Në njërën prej rrugëve më të populluara të Tiranës, u shfaqën pak pas mesditës dy silueta me kontrast të theksuar. Thuajse identikë, dukeshin prej së largu që ishin çift. Kadenca e hapave s’mund të dëgjohej, sepse qindra metrat larg nuk ta mundësonin këtë, ama shpejtësia e tyre mund të vihej re lehtësisht. Sa më shumë afroheshin, aq më shumë siluetat qartësoheshin dhe portretet dalëngadalë nisën të lexoheshin. Një çift që nuk i ngjante asnjë tjetri të asaj rruge, çift prej pak kohësh, por s’ishte e vështirë të kuptoje që hidhnin të njëjtin hap. S’ishte rastësi, s’mund të ishte rastësi. Edhe pak më afër. Kontrasti bardhë e zi ishte i dukshëm, por jo, nuk kishin ndërmend ta respektonin kontrastin klasik në këtë set fotografik. Edhe sikur të donin, “shfaqja” bardhë e zi s’mund të zgjaste më shumë se disa minuta prezantimi. Sepse Xhoni është Xhoni... S’ndalet, derisa të qeshë me gjithë shpirt. Ndërsa Romina s’mund ta shtyjë gjatë “nervozizmin” e një modeleje të shqetësuar paksa për setin fotografik. A mund të qëndrojë njeri para Xhonit pa qeshur me gjithë shpirt?

Në një ditë të ngrohtë prilli, XhoooMinaaa, emri me të cilin janë identifikuar tashmë dy të rinjtë që lanë pak javë më parë “Love Story”, vendosën të jenë pjesë e revistës Class për të rrëfyer më shumë për jetën e re pas spektaklit të dashurisë, jashtë vëzhgimit “qortues” të kamerave dhe monitorimit të vazhdueshëm. Tashmë, prej disa javësh, Xhoni dhe Romina po shijojnë ditët e tyre me dhe pa njëri-tjetrin, po përpiqen të ekuilibrojnë projektet dhe punët që kanë, me kohën që duhet t’ia kushtojnë njëri-tjetrit. E kanë kuptuar dhe mirëkuptuar pjesën e lirisë qysh para se të vendosnin të dilnin dhe ta njihnin njëri-tjetrin jashtë. Romina e vlerësoi Xhonin si “shpirtin e lirë” të këtij formati, por edhe ai e vlerësoi Rominën, ndryshe nga të gjitha kandidatet e tjera, si vajzën “pa kushte”, të hapur, të dashur dhe të gatshme për të respektuar lirinë dhe hapësirat pa kushtëzuar partnerin. Por Romina nuk pranon kurrë të bëjë kompromise në emër të dashurisë, pavarësisht rrethanave.

Sapo Xhoni të mbarojë xhirimet e filmit të tij të radhës, do të niset drejt Gjermanisë: “U bë shumë kohë...”, – thotë ai me sytë që i shkëlqejnë sapo kujton që shumë shpejt do t’i bashkohet familjes. Por e di që kjo periudhë nuk do të jetë jetë aq e thjeshtë për dashurinë, sepse lidhja në distancë bëhet më e vështirë. Megjithatë, është i bindur që, nëse do të kenë të njëjtin mirëkuptim që kanë treguar deri tani për hapësirat dhe projektet e njëri-tjetrit, lidhja do të premtojë jetëgjatësi.

Pas Xhonit, rrugën për në Gjermani do ta ketë edhe Romina: “Do vijë Romina si fillim në Gjermani, pas pak kohësh, për të provuar një pjesë të shkurtër kohe, si do kalojmë me njëri-tjetrin. Pastaj duke parë e duke bërë...”

‘Duke parë e duke bërë’ nuk është thjesht dhe vetëm një shprehje ‘përcjellëse’ sa herë që nuk e parashikojmë dot çfarë na sjell e ardhmja. ‘Duke parë e duke bërë’ është kthyer pothuaj e gjithë jeta jonë; e përditshmja e paparashikueshme që vazhdimisht na i prish planet që kemi bërë një natë më parë me kokën në jastëk e sytë drejt yllit përgjysmë që shfaqet e zhduket te xhami i dritares. Shprehja e famshme e Xhonit “avash avash”, jo vetëm në lidhje, po në çdo fushë tjetër të jetës është kthyer në moton e ditës: ne kurrë nuk e dimë ç’na pret, dikush a diçka tjetër duket se i bën planet për ne, aq sa nganjëherë nuk në lejon as të bëjmë zgjidhje të tjera alternative. Kështu që, nga Xhoni dhe Romina, ndoshta është mirë të nxjerrim mësime për ta pranuar këdo në rrethin tonë, ashtu siç është, me të vërtetat e veta, sido të jenë ato – pa ngjyra, pa shumë lule, pa xixa e perfeksion, pa luks. Xhonit i del zëri nga shpirti kur thotë “Shfaqeni veten ashtu siç jeni, jini të vërtetë. Le ta dijë e gjithë bota mbarë....” Sepse nga origjinaliteti i buron edhe ndjenja, me gjithë kompleksitetin që shfaq. Por s’mund të krahasohet me asgjë tjetër të bukur në botë. Sepse bukurinë e ka te thjeshtësia...

