Dizajneri legjendar Bob Mackie tha për Entertainment Weekly se nuk i bëri përshtypje Kim Kardashian e veshur me fustanin ikonik Jean Louis të Marilyn Monroe të vitit 1962, në Met Gala 2022. Mackie, i cili punoi si asistent i modës për Jean Louis në fillim të karrierës së tij, kishte disa fjalë të zgjedhura për Kim Kardashian.

“Mendova se ishte një gabim i madh. [Marilyn] ishte një perëndeshë. Një perëndeshë e çmendur, por një perëndeshë. Ajo ishte thjesht përrallore. Dhe veshja u bë për të. Ishte projektuar për të. Askush tjetër nuk duhet të shihet me atë fustan”, tha ai.

Mackie, sot 82 vjeç, e vizatoi skicën për dizajnin kur ishte vetëm 22 vjeç.

Kjo nuk është hera e parë që stilisti, i cili gjithashtu krijoi veshje të famshme për Cher, kritikon familjen Kardashian.

Në vitin 2021, ai tha për Page Six se, “Kardashians janë shumë tërheqëse, dhe disa janë shumë të bukura, por ato janë thjesht të famshme për të qenë të famshme”.

“Disa prej tyre kanë kopjuar rrobat e Cher në çdo detaj, gjë që është interesante. Është si… lëre fare... Unë i bëra ato dizajne aq shumë vite më parë sa nuk shqetësohem për kopjimin e tyre apo ndonjë gjë tjetër. Është një lloj komplimenti, me të vërtetë.”

Megjithatë, nuk duket se ai e mori si komplimet veshjen e fustanit të Monroe nga Kim në tapetin e kuq të Met Gala 2022.