Kodi? Cili? Ai që na tregojnë rrjetet sociale? Ai që ka shumë ngjyra në sipërfaqe, por është i zymtë e zeher brenda vetes? Ai që shumë njerëz mundohen të na e shesin si gjë shumë të shtrenjtë e të shenjtë, por pak e kanë në të vërtetë apo ai tjetri që ka shpeshherë shprehjen e famshme të popullit ‘bëj si them unë e mos bëj si bëj unë’? Për cilin kod do flasim? Për atë që e presin dhe e veshin sipas masave të trupit një numër i madh politikanësh – ata që kanë një karrige dhe një vend në sallën e madhe ligjbërëse, por harrojnë se ‘kostumi’ nuk u rri mirë të gjithëve…

Të paktën ajo nuk do ta zgjidhte kurrë ta vishte atë lloj kostumi që vesh shumica. Kjo, jo se kërkon të bjerë në sy, të jetë në qendër të portaleve e kryelajmeve, por sepse ajo është mësuar ta jetojë jetën e saj me ndjesi; të udhëhiqet nga e brendshmja që i vjen natyrshëm e jo nga kodet, protokolli, rregullat e shkruara e të pashkruara që shumë i bërtasin me të madhe, por vetëm pak i kuptojnë e i respektojnë.

Sheshxhirimi është krejt ndryshe nga salla e Kuvendit, aty ku pjesa më e madhe e politikanëve qëndrojnë statikë për të respektuar ‘kodet’ e të gjitha llojeve, pavarësisht se sa ia dalin. Por Adriana Matoshi e ka provuar edhe ‘sheshin’ e Kuvendit, me një qëllim krejt tjetër nga pjesa më e madhe e atyre që duan postin – të jetë një zë për gratë e pavarura. Një forcë mbështetëse e jashtëzakonshme si ajo, kushdo që e ka afër, e di mjaft mirë se ia del gjithmonë të të bëhet krah në momentet delikate të jetës. Sepse jeta për të ka qenë e gjitha një sfidë, një film me shumë seri (edhe pse me këtë është mësuar nga profesioni i saj), por çfarëdo që i ka ngjarë nuk ia ka ulur kokën, përkundrazi.

Prej një kohe të gjatë u kthye në qendër të mediave për një martesë aspak të zakontë, për të cilën Adriana ka folur disa herë edhe publikisht. Më pak për punën e palodhur si aktore dhe më tej edhe si deputete, për Adrianën vazhduan titujt edhe pas divorcit, por edhe kjo fazë erdhi dhe shkoi fare natyrshëm në jetën e saj, si në jetën e kujtdo tjetër që kalon të njëjtën etapë në një moment të jetës. As këtë herë titujt nuk u ndalën… Derisa, ajo vendosi që edhe shfaqjen e fazës së dytë të tumorit, 9 vite pas herës së parë, ta ndante me të gjithë ndjekësit e saj. Edhe këtë e bëri me një qëllim; t’i jepte forcë çdo gruaje tjetër mund të ishte duke vuajtur nga një mori arsyesh. Vetëmohuese, edhe pse e frikësuar për atë që po i ndodhte, Adriana nuk e harroi buzëqeshjen, as atëherë kur miqtë më të mirë mendonin për një çast se për të aq ishte e shkruar. Jo. Nëse Zoti e kishte vendosur ta sprovonte edhe një herë tjetër, le ta bënte. Ajo do t’ia dilte. Sërish… Madje, edhe në operacion do të hynte duke qeshur….