Të lindur për të qenë dy shpirtra të lirë, Xhoni dhe Romina kanë nisur tashmë ta jetojnë dashurinë e tyre jashtë dritave. Dhe një pjesë të asaj që mund të rrëfehet ende me drita ndezur, kanë vendosur ta ndajnë sot me ne.

Romina: Nuk e duroj dot presionin në dashuri

- Si po shkon jeta e re pas ‘Love Story’-t, ishte gjithçka siç e prisje?

Pak e rrëmujshme, mund të them, sepse është ndryshe të njihesh para kamerave me dikë dhe është ndryshe të njihesh jashtë tyre. Nganjëherë, në jetën reale situatat është e vështirë t’i parashikosh, sepse e tillë është jeta, ka të papritura, ndaj edhe s’mund të jetë gjithçka siç e pret. Por, natyrisht, e njeh më mirë dikë, në të tjera situata, të pakushtëzuara nga “dritat”. Unë nuk dua të nxitohem për të dhënë deklarata, për të cilat më vonë mund të pendohem. Dua t’i hedh hapat të sigurt. Është shumë e rëndësishme të jem e matur, pasi Xhoni mund të jetë njeriu me të cilën mund të lidh jetën.

- Ke folur/ e ke takuar familjen e Xhonit?

Jo, në fakt, nuk kam arritur ende t’i takoj, edhe pse dëshira është shumë e madhe. Kam folur në telefon me mamanë e Xhonit dhe me gjyshen. Janë njerëz të mrekullueshëm dhe dua t’i falënderoj për këtë djalë që kanë rritur. Siç ndihen ato krenare për Xhonin, edhe unë ndihem krenare për njeriun që kam njohur dhe për zemrën e madhe që ai ka.

- Xhoni duket tip funny, që i merr gjërat me sportivitet, ke arritur ta bësh me nerva këto ditë?

Nuk është njeri që nervozohet lehtë dhe kot, por varet nga situatat që krijohen. Përgjithësisht, kemi qenë funny, si këto ditët më diell të pranverës. Deri tani kështu ka qenë, më vonë s’di t’ju them çfarë do të ndodhë.

- E keni testuar njëri-tjetrin për xhelozi, kush është më xheloz nga të dy?

Të dy njëlloj jemi, por e shfaqim në mënyra të ndryshme. Gjatë kësaj kohe, më shumë e kemi ngacmuar njëri-tjetrin duke e “përdorur” xhelozinë si shaka. Xhoni, zakonisht bëhet më shumë xheloz kur nuk i del fjala e tij. Do të ketë gjithmonë të drejtë, por më vonë e kupton që mund të ndodhë edhe të gabosh. S’mund të kesh gjithmonë të drejtë...

- Për cilën nga vajzat në program ke qenë xheloze në fillim kur ke hyrë, meqenëse ke hyrë pak vonë (nuk pranohet përgjigjja për asnjërën).

Nuk mund të them që kam qenë xheloze, sepse kur u futa, e kisha të qartë qëllimin tim; që të bëja për vete Xhonin. E kisha parë pak nga jashtë dhe më kishte bërë përshtypje stili dhe origjinaliteti i tij, ndaj edhe e kisha të qartë objektivin. Kam pasur shumë debate, kundërshtime, gjëra të tilla që na shoqëronin, si “jeni njohur jashtë”, “dy tipa të njëjtë shtyhen”, apo edhe më keq akoma, kur mendonin se unë isha “një tranzit i ëmbël për Xhonin” – pati shumë nga këto. Por ja që nuk rezultoi kështu. Kimia që patëm që në fillim dhe që vijojmë të kemi për njëri-tjetrin triumfoi, kështu që mendoj se xhelozia nuk kishte më vend.

