“Në i detyrofsh dot muskul, nerv e puls e zemër
të të shërbejnë edhe kur gjithçka duket e kotë,
e të qëndrosh kur s’ke asgjë më veç vullnetit,
që vetëm fjalën “Qëndro!” gjithmonë të thonë…”

... shkruante Rudyard Kipling në mesazhin e tij të lashtë qysh në vitin 1895, për t’i dhënë të birit një fotografi të botës jashtë; e ftohtë, e egër, e padrejtë. Për botën që, të bën të mbetesh vetëm, të luftosh vetëm, të biesh e të ngrihesh vetëm. Vetëm me vullnetin për ta çuar përpara pasionin dhe ëndrrën e madhe – ‘me vepra që peshojnë’.

Por është e vështirë që në jetë të bësh vepra të mira duke i ushqyer vetes idenë se do t’u pëlqesh të gjithëve, se do t’i kesh të gjithë fansa të zjarrtë apo se të gjithë do të të duan. Praktikisht, është e pamundur. Mund të mos kesh bërë asgjë urryese për një grup apo një pjesë, por thjesht nga fakti që pëlqejnë më shumë një tjetër, dashje pa dashje, të bindin ta besosh se është normale edhe të të sulmojnë... Mund të kesh bërë gjatë gjithë jetës vetëm vepra të mira, nga ato që mbushin plot sallat gjigante, por më shumë se ato, mund të kesh bërë vepra të mira që mbushin plot shpirtrat, drithërojë zemrat dhe u japin shpresë ëndrrave. Por prapë mund të mos ia kesh dalë, edhe atëherë kur u ke dhënë krahë të gjithëve të fluturojnë duke të parë të bësh padieshka të jashtëzakonshme në ajër. Sepse ‘così è la vita’... S’mund t’u pëlqesh të gjithëve, s’mund të jesh i miri i të gjithëve.

Ama ai ishte. Megjithëse i ka kaluar mbi supe të gjitha sa më lart, nuk e ka ndalur ritmin. Një njeri i lirë qysh në vitet e para kur nisi të kërcente. E kishte të trashëguar talentin dhe pasionin për kërcimin. Kishte idhull të ëmën, Mukades Erëbara, dhe ashtu si ajo, artiste elegante edhe sot e kësaj dite, do të jepte gjithçka për ta çuar përpara artin e kërcimit. Ky i fundit, ritual i lashtë i oborreve aristokrate të rilindjes, do të injektohej, rritej e zhvillohej në gjakun e një artisti që e ka shpalosur pothuaj të gjithë dimensionin artistik te publiku i tij... Por kishte akoma edhe një sfidë për ta përmbushur profilin si njeri. Big Brother.

3 muaj pas fitores së këtij edicioni të shumëpërfolur, Ilir Shaqiri është në kulmin e projekteve të tij artistike. Ka nisur kontrata të gjata, po punon paralelisht me disa koncerte që do të transmetohen së shpejti me miq të tjerë artistë, por njëkohësisht po vijon punën pa ndërprerje në shkollën e tij të baletit në Romë. Kryeqyteti italian vazhdon të jetë shtëpia e parë e Ilirit, meqenëse prej më shumë se dy dekadash ka investuar jo vetëm për profesionin dhe pasionin e tij, por edhe për familjen.                                                             

Ka folur mjaftueshëm për veten dhe për parimet mbi të cilat e ka bazuar jetën e tij, ashtu sikundër ka shfaqur edhe një anë tjetër të Ilirit para mijëra shikuesve. Megjithatë, ka ende për të folur, ende për të rrëfyer ca të pathëna... Tani është radha e tij, në një intervistë ekskluzive për Class.

Dukesh sikur nuk ke pushuar fare pas BBV, me çfarë po merresh aktualisht?

Jeta ime sociale dhe artistike është dhe ka qenë gjithmonë e ndarë mes Italisë, ku jetoj, dhe Shqipërisë, ku kam lindur dhe jam rritur, prandaj sa herë paraqitet rasti, nuk hezitoj të rikthehem dhe të paraqitem përpara publikut shqiptar. Për momentin, jam i angazhuar me disa shfaqje, workshop-e dhe evente në Itali. Për shkak të pjesëmarrjes në BBV, u shtynë, dhe tani duhet t’i rikuperoj patjetër. Sigurisht, puna ime kryesore është baleti, nxënësit dhe koreografia, konkurset dhe eventet. Rekrutimi im nga Digitalb si imazh për 1 vit është gjithashtu shumë i rëndësishëm, impenjativ dhe emocional. Më jep sadisfaksion fakti që miliona shqiptarë, kudo që janë, kanë pranë Ilirin. Të tjera reklama dhe spote të Digitalbit janë duke u përgatitur. Angazhimi i gjithë familjes Digitalb është maksimal për t’i dhuruar diçka novatore dhe të bukur publikut. 

