kjo u bë edhe batutë në disa episode në Love Story). Sa afër ëndrrës për të fluturuar sa më lart je në këtë moment?
Synimi për të cilin unë gjendem në Love Story, është të përjetoj ndjenjat e forta të nje dashurie të vërtetë. Mendoj se jam drejt hapave të duhur, ndjesitë po rriten dita-ditës.
- Çfarë planesh ke pas ‘Love Story’, e ke menduar si një trampolinë për të kërkuar rrugë të reja në televizion?
Meqenëse u përballa me televizionin, ka ardhur momenti të zhvilloj profesionin tim si financiere. Por pse jo, vazhdimi në televizion mund të jetë opsion i dytë. Mendoj se më shkon për shtat.
- 3 cilësi të mira që të jep fuqia e televizionit dhe fama?
3 cilësi të mira do të konsideroja mundësitë e punësimit në botën e televizionit, njohje të reja dhe bashkëpunimet.
- Po të këqija?
Fama të privon nga të pasurit një jetë private, gjithnjë në sytë e publikut dhe sigurisht nuk do pëlqehesh nga kushdo duke marrë kështu si feedback dhe komente negative.
Daniela, brunia ‘e egër’ e Love Story
Daniela nuk është për herë të parë në ekran. Eksperiencat televizive, ajo i ka provuar më herët, në modeling, por ky rrugëtim edhe për të ishte i paparashikuar. Dashuria për Danielën është ndjenja më sublime në botë, por ndryshe nga të gjithë, ajo e ka ndier mungesën e saj shumë herët. Ishte mjaft e vogël kur humbi të vëllanë në një aksident dhe pak vite më vonë, edhe të ëmën nga një sëmundje e pashërueshme: “La një dhimbje të madhe pas dhe një peshë shumë të rëndë mbi supe” – tha bukuroshja në rrëfimin e saj për këtë dhimbje, e cila për të është mbuluar gjithmonë nga një fasadë, që të mos duket çfarë fshihet brenda.
Daniela erdhi në “Love Story” ‘për të gjetur njeriun e jetës’, siç e ka thënë shpesh, por krijoi menjëherë te djemtë konkurrues një “mur mbrojtës”. Me apo pa dashje, u duk një vajzë e fortë, herë-herë e specifikuar “e egër” që po përpiqej t’u thoshte të gjithëve se nuk ishte aspak e thjeshtë të fitoje zemrën e saj. E sfiduar që në vegjëli me dy humbje të pazëvendësueshme, Daniela i ka treguar publikut tashmë jo që është e ngurtë, por është bërë e fortë nga dhimbjet, madje i janë dashur shumë sakrifica për të arritur çdo gjë në jetë: “Dhimbjet më kanë bërë kaq të fortë sa jam sot, por thellë-thellë e kam shpirtin shumë të butë”.
Edhe për të, ashtu si për Dean, rrugëtimi në ‘Love Story’ mbase ishte më i komplikuar se ç’mendonte. Për një specialiste kriminalistike, për më tepër, detajet janë gjithmonë në fokus dhe studimi i tyre (që për ne të tjerët është fare i parëndësishëm) është njëlloj si të ndërtosh një histori nga e para. Ndoshta, kjo është edhe arsyeja që Daniela e ka pasur paksa më të vështirë zgjedhjen e djemve, edhe pse, edhe për të preferencat kanë rënë në sy.
Një vajzë që nuk resht asnjëherë të jetë e drejtpërdrejtë me djemtë, të kërkojë maksimumin prej tyre dhe jo vetëm për vete, por për të gjithë gjininë që përfaqëson, nuk e ka rrugën të thjeshtë. Por Daniela, si pak vajza guxojnë ta bëjnë, ka preferuar më mirë një rrugë të vështirë e me pengesa sesa të jetë një grua klasike, e cila bën gjithçka sipas dëshirave të bashkëshortit.
Takimet e njëpasnjëshme me Vilianin e kthyen Danielën shumë pas në kohë. Me të, brunia e bukur kishte nisur të ndihej si dikur fëmijë; e pafajshme, e çlirët, naive ndonjëherë dhe e lumtur... i jeton momentet me të të ëmbla, fare natyrshëm, ashtu siç vijnë, por ende nuk mund të thotë asgjë akoma. Ka një ngërç të cilin as Daniela dhe as djemtë e tjerë nuk po arrijnë ta zgjidhin dhe ndoshta jo për faj të tyre. Rrethanat, kushtet ndoshta nuk janë gjthmonë në favor të tyre... Megjithatë, janë pak djem që e kanë kuptuar tashmë se pas “egërsisë” së Danielës fshihet një shpirt kaq i butë, saqë për dashurinë mund të bëjë gjithçka. Na mbetet vetëm të presim fundin ....
2D janë shumë afër për të prekur D-në e madhe që po kërkojnë në jetë. Mbeten edhe pak javë për të kuptuar se cili do të jetë princi i njërës dhe i tjetrës. Edhe në mos qoftë me cilësitë e princit, as Dea dhe as Daniela nuk e kanë fare problem. Mjafton të jetë njeriu që t’i dojë dhe t’i mbështetë në çdo hap. Sepse Dashuria, edhe ajo me drita të ndezura nuk ka asnjë ndryshim. Vizatohet po njëlloj, përjetohet po njëlloj dhe ndihet po njëlloj. Sepse flet me dridhjet e zemrës... Aty ku dritat nuk depërtojnë dot më.
Credits:
Fotografia: Orsola Mema, Class Photography
Design: Xhesika Berisha