- Kishe frikë se mos nuk do ishe ti zgjedhja e Xhonit natën e fundit?

Të them të drejtën, jo. Takimet shumë të afërta, kimia që patëm që në fillim, kontaktet në rrjetet sociale më kishin favorizuar, kështu që isha pothuaj e bindur që unë isha e zgjedhura. Një njeri nuk mund t’i tradhtonte ndjenjat e tij ndaj meje. Më shumë po mendoja dhe “frikësohesha” për atë që do të vijonte jashtë, sepse për brenda spektaklit, e kishim përmbushur misionin tonë.

- Cila janë veset që i ke zbuluar Xhonit pas spektaklit?

E do çdo gjë menjëherë, nuk ka durim për gjëra të caktuara, o tani, o s’ka. Nuk e di nëse mund ta quaj ves, por më bezdis fakti që do të flejë gjithë ditën, sepse nuk arrijmë të organizohemi, qoftë edhe për një piknik. Këtë e ka favorizuar pak edhe ritmi i rrëmujshëm i këtyre ditëve, për shkak të xhrimeve që ka pasur në projektet që po bën. Mendoj se janë ‘vese’ të tolerueshme këto, apo jo?

- Cilat janë planet e afërta, bashkëjetesë, ku?

Plani më i afërt që kemi është që të shkoj me Xhonin për të vizituar Gjermaninë dhe për të njohur sa të mundem jetën e Xhonit aty. Mendoj se do jetë një periudhë që do më vlejë për të mësuar më shumë gjëra për Xhonin dhe familjen e tij. Dua edhe unë ta shikoj veten nëse do përshtatem me jetën, vendin apo edhe me bashkëjetesën me Xhonin apo jo. Të shikojmë se si do na shkojnë punët.

- Në lidhje toleron më shumë ti apo Xhoni?

Duke qenë se jemi të dy tipa impulsivë, duhet që njeri të tërhiqet, pra t’i ulë gjakrat. Më duket se më shumë, këtë rol e kam pasur unë deri tani. Meshkujt e kanë pak të theksuar krenarinë, unë toleroj kur shikoj që situata mund të agravohet. Por nuk mbajmë inat, sepse e kemi shumë xhan njëri-tjetrin dhe nuk rrimë dot pa bërë ndonjë batutë të radhës. Domethënë, edhe në këto raste, “zënka” nuk zgjat shumë.

- E sheh Xhonin si ‘pengesë’ apo si një mbështetje në projektet e tua të ardhshme?

Nuk e shoh si pengesë, sepse ai adhuron pjesën e modelingut me të cilën unë merrem prej kohësh dhe është një shtysë që të vazhdoj më lart. Megjithatë, unë me veten e mendoj shpesh që do vijë një moment i caktuar kur do më duhet të zgjedh: jetën para karrierës apo këtë të fundit para një bashkëjetese? A do të jem në gjendje që t’i mbaj të dyja në ekuilibër? E them këtë, sepse e di që dashuria do përkushtim, do kohë, do impenjim, por edhe karriera, nga ana tjetër, do që të jesh e përkushtuar gjatë gjithë kohës aty dhe nëse do të hedhësh hapa më lart, duhet të sakrifikosh shumë.

- Çfarë mendon se keni të përbashkët që ju ka lidhur më shumë pas daljes?

Fakti që respektojmë shumë hapësirën e njëri-tjetrit, angazhimet që kemi, mundohemi të gjejmë sado pak kohë të lirë që të rrimë bashkë, por pa u bërë pengesë. Kjo është shumë e rëndësishme për ne, sepse duam që gjithçka të vijë natyrshëm dhe të jetë e dyanshme.

- Çfarë nuk do bëje për dashurinë?

Nuk do doja që të vija në një peshore dashurinë me karrierën, sepse do ishte presion dhe nuk do të doja të gjendesha përballë një zgjedhjeje të tillë. Nuk dua të jem përballë një presioni edhe në dashuri, sepse mendoj se secili prej nesh duhet të jetë i lirë të bëjë gjërat që do, pa cënuar lirinë dhe hapësirën e askujt.

- Cila është ajo gjë që ka ndryshuar më shumë në marrëdhënien tuaj pas kamerave?

Duke qenë se ishim 4 ditë të javës në program, më duket se më shumë kohë kalonim pranë njëri-tjetrit, për shkak të programit dhe tani që angazhimet janë rritur, nuk na mbetet shumë kohë për njëri-tjetrin. Shpresoj që e gjithë kjo të na çojë diku, në mënyrë që të gjejmë një rrugë të ndërmjetme, siç mund të jetë edhe bashkëjetesa.

