Të bëhesh pjesë e botës së biznesit ndonjëherë mund të vijë natyrshëm, por duhet shumë punë e përkushtim për të qëndruar atje dhe për të ngjitur një nga një shkallët e suksesit. Për shumë, Fatjon Selimaj është një emër i dëgjuar për shkak të sipërmarrjeve dhe sukseseve të njëpasnjëshme në biznes. Një biznesmen që ka ditur si t’i bëjë dëshirat e mëdha realitet dhe të arrijë që sot të jetojë ëndrrën e një jete. Sigurisht, rruga që iu desh të bënte për të mbërritur këtu ku është sot nuk ka qenë e lehtë, pasi i është dashur të heqë dorë nga disa kënaqësi të jetës për t’ia kushtuar kohën punës.

Megjithatë, ai ka ndërtuar disa biznese të mëdha, siç është edhe ai i fundit, The Crown, një Boutique Hotel që ofron shërbime të një niveli të lartë, në një nga vendndodhjet më të mira në Tiranë. Prej shumë kohësh pjesë e fushës së turizimit dhe hotelerisë, Fatjoni ia ka dalë që eksperiencën e gjithë këtyre viteve ta përdorë për ta kthyer The Crown në “kurorën” e Tiranës si një destinacion shumë të frekuentuar në kryeqytet.

 
 
 
 
 
View this post on Instagram
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 

A post shared by The Crown Boutique Hotel & Spa (@thecrown_tirana)

Por biznesi dhe hoteleria nuk janë e vetmja fushë ku Fatjoni ka shkëlqyer. Ai ka pasur mundësinë të eksperimentojë edhe në kinematografi, duke interpretuar në filmin "Djemtë e rrugës 30". Një përvojë që ai e quan fantastike dhe njëkohësisht shumë e veçantë për të. E në të ardhmen nuk e përjashton mundësinë për të qenë pjesë e televizionit, ndoshta me një emision që të ketë lidhje me turizmin ose verërat.

Në këtë intervistë për Class, Fatjon Selimaj rrëfen rrugëtimin që e solli këtu ku është sot, ndan pasionet dhe zbulon disa nga sekretet e karrierës së tij.

Si u gjende në botën e biznesit?

Pas shumë vitesh në industrinë e turizmit besoj që ishte më e thjeshtë dhe pothuajse natyrale kjo përfshirje. Kishte ardhur momenti i duhur dhe pjekja profesionale që të kisha një sipërmarrje të madhe dhe të mirëmenduar si kjo tani.

Të kujtohet momenti i parë kur ke kuptuar se kjo ishte rruga që dëshiroje të ndiqje, apo gjithçka ka ardhur gradualisht?

Hoteleria dhe turizmi janë një botë më vete. Ndoshta shumë njerëz e konsiderojnë si një katapultë për ta bërë kur s’kanë mundësi të tjera, por në rastin tim ka qenë vërtet dashuri me shikim të parë dhe e pjekur në vite. Për mua ky profesion është gjithçka pas familjes dhe miqve.

E kishe menduar ndonjëherë në fillmet e tua që do të arrije këtu ku je sot?

Menduar ndoshta jo, por ëndërruar shumë herë. Jam i shenjës së Peshqve dhe ne ëndërrojmë pafundësisht, e në rastin tim e quaj veten me fat e të bekuar që sot po jetoj një ëndërr të bërë realitet.

Sa i vështirë ka qenë për ty fillimi?

Shumë! I vështirë dhe i gjatë, pasi i kam kaluar të gjitha shkallët e industrisë, si brenda dhe jashtë vendit, por ata që më njohin nga afër e dinë karakterin tim për të mos u dorëzuar lehtë dhe sa me përkushtim e ndjek punën time. Shumë punë, shumë fat e shumë mbështetje nga familjarë e miq më kanë bërë t’i kujtoj si mësime të vyera ato sakrifica të së kaluarës.

Cili është sekreti yt për të arritur sukses në fushën e biznesit?

Përkushtimi, ndershmëria, mbështetja dhe padyshim pak ndihma e fatit.

Prej pak kohësh “Crown Boutique Hotel & Spa” ka hapur dyert për të gjithë klientët. Çfarë e bën atë kaq të veçantë?

The Crown është hapur zyrtarisht më 27 prill të këtij viti. Është një Boutique Hotel i ngrohtë, i detajuar mirë dhe gjithashtu me shërbime të një niveli mjaft të lartë. Është krijuar për një nivel klientele që di t’i vlerësojë këto resurse. E veçanta tjetër është se ne i kemi detajuar që nga mëngjesi i larmishëm, me të gjitha produktet e përgatitura nga chef-at tanë dhe i shërbyer në rooftop, brunch-i fantastik dhe mjaft stylish, dreka e biznesit, çaji i pasdites në stilin anglez që është pëlqyer shumë nga klientët tanë e gjithashtu darka dhe orët e vona me muzikë mjaft të zgjedhur. Dhomat janë mjaft të bukura dhe të dekoruara me klas dhe rafinim. E kush e tha që shqiptarët nuk dinë të ndërtojnë një hotel me standarde? 

Pse zgjodhe ta quaje pikërisht The Crown?

Sepse e meriton. Një godinë në pamje mbretërore e periudhës së mbretërisë dhe që së shpejti do marrë edhe kurorën e kryesimin e hoteleve dhe restoranteve në kryeqytet për shërbimet dhe kualitetin që ofron.

Historia e ndërtesës së hotelit është shumë interesante. Por çfarë të shtyu të investoje pikërisht atje?