Si një personazh libri, Adriana Matoshi do të ishte gruaja ideale që kërkon të vizatojë çdo shkrimtar. Jeta e saj është e mbushur me ndodhi, aspak të zakonta dhe aspak të rastësishme: të gjitha njëra pas tjetrës. Ajo i mendon si sfida që kanë pasur një qëllim në një fazë të caktuar të jetës. Për një pjesë të mirë të tyre, aktorja e njohur flet në këtë rrëfim ekskluziv për revistën Class. Pa doreza, por me pasionin që kurrë nuk iu zbeh, me gjithë ulje-ngritjet, duke luftuar në shumë mënyra për të qenë vetja në çdo post dhe në çdo karrige në të cilën është ulur. Gojët e liga, le të flasin e të komentojnë edhe ngjyrat e pantallonave të saj (ua verbojnë shikimin), ajo nuk ka ndërmend të ndalet në asnjë çast nga rrugëtimi që ka nisur vite më parë. Jo vetëm sepse di ta bëjë mjaft mirë, por sepse nuk bën kompromise për të qenë ajo që ‘duhet të jetë’. Ajo është gjithkund dhe me gjithkënd Adriana…

Pas shumë sfidave jo pak të vështira, arrin ta mbash kokën lart dhe shumë krenare, ku e gjen forcën për t’u përballur me të gjitha ç’të ka sjellë jeta?

Të kaluarën gjithmonë e lë prapa shpinës, të ardhmen s’kam si ta di, sfidat gjatë jetës më kanë bërë shumë të fortë dhe më kanë mbushur mendjen që duhet ta jetoj të tashmen në të gjitha periudhat. Njerëzit e fortë sprovohen dhe janë motiv për njerëzit më të dobët.

 

A ka pasur çaste kur ke menduar të dorëzohesh nga gjithçka?

Përkundrazi, i kam mbledhur të gjitha forcat për të vazhduar përpara dhe kam thënë që kjo gjë është shkruar për mua, dhe këto janë procese të jetës që duhen tejkaluar, si e mira, ashtu edhe e keqja, si gëzimi, edhe lëndimi, edhe vuajtja, pikëllimi etj. Janë faza të jetës dhe ne duhet t’i pranojmë ashtu siç janë, ashtu e njohim më mirë edhe veten dhe emocionet tona. Gjithmonë vjen një ditë kur ti qesh me diçka që ke qarë më përpara.

 

Si ishte hera e dytë e përballjes me tumorin? Çfarë mendove kur e mësove?

Në fakt, më shumë e ka përjetuar shoqja ime Genta. Unë kam qeshur edhe i kam thënë: “Na doli një rrugë me pushu pak”. E kam marrë me shumë qetësi edhe kam thënë Zoti i di punët e veta dhe ç’është e shkruar të ndodhë, do të ndodhë. Kam dashur t’i kem me vete njerëzit që më bëjnë të qesh dhe të gjithë ditët e kontrollove kanë shkuar me të qeshura me shoqet e mia. Shokët e mi talleshin me mua që kësaj radhe duhet të koncentrohem për me vdek, por unë kam qeshur me lot.

I jam shumë falënderuese Zotit për forcën që më dha, por edhe shumë mirënjohëse doktor Petrelës bashkë me stafin e tij që më dhanë jetë për së dyti, edhe shoqeve të mia gjithashtu; Gentës, Timës dhe Arbrit, dhe gjithë shoqërisë sime shumë të madhe që me mesazhe dhe vizita ma kanë mbajtur disponimin në qiell.

Çfarë do t’u thuash njerëzve që po luftojnë me një sëmundje të rëndë? Ke një mesazh për ta?

Mos e mendoni kurrë më të keqen, sepse ne nuk e dimë, Zoti bën mrekullira. Ka pasur raste, që i njoh personalisht, kur mjekët u kanë thënë se nuk ka shpëtim, dhe ata persona jetojnë shumë të shëndetshëm dhe të lumtur. Kështu që mos u dorëzoni, mundohuni ta doni atë moment dhe ta tejkaloni. Kurrë mos thoni ‘O Zot, pse më ndodhi mua kjo sëmundje’, sepse Zoti i sprovon më së shumti njerëzit që i do.

 

Kush është njeriu i parë që telefonon kur ndihesh keq? Po kur ke ndonjë lajm të lumtur?