BBV pati ndikim shumë pozitiv, por a pati ndikim negativ në jetën tënde?

Unë, si natyrë nuk e pranoj negativitetin, përkundrazi, përpiqem të jem gjithmonë i buzëqeshur edhe përballë situatave më antipatike. Nga komentet e njerëzve marr vetëm të mirat e tyre, kurse të këqijat ua lë në derë atyre që i prodhojnë. Unë di të lexoj sytë e njerëzve nëpër rrugët e Tiranës dhe kudo shkoj, edhe në Itali, si gjithandej, BBV ka qenë jashtëzakonisht i ndjekur në platformën Digitalb. Përqafimet, komplimentet dhe sinqeriteti i tyre deri tani nuk më kanë zhgënjyer.

Si ishte pritja në Itali pas BB, nga familja dhe miqtë?

Një super surprizë që organizoi Emanuela me miq, shokë, artistë dhe familjarë ishte dhurata më e bukur që mund të merrja pas 136 ditësh izolimi në vetvete; larg  Emanuelës, Emily-t dhe familjes sime shqiptare. Festë me emocionet e njerëzve që më duan, të cilat u shumëfishuan në zemrën time dhe më bënë të kuptoja sa shumë më duan dhe sa afër i kam. Pas një eksperience si ajo në BBV, çdo veprim dhe fjalë merr kuptim akoma më të madh dhe të veçantë. Vlerëson më shumë kush janë ata dhe kupton më shumë kush je ti.

Raportet me kolegët balerinë janë përfolur shumë gjatë kohës që ishe në BB, si u ndjeve pasi mësove gjithçka që ishte thënë jashtë?

Pas daljes, mora vesh shumë gjëra që ishin folur dhe trilluar në kurrizin tim, të shokëve dhe familjes sime. Faktet flasin komplet gjëra të tjera dhe koha i tregon më së miri historitë e falimentimit ose suksesit të secilit prej nesh. Lum ai që ka memorie për të kujtuar kush ishte dikur dhe kush është tani. E kaluara është po aq e rëndësishme sa e ardhmja, dhe unë di të shikoj mirë në të dyja drejtimet. Mesazhet inkurajuese të Holta Dulakut, Ermalit, Amit, Kledit, Dorianit, Klaudias, Garrison-it, Arminës etj., folën shumë qartë. Kush ndriçon vetë, nuk ka nevojë për dritën ose hijen e askujt tjetër.

Po lajmi që ke lexuar (për veten) që të ka bërë më shumë përshtypje pas daljes nga BB?

Të lexosh për veten është kulmi i pasigurisë dhe s’kam arsye të kërkoj lajme portalesh dhe artikuj për të ditur kush jam dhe kush foli dhe për çfarë. Për Ilirin flet puna dhe emri i tij si në Shqipëri, edhe në Itali, madje që nga fëmijëria deri më sot. Jam rritur mes artistësh të nderuar që e kanë çarë rrugën e jetës falë këmbëve të tyre dhe sakrificave. Kush më njeh, e di që si ata, edhe unë nuk ia kam shtrirë dhe as ia kam vjedhur dorën askujt.

Cili është miku më i mirë pas BB?

Kam disa miq të mirë dhe vazhdoj të mbaj marrëdhënie të mira me ta, sepse dinë çfarë flasin pa kushtëzime dhe pretendime, si gjatë programit, ashtu edhe pas tij. Në miqësi çdo gjë duhet të lindë në mënyrë spontane dhe nga zemra, përndryshe është falsitet dhe hipokrizi.

Pse u prish marrëdhënia me Sabianin?

Unë mendoj që ne të dy i kemi dhënë shumë njëri-tjetrit, si brenda, edhe jashtë shtëpisë. Kur dikush bën për mua, di t’ia vlerësoj dhe ta rikëmbej pa ma kërkuar askush. Rëndësi ka kur miqtë dinë çfarë bëjnë dhe flasin në situata të ndryshme, për më tepër kur jemi në qendër të vëmendjes dhe para syve të publikut. Gjithsesi, mendoj që Sabiani është njëri nga ata që, nëse më ka qëndruar më afër një herë, i kam treguar që di ta vlerësoj dhjetë herë, si me fjalë, ashtu dhe me vepra. Pastaj, fjalët e tepërta janë fukarallëk dhe komentet e lagjes tek unë s’kanë asnjë efekt.

Pengu që të mbeti nga spektakli?