Xhoni, lindur për të qenë shpirt i lirë

- Çfarë të mungon më shumë tani nga Love Story?

Më mungon e gjithë rutina e atyre muajve, eksperienca, njerëzit që njoha aty dhe të gjitha përjetimet që kam kaluar gjatë atyre javëve. Më mungon ndoshta e gjithë përvoja dhe përjetimi i dashurisë në një mënyrë tjetër; të gjitha emocionet, ndjenjat, takimet, udhëtimet. Dhe të gjithë këto, gjithmonë shoqëruar me drita ndezur. Ishte çdo gjë e bukur dhe tani që ka mbaruar, seriozisht më duket sikur kam qenë në ëndërr.

- Jeni duke jetuar një marrëdhënie ‘me standarde’ apo jeni një çift ‘open minded’?

Po më shumë është kjo e dyta. I japim më shumë hapësirë njëri-tjetrit dhe po njihemi në mënyrë të tillë që ta kemi qejf njëri-tjetrin, pa u kufizuar dhe pa e penguar lirinë e njëri-tjetrit. Na duket edhe më mirë kështu, sepse nuk duam që ta konsumojmë shpejt atë që ka lindur mes nesh. Avash-avash, gjithçka është më mirë kur vjen natyrshëm.

- Kur kthen kokën pas, ke ndonjë pendesë, çfarë do doje të kishe bërë ndryshe në program?

Po, mbase kam diçka që mund ta ndryshoja. Ndoshta ka të bëjë me mënyrën se si do e kisha provuar me vajzat në takime. Po të më jepej mundësia edhe një herë, them se mund t’i kisha provokuar më shumë, në mënyrë që të zbuloja më shumë prej tyre. Mendoj se kjo ndoshta ka ardhur edhe për shkak të pasigurisë sime në gjuhën shqipe, por edhe për shkak të pengesave të tjera që lindnin nga rrethanat. Këtë e kuptova pak më vonë. Them se bëra një rrugëtim të mirë, nuk kam pendesa. U përpoqa të bëj më të mirën time, ndonëse perfeksion s’mund të ketë asnjëherë.

- Cili ishte momenti kur e kuptove se Romina do të ishte zgjedhja jote?

E kam thënë edhe një herë tjetër, ishte momenti i parë kur zbriti shkallët, natën e parë, e veshur me fustanin blu. Ndërsa momenti tjetër (deri në atë çast kam qenë i dyzuar) ishte kur Anxhi më tha se kishte vendosur të largohej, sepse për të nuk kishte më vend në program. Aty kuptova që kjo ishte e vërtetë. Jo sepse nuk më erdhi keq për Anxhin që u largua, por aty u binda që pas kësaj, rrugën do ta vijoja me Rominën.

- Çfarë gjete te Romina që nuk e kishin vajzat e tjera?

U përshtat shumë shpejt me natyrën time dhe me mënyrën se si i shikoj unë gjërat. Ishte një vajzë që më kuptonte shumë mirë, këtë nuk e gjeta tek të tjerat, është mendjehapur dhe përpiqet të respektojë lirinë time, sepse këtë e ka edhe vetë. Është shpirt i lirë, mua më pëlqejnë vajzat që kanë shpirt të lirë...

- Cila është ajo gjë që ka ndryshuar më shumë në marrëdhënien tuaj pas kamerave?

Kam filluar të mësoj sa e vështirë është të jesh njeri i ekranit dhe pas kësaj të dalësh dhe të jetosh sërish një jetë të thjeshtë. Nuk është kaq e thjeshtë të bësh budallallëqe. Nga njëra anë kjo është edhe e bukur, sepse më vjen mirë kur më ndalojnë në rrugë dhe më flasin për modelin që kam treguar e kam shfaqur në ekran, por nga ana tjetër duhet të jesh i kujdesshëm, sepse përfaqëson edhe një lloj modeli, mbase ka edhe ca fëmijë që të marrin shembull.

- Sa mendon se ke arritur ta njohësh Rominën?

