Një çadër që do të shitet në Kinë nga markat më të mira perëndimore Gucci dhe Adidas për 11,100 juanë (1,329 paundë) ka shkaktuar kritika të shumta, duke qenë se nuk mbron nga shiu.

Kritikat janë bërë virale në platformën kineze të mediave sociale Weibo.

Faqja e Gucci-t thotë se "çadra nuk është e papërshkueshme nga uji dhe është menduar për mbrojtje nga dielli ose përdorim dekorativ".

Një hashtag në Weibo për çadrën ka pasur deri më tani më shumë se 140 milionë shikime.

Çadra do të dalë në treg më 7 qershor si pjesë e një koleksioni të përbashkët të markës luksoze Gucci dhe gjigantit të veshjeve sportive Adidas dhe aktualisht po promovohet online.

Megjithatë, një zëdhënës i Gucci-t tha për revistën Caijing të Pekinit se produkti "nuk rekomandohej për t'u përdorur si një çadër e përditshme". Ata shtuan se kishte vlerë për t’u koleksionuar dhe është e përshtatshme për t'u përdorur si aksesor në përditshmëri.

Kina është një treg kyç për markat kryesore luksoze. Vitin e kaluar, shitjet e mallrave luksoze u rritën me 36% në ekonominë e dytë më të madhe në botë, sipas konsulencës Bain & Company. Bain parashikoi gjithashtu se Kina do të bëhet tregu më i madh i mallrave luksoze brenda tre viteve të ardhshme.