E kam thënë si brenda, edhe jashtë BBV, asnjë peng përveç tregimit tim përsa i përket gabimit fatal që desh më kushtoi familjen e mrekullueshme që kam. Nganjëherë sinqeriteti i tepruar merret për strategji dhe dobësi, ama mendoj që pak veta do kishin këllqe ta pranonin diçka të tillë dhe ta dënonin veten para miliona syve duke gjykuar dikë që ka kurajë të deklarohet fajtor. Kush ka tru, le të nxjerrë mësime nga gabimi im. Sa për lojën time, nëse kështu do quhej gjithçka unë isha për 4 muaj e gjysmë, s’kam për çfarë të jem penduar tjetër.

Do ta përsëritje si eksperiencë?

Sfidat i kam parim në jetë dhe në punë, ndryshe nuk do merrja pjesë në BBV. Mendoj se po, do e përsëritja pa frikë dhe do isha po ai që keni parë për ato muaj, nga dita e parë tek e fundit.

Ku do t’i investosh paratë (ke filluar nga puna)?

S’ka mbetur gjë më për investime, sepse gjysma e çmimit u dha për bamirësi, pa asnjë influencim ose detyrim dhe shumë shpejt do merrni lajmin sa gjë e bukur po bëhet. Këtë dhuratë e kisha shkruar vetë në formularin e BBV që kur isha në izolim në hotel, para se të fillonte programi. Gjëja më e bukur pas një eksperience të tillë është të falënderosh njerëzit që kisha dhe ndjeja pranë meje, prandaj përveç miqësisë, respektit, një pjesë ua dhurova Emanuelës dhe prindërve të mi për gjithë sakrificat e tyre, një pjesë i është dhuruar Sabianit për miqësinë e krijuar në shtëpi dhe për faktin që doja ta kisha me vete në finale dhe, sigurisht, një pjesë i është destinuar vëllait tim Olti, që s’e ka marrë akoma. Për veten, jam i kënaqur dhe më mjafton emri i fituesit. U jam mirënjohës të gjithë njerëzve që më përkrahën. Unë nuk hyra për para në BBV dhe jam shumë mirë kështu.

Çfarë të ka zhgënjyer më shumë pas spektaklit?

Nuk kam asnjë lloj zhgënjimi. Kam parashikuar dhe analizuar shumë situata dhe karaktere brenda shtëpisë dhe sigurisht u konfirmuan edhe jashtë. Më vjen të qesh kur dëgjoj prononcime pa argumente dhe të bazuara thjesht për të qenë në vëmendje të hidhepritjes së thashethemeve, si solucion i spektaklit post BBV.

Pse nuk i ke shkuar Donaldit në program?

Sepse doja ta lija të fliste në shtëpinë e tij. Në fund të fundit, është emisioni i tij dhe titulli duhej t’i përshtatej Donaldit, jo mua. Të përsëritnim BBV në ditën e 137-të të tij, mendoj nuk do kishte kuptim për vetë titullin e emisionit.

Cila famë është më e bukur, ajo e balerinit apo ajo e Big Brother?

E Ilirit balerin, si art, e Ilirit të BBV si njeri.

Po fansat më të mirë, ata që pëlqejnë artin e Ilirit apo ata që pëlqejnë Ilirin?

Më mjafton dhe vlerësoj çdo fjalë të mirë të tyre, sidoqoftë konteksi.

Ke vendosur që të vazhdosh jetën mes Shqipërisë dhe Italisë apo do zhvendosesh përfundimisht në Tiranë?

Për momentin, udhëtoj vazhdimisht pa harruar atë që kam krijuar në Itali dhe atë që jam në Shqipëri.  Këtë gjë e kam bërë gjithmonë, jo vetëm tani. Tirana dhe Shqipëria po bëhen gjithmonë e më të bukura dhe një ditë, mendoj se do jetoj aty ku linda.

A do të të shohim së shpejti në “Isola dei famosi”?

“Isola dei famosi” filloi kur unë isha brenda shtëpisë, sepse BBV u shty dhe “Isola”, për arsye produksioni, u përshpejtua. Gjithsesi, kandidatura për vitin tjetër është e vlefshme dhe unë dua të përballem dhe të shijoj këtë eksperiencë që nga fillimi, pse jo edhe të notoja i pari drejt ishullit dhe dilja i fundit, siç ndodhi dhe në BBV. Jam rritur mes natyrës, detit dhe aventurës në Shqipëri, ndaj mendoj që do ia dilja edhe aty. Një që është e sigurt: edhe po s’fitova, do i mbaj me peshk dhe ushqim të gjithë sa janë të humburit në atë ishull.

Ke menduar të sjellësh diçka (projekt) bashkë me Emilyn?

Emily ka 2 filma në xhirim për momentin dhe është shumë e zënë për të menduar diçka për tregun shqiptar. Do më pëlqente shumë një këngë e saj shqip, po do t’ia lëmë kohës dhe mundësive.