Zakonisht, kur ndihem keq, kam shumë qejf me qenë vetëm, e kam një veturë të shkatërruar dhe aty e gjej veten. Nuk dëgjoj as muzikë të dhimbshme, me thellu veten më shumë. Kur të qetësohem mirë, thërras Gentën, shoqen time të ngushtë, edhe ajo është ilaçi im, më qorton, më ngushëllon, më flet dhe në fund më përqafon. Unë ia ndiej shumë ngrohtësinë dhe mbrojtjen.

Edhe kur kam lajm të lumtur, njerëzit e parë që dua t’i lumturoj janë prindërit e mi, fëmijët, shoqëria.

 

Arrin të jesh prezente në jetën e fëmijëve me gjithë angazhimet që ke?

Unë, për një periudhë shumë të gjatë nuk kam mundur të jem prezente 24/7 me fëmijët e mi, pas ndarjes me ish-bashkëshortin më është dashur të punoj intensivisht, nuk kam luftuar për famë, por për t’i mbajtur fëmijët, për t’u plotësuar dëshirat, por edhe puna që kam ditur ta bëj mjaft mirë ka qenë aktrimi.

Për një periudhë të shkurtër kam luajtur shumë filma, një serial që ka marrë kohë shumë dhe një kafe-bar që kam menaxhuar. Jeta është shumë e shtrenjtë për të jetuar me qira dhe kërkesat e jetës, sa vjen e bëhen edhe më të mëdha. Por këtu pa ndihmën e prindërve të mi nuk kisha pas mundësi as të luaj filma, as serial e as të punoj, sepse fëmijët 24/7 kanë qenë në përkujdesjen e tyre.

Momenti kur je ndier më shumë se kurrë krenare për veten?

Unë ndihem krenare çdo ditë me veten time, çdo gjë që punoj e bëj me nder dhe përkushtim të madh. Asnjëherë nuk bëj diçka për të thënë “shikoni çfarë bëra.”

Punoj pa ndërprerë, nuk e shkel askënd për të arritur synimet e mia, jam shumë suportive për të tjerët, i gëzohem çdo suksesi të kolegëve, rri edhe me të pasur, edhe me ata që nuk i kanë kushtet, jam e hapur dhe nuk bëj gjëra pas shpine, jam shumë e arritur në karrierë, por shumë e thjeshtë si person. Kam ide të çmendura dhe dua të shkoj deri në fund për t’i realizuar, jap dashuri shumë për njerëzit, bëj vizita familjare, ftoj njerëz për t’i takuar kur e di që janë keq, dërgoj mesazhe vetëm për t’i bërë njerëzit të buzëqeshin e t’i gëzohen jetës.

Si të mos jem krenare për shpirtin e butë që më ka falur Zoti?

Je kritikuar për veshjen në Kuvend. Cila është përgjigjja jote për ata që gjejnë gjithmonë diçka për të komentuar negativisht?

Jo vetëm në Kuvend, por prej se e mbaj veten me mend, unë jam kritikuar për veshjen time, çka me ba unë, kur ndihem mirë vetëm në stilin tim? Gjithmonë e kam pasur një stil të veçantë dhe gjithmonë do ta kem. Unë nuk kam thyer ndonjë kod, nuk vishem provokative, ndoshta ata që bëjnë komente negative, duhet me kritiku nëse nuk punoj, jo çka unë vesh.

Por stili im është stili im. Nuk e kam ndërmend ta ndërroj ashtu qysh nuk e kam ndërmend të merrem me çka flasin njerëzit. Janë disa njerëz që aq dijnë dhe nuk mundohen për jetën, krejt çka kanë për të bërë është të merren me tjetrin.

Ka edhe asi njerëz që mundohen me ra në sy prej sukseseve të mia, u ka shku jeta pa bërë gjë vetëm duke llomotitur, e suksesi im i pengon, ata flasin, por i pengojnë edhe flokët e mia, edhe këmisha ime, fundi im, ngjyra e pantallonave.