Mendoj që jemi në një pikë që kuptojmë më mirë karakterin e njëri-tjetrit, por njohja është një proces i gjatë dhe, pa dyshim, kërkon kohë. Për mua është e rëndësishme që secili prej nesh të ndihet i respektuar. Ne po i lëmë kohë njëri-tjetrit, po zbulojmë veti dita-ditës, si një lule që çel dalëngadalë, duke jetuar, duke ndenjur bashkë, pra po mundohemi ta njohim, por edhe të përshtatemi me njëri-tjetrin me kohën. Nuk duam ta pranojmë me zor, duam të vijë çdo gjë natyrshëm mes nesh.

- Gjëja që të “acaron” më shumë te Romina dhe ajo që të pëlqen më shumë?

Bëhet shumë shpejt nervoze, është nevrike. Ngaqë jemi kështu të dy, bëhet pak e vështirë, sepse nuk duhet ta ndezim njëri-tjetrin, por duhet ta zbutim. Megjithatë, është një gjendje që kalon shpejt. Ajo që më pëlqen më shumë është fakti që është shumë qejflie, kërkon një jetë qejfi dhe është shumë e ëmbël (ka mundësi të jetë edhe më e ëmbël) – (qesh).

- Me Sellmën ke folur më pas natës finale? Nëse po, për çfarë?

Kam folur, madje edhe për natën e fundit, për atë shpërthimin e habitshëm që pati atë natë dhe për gjërat që kanë ndodhur mes nesh. Më erdhi keq që nuk e kam dhënë më shumë veten (ndoshta që nuk i kam kuptuar aq mirë ndjesitë e saj). Mbase kam dashur ta ruaj këtë marrëdhënie si shoqërore, sepse edhe natën e fundit, kështu u mbyll. Më vjen keq që nuk i besova që ajo i kishte ndjenjat e vërteta. Shpërthimi në fund më la ta dyshoja pak këtë gjë. Megjithatë, nuk jam penduar. Vazhdoj të mendoj se Sellma është një nga vajzat më pozitive që kam njohur dhe të tillë do ta kujtoj gjithmonë.

- Po me Anxhin ke pasur më komunikim? A ka tentuar ajo të jetë mikeshë për ty, siç tha natën kur u largua nga ‘Love Story’?

Në fakt, vetëm natën e parë pasi u ndamë, kemi folur një herë. Mendoj se kur të takohemi, nuk do ta harrojmë atë që kemi përjetuar dhe gjithmonë do ta kujtojmë që i kemi premtuar njëri-tjetrit se do jemi miq të mirë. Ndonjëherë ia shikoj Story-t dhe më bëhet shumë qejfi që ajo është e lumtur me dyqanin e ri që ka hapur, i uroj shumë suksess. Uroj ta gjejë një njeri që ta bëjë të lumtur, ashtu siç e meriton dhe është edhe ajo vetë.

- A ke krijuar një qëllim personal që do ta realizosh 5 vitet e ardhshme?

Po, është karriera ime. Edhe familja. Po mendoj se jam gati dhe besoj që jam në rrugën e duhur për të përjetuar një dashuri të vërtetë dhe përjetë. Për karrierën kam nisur disa projekte, jam në mes të filmit të parë dhe po pres xhirimet për të dyrtin. Kam edhe në Gjermani të tjera projekte dhe shpresoj që shumë shpejt fati do të më buzëqeshë edhe në këtë drejtim. Uroj të shkojnë gjërat siç kam dashur dhe siç kanë nisur. Them se jam në rrugë të mbarë.

Nëse do t’ju kërkonim të listonit të gjitha “kriteret” që duhet të plotësojë një çift për t’u quajtur ‘funny couple’, ju me siguri do nisnit menjëherë të mendonit se cilat janë çiftet më argëtuese dhe më gazmore që njihni për të përpiluar më pas “listën e kritereve”. Po i pari që ju vjen menjëherë në mendje?

XhoooMinaaa! Emri që bëri bashkë Xhonin dhe Rominën e “Love Story”, mbeti një prej gjetjeve më interesante të Eni Shehut. Jo për bashkimin e dy emrave sesa më shumë për origjinalitetin dhe karakterin që i bashkon të dy të rinjtë në një emër. Emri nuk është e vetmja gjë që i bashkon tanimë Xhonin dhe Rominën... Është këndvështrimi, rrugëtimi, pika e largët e horizontit (drejtimi) që i ka orientuar të kapërcejnë kufijtë për të parë njëkohësisht në të njëjtin drejtim.

Sepse kështu është dashuria... rruga që nuk duket qartë me sy të lirë, por shfaqet dukshëm në sytë e thellë.

Credits:

Fotografia: Orsola MemaClass Photography

Make up & Hair style: Class_hair_makeup

Design: Xhesika Berisha