Kur do bëhet dasma dhe ku? Ç’plane keni?

Dasmë kam gjithmonë, jam me familjen time. Adhuroj surprizat dhe emocionet që ato japin. Për momentin, jam duke menduar koreografinë në spektaklin e radhës që do mbahet në Shqipëri së shpejti. Sa për dasmë, një të tillë e bëra duke zënë peshq, fotot dhe artikujt 2 javë para në plazh. Ne peshkatarët kemi një shprehje, QËLLOFSHI!

Si do i përshkruaje 21 vite me Emanuelën?

21? Sa pak ... duken si 21 ditë me diell në vendin më të bukur të botës.

Cili është projekti i madh i verës?

“Mik Festival”, që mban firmën e divës, Inva Mula, është projekti ku jam i angazhuar së shpejti në korrik. Do jem prezent me trupën time, po do performojnë dhe disa balerinë shqiptarë, të cilët i kam mbështetur dhe i kam pasur nxënës në Romë. Tani kërcejnë kudo në botë dhe me këtë rast, do tregojnë veten e tyre dhe në Shqipëri. ‘Experience Albania’, maratona ndërkombëtare e baletit për të gjitha moshat dhe stilet në Tiranë, do të organizohet javën e parë të shtatorit. Qindra të rinj nga Shqipëria, Kosova, Maqenonia dhe Italia, do performojnë dhe kërcejnë me maestro nga Europa për të perfeksionuar artin e tyre, duke bërë të mundur realizimin e ëndrrave të tyre përballë njëri-tjetrit dhe publikut. Ky është edicioni i 2-të që prezantohet në kryeqytet, në bashkëpunim me Tomorr Kokonën dhe Enzo Macario. 

Qëllimi im gjithmonë ka qenë të krijoj sa më shumë ide për t’i dhënë sa më shumë jetë artit edhe në vendin tim. Ky vit do të sjellë shumë bashkëpunime prestigjioze dhe aktivitete artistike argëtuese dhe inovatore për të rinjtë. Dua të falënderoj bashkinë e Tiranës, që është gjithmonë e gatshme të bashkëpunojë dhe t’i japë akoma më shumë vlera kulturore vendit tim.

Ke marrë shumë oferta për të qenë në produksione të ndryshme në Itali, mund të na zbulosh më shumë?

Propozimet nuk mungojnë, si në Shqipëri, edhe në Itali. Për artistin rëndësi ka vlerësimi dhe konsiderata, gjithashtu dhe kualiteti i bashkëpunimit. Për momentin, jam duke ëndërruar dhe punuar për një dalje në reality ‘Italia Sky’, me Emily, në një ndër programet më të ndjekura dhe më të bukura të momentit. Nuk do jetë aspak e lehtë pjesëmarrja dhe zgjedhja, pasi konkurrenca është shumë e fortë, po ju e dini çfarë durimi dhe këmbënguljeje më karakterizojnë,  kështu që kryqëzojmë gishtat të kemi fat.

Mbase krenaria nuk është ajo që kemi kuptuar ne, në të paktën gjysmëshekullin e fundit. Sepse ajo nuk duket te tundja e flamurit apo te brohorimat sa herë luan skuadra kombëtare. Edhe këtu, pa dyshim, ka shumë krenari. Por më shumë se kudo, krenaria ndihet, të rrëqeth trupin, të mbush sytë me lot e të bën të përcillesh sa herë atje në skenë, dikush, me një hapje zëri, shpërthen mikrofonin dhe të gjithë sallën, kërcen apo interpreton, çon në kupë të qiellit emocionin tënd dhe të të gjithë të pranishmëve... Krenaria është atje ku mijëra duartrokitje vazhdojnë me minuta të tëra për talentin e jashtëzakonshëm, të pabërtitur, por të pakrahasueshëm me gjë tjetër në botë. Është atje kur të gjithë lënë sallën dalëngadalë duke ndarë me njëri-tjetrin përshtypjet që u ka lënë shfaqja e një solisti unik... (ty të vjen të bërtasësh për t’u bërë të ditur të gjithëve se ai “është nga Shqipëria!”)

Si shfaqja që dha para të gjithëve Ilir Shaqiri dhe ajo pjesë e tij që i bën shqiptarët krenarë, për artistin në skenë dhe për njeriun në jetë. Edhe familjen e tij e ka bërë krenare, atë shqiptare dhe atë italiane. Edhe ai vetë është krenar për “veprat që peshojnë”, siç shkruante Kipling... Krenar për atë që KA në Itali dhe sidomos, për atë që ËSHTË në Shqipëri.

Design: Xhesika Berisha