Po. Është një godinë e vitit 1918 me mjaft histori në të. Kanë kaluar biznese mjaft të rëndësishme dhe të sukseshme ndër vite dhe gjithashtu ka një vendodhje nga më të mirat në Tiranë. Një gjë tjetër që na intrigoi është edhe hapësira e vogël, por e menaxhueshme mirë që të përfshijë hotelin, SPA-në, restorantin, privenë dhe sidomos rooftop-in që në The Crown është qershia mbi tortë dhe zona më e frekuentuar në këto darka vere.

Kishe eksperiencë të mëparshme në një sipërmarrje të tillë?

Po patjetër. Vij nga një karrierë e gjatë në sektor. Kam drejtuar nga bizneset më të njohura dhe më të sukseshme në vend dhe patjetër që eksperienca që kam krijuar ndër vite ka dhënë frytet e saj.

Cilat janë sfidat me të cilat u përballe gjatë rrugës?

Rikonstruksioni, pasi isha jashtë fushës sime dhe normalisht fillimi i punës së The Crown, sepse e hapëm në periudhë vere me dilema të mëdha pasi Tirana boshatiset nga qytetarët që shkojnë me pushime. Por falë punës së mirë të stafit operativ dhe atij drejtues gjërat po shkojnë mirë dhe hoteli e restoranti po kthehen në destinacion për një klientelë mjaft të mirë.

Mund të përmendësh disa nga shërbimet që ofrohen në The Crown?

Po, patjetër. The Crown ka hotelin, Spa-në, restorantin fantastik që ndahet në tre zona; Main, Prive dhe Rooftop në të cilat mund të jesh i lirë të konsumosh mëngjes, drekë, darkë, kafe, koktejle e gjithçka tjetër. Kualitet të padiskutueshëm si nga stafi, me në krye menaxherët e chef-in fantastik të kuzhinës, e deri tek lënda e parë e një niveli të admirueshëm dhe gati për guida vlerësimi botërore.

Si një biznesmen me eksperiencë, cilat janë cilësitë kryesore që kërkon te stafi dhe sa rëndësi ka stafi në një biznes?

Gjëja më e rëndësishme është ta duan atë që bëjnë. Të jenë të përkushtuar, të përpiktë e mjaft të buzëqeshur. Profesionalizmin edhe nëse nuk e kanë 100% i mësojmë ne dhe marrin patjetër linjën tonë të shërbimit.

Si është një ditë normale për një biznesmen? A është gjithçka punë, punë, punë apo tepron kohë edhe për pushime?

Punë shumë, aq sa shpesh i mungojmë familjes. Faleminderit atyre që na mirëkuptojnë, sepse vërtet ndonjëherë mungesa jonë në familje ndikon edhe në lumturinë e munguar të tyre. Gjithsesi mundohem me aq kohë t’u përkushtohem fundjavave dhe disa pushime në verë ose dimër, por prapë kurrë mjaftueshëm nuk rrimë me ta. Idealja nuk ekziston, por shpresoj që të kemi më shumë kohë në të ardhmen pasi familja është më e shtrenjta që kemi.

Kujt i je falënderues për arritjet e tua?

Zotit, familjes dhe disa njerëzve të tjerë që kur ta lexojnë këtë intervistë do e kuptojnë që u jam shumë mirënjohës gjithë jetën.

Çfarë këshille do t’i jepje dikujt që sapo ka nisur (ose ka në plan të nisë) një biznes?

Që të shkojë ‘all in’ me përkushtimin, idetë, ndershmërinë dhe sidomos të jetë shumë gentleman me punonjësit dhe klientët. Në shumicën e rasteve suksesi i një biznesi varet nga marrëdhëniet që krijon dhe shërbimet që ofron në mënyrën e duhur. Kurrë të mos dorëzohen edhe pas disfatave, pasi ka gjithmonë një rrugëdalje për çdo gjë drejt suksesit.

Nëse nuk do kishe ndjekur rrugën e biznesit, në cilën fushë mendon se do kishe shkëlqyer?

Mendoj në gazetari apo politikë. I dua shumë të dyja dhe mendoj që po të përdoren mirë nga njerëzit që merren me to, i shërbejnë shumë qytetarëve.

Ke eksperimentuar edhe në kinematografi. Si do ta përshkruaje këtë përvojë dhe a ke ndonjë projekt të ardhshëm në film ose televizion?

Ah, po. Ishte një ftesë nga miqtë e mi për të marrë pjesë në një film shqiptar me metrazh të gjatë dhe ishte eksperiencë fantastike gjatë xhirimeve, por edhe në tour-in nëpër kinematë e vendit. Televizionin e kam shumë qejf dhe pasion gjithashtu. Ku i dihet ndoshta në të ardhmen ndonjë emision me temë turizmi ose verërash s’do ishte keq, pasi është një pasion tjetër i imi duke qenë se jam dhe Brand Ambassador i Alehandro Group, kompanisë më të madhe të verërave në Shqipëri.

A do hiqje dorë nga biznesi për një rol në Hollywood nëse do merrje një propozim?

A do hiqte Hollywood-i dorë nga yjet e vet për të marrë një shqiptar në gjirin e tij?! Patjetër që do e mendoja edhe pse e shoh një ëndërr të largët e pa baza reale.

Sa i përmbushur ndihesh personalisht dhe profesionalisht në këtë fazë të jetës?

Kam një familje të mrekullueshme e të dashur, miq e bashkëpunëtorë që s’do i ndërroja me asgjë në botë dhe një karrierë siç e kam ëndërruar. Ndaj shëndet të kemi se po, patjetër ndihem i plotësuar.

Si e imagjinon veten pas 20-vjetësh?

Me një rrjet hotelesh, një puro të mirë, një rum të vjetëruar dhe me nipër e mbesa…

Fotot: Orsola Mema

Dizajni: Xhesika Berisha