Imagjino, sa i ulët duhesh me qenë mos me i pa sukseset. (Në fakt i shohin, po çka me i ba helmit që kanë në shpirt?)

Kemi parë se ke një miqësi të ngushtë me Arjola Demirin. Cila ka qenë gjëja e parë që i ke thënë kur e ke takuar pas daljes nga Big Brother?

Arjola është shpirti i shpirtit tim. Në kohët e sotme, të gjesh shoqe besnike është jashtezakonisht vështirë, Arjola është personi ma i dashtun dhe besnik, është e fjalës dhe e zonja me i përballu sfidat që jeta sjell.

Ditën kur kam hyrë ta shoh në Big Brother, vetëm unë dhe Zoti e dimë sa keq kam qenë, me marramendje të mëdha, por nuk e dija që isha me tumor.

Kam hyrë për t’i thënë fjalë që krejt rrugën prej Kosovës jam munduar mos t’I harroj çfarë kam për t’i thënë. Aty brenda vetëm ato fjaleë nuk ia kam thënë, sepse i kam harru, kisha problem me memorien, edhe e di që kam pas ngecje dhe s’kam qenë mireë e artikulueshme. Kam bërë ‘Ë ë ë’, sepse mendimet më iknin.

Momentin kur ajo ka dalë nga BB lajmin e parë që ka mësuar ka qenë për operimin tim. Menjëherë kemi folur në telefon edhe kemi qarë të dyja që prapë e kemi pasur fatin t’ia shohim sytë njëra- tjetrës. Një shoqe si Arjolën ia kisha uru çdo njeriu ta ketë. Për Arjolën jam në gjendje edhe shpirtin ta jap.

 

Po një këshillë që ke dashur t’ia japësh gjatë kohës që ishte brenda, por s’kishe mundësi?

Të kisha pasur mundësi sa ka qenë brenda, i kisha thënë mos u mërzit për asgjë, shijo si eksperiencën më të mirë në jetë Big Brother Albania.

Për çfarë do ta lije pas karrierën dhe politikën?

Për një shtëpi në mal, afër një liqeni, për natyrën, për një qetësi.

 

Ke menduar ta lësh ndonjë ditë këtë të fundit, ecën ajo gjithmonë sipas parimeve të tua?

Unë nuk di të bëj politikë. Unë di të ndihmoj njerëz, të dëgjoj ankesat dhe kërkesat e tyre. Pastaj, insistoj për ato gjëra, por nuk është që nuk kam bërë asgjë. Jam shumë e fokusuar tek dhuna në familje, tek femijët e sëmurë, tek komuniteti artistik, por mos u habitni që jam e re në këtë rreth. Fillimisht, më është dashur t’i mësoj disa terma që nuk i kam ditur e dalëngadalë kam bërë edhe punë të mira.

Për momentin nuk kam menduar ta lë, të ardhmen nuk e di, aty vendos populli.

 

Cilat janë projektet e tua të ardhshme? Mund të na zbulosh diçka?

Një film në Maqedoni, një në Shqipëri, disa projekte të tjera që, për momentin, dua t’i lë pas mister. Së shpejti, do t’ju tregoj më shumë…

Sharon Stone, 'Basic Instinct'? Për një moment, menjëherë poza e aktores së famshme duket e mishëruar tek aktorja shqiptare Adriana Matoshi, por më shumë sesa e para, Adriana ka një histori të tërë përmes fotove të saj, këtij seti fotografik dhe shumë të tjerëve që, më siguri, e presin në të ardhmen.

Dhe deri atëherë do të vazhdojë të bëjë punë të tjera të bukura, si artiste dhe si deputete. Por jo sepse i ka premtuar publikut dhe zgjedhësve të saj. Por sepse ka zgjedhur të jetë Adriana … Kjo është ajo që di të bëjë më mirë.

Credits:

Fotografia: Shenoll Zehri

Design: Xhesika Berisha